Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:39 21.5.2020

Meksika regjistron rekord të viktimave nga Covid-19 në 24 orë

Meksika ka regjistruar të mërkurën 424 vdekje të reja si pasojë e koronavirusit të ri - njëherësh numrin më të madh të fataliteteve brenda një dite.

Ky vend ka regjistruar edhe 2,248 raste të reja të të infektuarve.

Zyrtarët meksikanë kanë thënë javën e kaluar se Meksika ka arritur “pikun” e shpërthimit të pandemisë, pasi kanë regjistruar numrin më të madh të të infektuarve në një ditë.

Deri më tani në këtë vend janë konfirmuar 56,594 të prekur dhe 6,090 me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Shifrat e reja janë regjistruar teksa ky vend ka nisur të lehtësojë masat e izolimit dhe të rihapë ekonominë, në veçanti fabrikat afër kufirit me Shtetet e Bashkuara.

10:23 21.5.2020

Më pak para e investime nga diaspora këtë vit

Abidin Gavazaj kishte planifikuar që si çdo vit edhe sivjet të vinte në Kosovë për të kaluar pushimet verore.

Ai jeton në Salzburg të Austrisë dhe së bashku me familjen planifikonte që të vazhdonte punimet në ndërtimin e një shtëpie në Prizren, që është qyteti i tij i lindjes.

Por, shfaqja e pandemisë së koronavirusit të ri ka bërë që Abidini të pezullojë çdo investim të cilin ai e kishte planifikuar ta bënte këtë vit në Kosovë.

“Kam filluar para një kohë që të ndërtojë një shtëpi dhe tash mungesa fizike në Kosovë po na kufizon shumë investimin, por edhe ndërtimin atje. Shumica e firmave ose e ndërmarrësve nuk kanë gatishmërinë pa qenë prezent edhe pronari i shtëpisë, që të kryejnë punimet. Mungesa jonë fizike, normal që i anulon të gjitha investimet dhe tash duhet të presim deri në një afat të ardhshëm”, thotë Gavazaj.

Lexoni rrëfimin e tij të plotë duke klikuar këtu.

09:30 21.5.2020

Kryeministrja e Zelandës së Re sugjeron katër ditë pune në javë

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka inkurajuar sistemin me katër ditë pune në javë, me qëllim të rritjes së turizmit të brendshëm.

Industria shtetërore e turizmit – një nga sektorët më të rëndësishëm – është goditur rëndë si pasojë e pandemisë me koronavirus.

Kjo ide ka gëzuar shumë banorë të këtij vendi.

Nëpër platforma online disa kanë treguar gatishmëri për të pranuar këtë ide, derisa të tjerë kanë thënë se një gjë e tillë do të rezultonte me orar më të gjatë të punës – duke i bërë njerëzit më pak produktivë.

Mirëpo një biznes në Zelandën e Re, që ka nisur të funksionojë me katër ditë pune në javë nga viti 2018, ka thënë se një gjë e tillë “definitivisht” mund të bëhet.

“Mund të jetë strategji për të rindërtuar ekonominë, në veçanti tregun e dëmtuar të turizmit”, ka thënë Andrew Barnes, themelues i Perpetual Guardian ka thënë për të përditshmen britanike The Guardian.

“Neve na duhet të jemi të guximshëm me modelin tonë. Kjo është një mundësi për një ndryshim të madh”, ka thënë mes tjerash ai.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.

08:58 21.5.2020

Vuhani ndalon konsumimin e kafshëve të egra

Autoritetet në Vuhan kanë zgjeruar ndalesën në blerjen dhe shitjen e kafshëve të egra, duke përfshirë gjuajtjen dhe ngrënien po ashtu, ka raportuar e përditshmja kineze, Global Times.

Kjo ndalesë përfshin konsumimin e çfarëdo kafshe të egër që gjendet në listën e kafshëve të mbrojtura, është thënë në faqen qeveritare të Vuhanit.

Koronavirusi fillimisht është raportuar në Vuhan në fund të vitit të kaluar, teksa autoritetet kanë fajësuar një treg të kafshëve të egra.

Në muajin janar, Kina ka marrë vendim të përkohshëm për shitje dhe blerje të këtyre kafshëve, ashtu sikurse kishte vepruar pas shpërthimit të Sars-it.

Një muaj më vonë, qeveria “ka ndaluar tregtinë ilegale të kafshëve të egra” dhe “ka eliminuar konsumimin e tyre për të ruajtur jetën dhe shëndetin e njerëzve”.

Mirëpo nga ajo kohë, në një numër raportimesh është thënë se kafshët e egra janë shitur sërish në Kinë dhe vende tjera.

Origjina e saktë e koronavirusit të ri ende nuk dihet, ndonëse disa të dhëna sugjerojnë se ka ardhur nga një kafshë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG