Spanja shënon numrin më të ulët të viktimave që nga 16 marsi
Ministria e Shëndetësisë e Spanjës ka konfirmuar se të enjten janë shënuar 48 raste të vdekjeve nga koronavirusi i ri.
Kjo është hera e parë, që nga shpërthimi i pandemisë më 16 mars, që ky vend raporton numër kaq të ulët të vdekjeve nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.
Shifrat kishin arritur kulmin më 2 prill, kur u raportuan 950 të vdekur brenda periudhës 24 orëshe.
Të enjten numri i rasteve të reja të infektuarve me koronavirus u raportua të jetë 482.
Deri më tani në Spanjë janë të regjistruar gjithsej 233.037 raste të infektuarve dhe 27,940 vdekje.
Megjithëse numri i të infektuarve dhe vdekjeve po bie, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, të mërkurën, fitoi mbështetjen e parlamentit për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme edhe për dy javë të tjera, deri më 6 qershor.
Pandemia vs. Privatësia: Gjurmimi i koronavirusit nxit shpresë dhe frikë
Krahas rritjes së numrit të testimeve për koronavirus, gjurmimi i kontakteve konsiderohet shumë i rëndësishëm për të frenuar shpërthimet e reja të sëmundjes, COVID-19, që shkakton ky virus, teksa masat e izolimit vazhdojnë të lehtësohen në gjithë botën.
Gjurmimi i kontakteve ka qenë ne zemër të betejës kundër sëmundjeve bartëse për dekada, duke përfshirë fruthin, HIV-in dhe Ebolan.
Zhdukja e një lloji të lisë në fund të viteve 1970, dikur një prej sëmundjeve më të tmerrshme në botë, ka kërkuar një përndjekje të ashpër të kontakteve, me qëllim të identifikimit të individëve të infektuar, izolimit të tyre dhe imunizimit të komuniteteve që kanë rrezikuar prekjen nga kjo sëmundje.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
Serbia rihap kufijtë
Qeveria e Serbisë vendosi të enjten për rihapjen kufijve të vendit, pasi i kishte mbyllur ato më 15 mars, për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Më parë autoritetet serbe kërkonin, që qytetarët të cilët ktheheshin nga vendet tjera, të posedonin një test negativ të COVID-19, jo më të vjetër se 72 orë, ose në të kundërtën detyroheshin të kalonin në izolim për një periudhë 14 ditëshe.
Por, kjo masë nuk do të vlejë më.
"Pas përmirësimit të situatës me pandeminë, qeveria vendosi të rihapë pikat kufitare dhe të lejojë hyrjen e të gjithë njerëzve në Republikën e Serbisë, pa një test të detyrueshëm të koronavirusit dhe miratimin e komisionit", thuhet në një deklaratë të qeverisë së Serbisë.
Në kuadër të masave kundër pandemisë, Serbia gjithashtu kishte mbyllur restorante, kafene, shkolla dhe kopshte. Por, këto masa janë hequr dhe tani njerëzve u kërkohet vetëm të mbajnë distancën fizike dhe të vendosin maska kur janë jashtë shtëpisë.
Serbia ka regjistruar rreth 11,000 raste me COVID-19, nga të cilat 237 kanë qenë fatale.
Rusia pranon pjesën e parë të ndihmës nga SHBA-ja
Një aeroplan ushtarak amerikan që transportonte ventilatorë, ka ateruar në Moskë, për të ndihmuar Rusinë në betejën e saj kundër shpërthimit të koronavirusit të ri.
"Sapo mbërriti aeroplani amerikan me ndihmë humanitare nga njerëzit e Shteteve të Bashkuara për njerëzit e Rusisë. Në kohë krize, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të punojnë së bashku për të shpëtuar jetë", tha Rebecca Ross, një zëdhënëse në Ambasadën e SHBA-së në Moskë.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara tha se dërgesa është pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të siguruar furnizime "për njerëzit në nevojë në të gjithë botën".
Qeveria e SHBA-së planifikon të dhurojë më shumë 200 ventilatorë mjekësorë në Rusi.
Pas SHBA-së, Rusia është vendi i dytë në botë për numrin e të infektuarve me koronavirus.
Deri më tani në Rusi janë konfirmuar 317.554 raste me koronavirusin e ri, ndërsa numri i vdekjeve është 3,009.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se një dërgesë tjetër e ventilatorëve amerikanë pritet të arrijë javën e ardhshme.
Në muajin prill Rusia dërgoi ventilatorë në Shtetet e Bashkuara pasi shumë qytete, përfshirë Nju Jorkun, u përballën me mungesë të këtyre pajisjeve.
Uashingtoni tha se kishte paguar për pajisjet.