Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
20:13 20.5.2020

Greqia do të hapë sezonin turistik më 15 qershor

Greqia do të hapë sezonin turistik më 15 qershor, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, duke shtuar se fluturimet ndërkombëtare do të rifillojnë më 1 korrik.

"Periudha e turizmit fillon më 15 qershor. Hotelet sezonale mund të rihapen, dhe fluturimet e drejtpërdrejta ndërkombëtare në destinacionet tona turistike gradualisht do të fillojnë nga 1 korriku", tha Mitsotakis në një fjalim televiziv.

Greqia ka pasur një numër relativisht të ulët të vdekjeve nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Ky vend ka raportuar gjithsej 170 vdekje.

"Ne do të fitojmë luftën me krizën ekonomike, ashtu siç e kemi fituar betejën shëndetësore", tha Mitsotakis.

Greqia gjatë kohës së pandemisë.
Greqia gjatë kohës së pandemisë.

Greqia ende është duke u rimëkëmbur nga një krize financiare në të cilën ishte zhytur rreth dhjetë vjet më parë.

Të hyrat nga turizmi llogaritet se mbushin një të pestën e ekonomisë së saj.

Për të tërhequr vizitorët, taksa e transportit për pesë muajt e ardhshëm do të ulet në 13 për qind nga 24 për qind sa është aktualisht, raporton AFP.

Për shkak të pandemisë, Greqia mund të përballet me një tkurrje ekonomike deri në 13 për qind.

19:33 20.5.2020

Kosova pranon pjesën e dytë të ndihmës emergjente nga BE-ja

Kosova ka pranuar nga Bashkimi Evropian, pjesën e dytë të ndihmës emergjente prej 5 milionë eurosh për luftimin e pandemisë.

Pjesa e parë e kësaj ndihme ishte dorëzuar më 30 prill.

Pakoja e dorëzuar të mërkurën përmban 60 mijë maska për frymëmarrje, 19 mijë mburoja për fytyrën, 60 mijë shtroje njëpërdorimshe, 171 mijë palë doreza kirurgjikale, dhe 15 mijë litra dezinfektues duarsh.

Dorëzimin e saj e bëri zëvendës-shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri.

Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës thuhet se në javët e ardhshme, BE-ja do të dorëzojë artikuj të tjerë, si ventilatorë, autoambulanca, shtretër spitalorë dhe shumë pajisje tjera mjekësore.

Përveç kësaj ndihme direkte për sektorin e shëndetësisë, BE-ja po përgatit edhe rreth 63 milionë euro si masa afatmesme për ndihmë me grante socio-ekonomike, si dhe rreth 100 milionë euro kredi si ndihmë makro-ekonomike për Kosovën.

19:13 20.5.2020

Maqedonia e Veriut: Pandemia ndan partitë për datën e zgjedhjeve

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, vazhdojnë të thyejnë shtizat rreth caktimit të datës se kur duhet të mbahen zgjedhjet.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se pavarësisht deklarimeve të partive politike se në plan të parë kanë interesat e qytetarëve, thonë se ata në plan të parë kalkulojnë me interesat partiake.

Sipas ekspertëve politikë, socialdemokratët në pushtet synojnë zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë që është e mundur, që pasojat nga kriza e koronavirusit të jenë më pak të ndjeshme, kurse opozita synon të shkojë në zgjedhje në vjeshtë duke llogaritur në votën kundër si rrjedhojë e pakënaqësive nga keqmenaxhimi i krizës.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.

18:44 20.5.2020

OBSH-ja raporton për numrin më të lartë të infeksioneve brenda një dite

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 106 mijë raste me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Kjo është shifra më e lartë e të infektuarve, që është regjistruar brenda një dite, tha agjencia e OKB-së.

Zyrtarët saj shprehën shqetësim për situatën e pandemisë në vendet e varfra.

"Na pret një rrugë e gjatë përballjeje me këtë pandemi", tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

"Ne jemi shumë të shqetësuar për rritjen e rasteve në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme", tha ai, raporton Reuters.

Koronavirusi i ri u paraqit për herë të parë në Kinë, në fund të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, deri më tani në tërë botën janë infektuar 4,931,057 persona. Prej tyre, 324,240 kanë vdekur dhe rreth 1,689,334 janë shëruar.

Vendet më të goditura janë: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Brazili dhe Mbretëria e Bashkuar.

Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.

Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.

Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG