Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
17:12 21.5.2020

FFK: Shumë shpejt do të fillojë testimi i të gjithë futbollistëve

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar klubet e Superligës se të gjithë futbollistët dhe stafet e klubeve, do të testohen për COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.

Përmes një njoftimi, kjo federatë ka bërë të ditur së ky testim do të fillojë shumë shpejt dhe se do të bëhet në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, me kërkesë të FFK-së, i kanë ndërmarrë të gjitha masat për t’i siguruar testet e nevojshme për futbollistët dhe stafin e klubeve dhe tashmë janë krijuar edhe ekipet mjekësore të cilat do t’i kryejnë testimet tek futbollistët në çdo klub. Andaj, FFK kërkon nga futbollistët që të jenë të qetë dhe të vazhdojnë punën pa panik me udhëzimet e parapara nga IKSHPK”, thuhet në njoftim.

FFK po ashtu ka kërkuar nga të gjitha klubet qe të kenë kujdes për pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të zbatojnë në përpikëri udhëzuesin dhe protokollin higjieno-sanitar për stërvitje të dërguar nga FFK dhe t’u krijojnë sa më shumë lehtësira dhe siguri futbollistëve në këtë periudhë.

16:48 21.5.2020

Xhamitë në Kosovë të mbyllura deri në qershor: Imamët ndjekin këshillat e ekspertëve

Gonxhe Feri Radoniqi, nga Mitrovica, thotë se çdo vit gjatë muajit të Ramazanit ka shkuar në xhami për të bërë lutjet e mbrëmjes-taravitë. Por, kjo gjë nuk ka ndodhur këtë vit pasi që xhamitë në tërë Kosovën janë mbyllur si shkak i pandemisë COVID-19.

“Mua më ka munguar shumë xhamia pasi që lutja e taravisë është një lidhje e veçantë me zotin e cila ka ndikim pozitiv në qetësinë shpirtërore, ndërsa për këtë kohë të izolimit kjo gjë është e nevojshme”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se nuk e ka të qartë se pse Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ende e konsideron të rrezikshme hapjen e xhamive përderisa masat janë duke u lehtësuar.​

Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.

15:46 21.5.2020

Kthehen në Kosovë 56 qytetarë që kishin mbetur në Emiratet e Bashkuara Arabe

Mëngjesin e së enjtes, 56 qytetarë të Kosovës, që kishin mbetur në Emiratet e Bashkuara Arabe si pasoje e përhapjes së pandemisë COVID-19, janë nisur për në vendlindje.

Ata kanë fluturuar drejt Tiranës, për të ardhur më pastaj në Kosovë, ka bërë ditur përmes një postimi në Facebook, Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Pas një periudhe të vështirë të pritjes dhe paqartësive të shumta, sot në mëngjes në drejtim të Tiranës kanë fluturuar 56 qytetarë të Kosovës të cilët kishin mbetur në Emirate, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend ”, thuhet në njoftim.

Disa prej këtyre qytetarëve ishin studentë.

“Mbi 30 nga këta qytetarë ishin studentë në Universitetin e Sharjias kurse të tjerët ishin familje dhe individë që humbën vendet e punës pas izolimit të vendit, apo mbetën aty kur u anuluan fluturimet”, thuhet në njoftim.

Sipas masave të ndërmarra nga autoritetet në Prishtinë, shumica e qytetarëve që kthehen në Kosovë, duhet të qëndrojnë në karantinë, në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

15:31 21.5.2020

Arrin në 38.9 milionë numri i amerikanëve që janë regjistruar si të papunë

Javën e kaluar në Shtetet e Bashkuara rreth 2.4 milionë njerëz u regjistruan si të papunë dhe kërkuan ndihmën e autoriteteve, për të përfituar nga programet përkatëse.

Kjo shifër e çon në 38.9 milionë numrin e personave që janë regjistruar si të papunë, që nga mesi i marsit.

Lajmin e plotë mund ta lexoni në këtë link.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG