Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
18:00 20.5.2020

“Trepça” do të jetë pjesë e pakos së rimëkëmbjes ekonomike, thotë Kurti

Kombinati metalurgjik “Trepça” do të jetë pjesë e pakos së dytë fiskale të rimëkëmbjes ekonomike, ka thënë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite që ka zhvilluar të mërkurën në këtë kombinat.

Sipas një komunikate për media nga zyra e Kurtit, bëhet e ditur se gjatë takimit me menaxhmentin e këtij kombinati, kryeministri në detyrë ka thënë se "tash është koha kur ne do të punojmë në ide konkrete në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe të horizonteve të Trepçës".

“Trepça është organizatë e punëtorëve, pasuri kombëtare por edhe industri prodhuese. Roli i kësaj ndërmarrjeje është përtej ekonomik. Është edhe historik dhe shtetndërtues”, citohet të ketë thënë Kurti.

Miniera e Trepçës, foto na arkivi.
Miniera e Trepçës, foto na arkivi.

“Trepça” llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Në vitet e '80, aty punonin mbi 20 mijë punëtorë. Ndërkaq, vitet e fundit, nuk numëron më shumë se 1 mijë e 300 punëtorë dhe mosha mesatare e tyre është 58 vjeç.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit, kurse sot, nga aty nxirren jo më shumë se 150 mijë tonë xehe.

Por, përveç miratimit të statutit të “Trepçës” si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve i takojnë qeverisë dhe 20 për qind punëtorëve, kjo ndërmarrje nuk arriti të vihen në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të zgjidhë problemet më të cilat përballet ndërmarrja.

Gjatë vitit 2019, ndërmarrja “Trepça” u përball me probleme financiare dhe si rrjedhojë, minatorët nuk i morën pagat me rregull.

Kombinati metalurgjik "Trepça", gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

17:33 20.5.2020

Mbretëria e Bashkuar me plan për gjurmimin e të infektuarve potencialë

Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se më 1 qershor do të hyjë në fuqi një program i gjurmimit të kontakteve të personave që kanë dalë pozitiv në testin e COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Johnson, i cili në muajin prill, ishte shtruar në spital, pasi u infektua me koronavirusin e ri, është kritikuar për trajtimin e tij ndaj pandemisë.

Në fillim të këtij muaji, Johnson shpalli një plan për të lehtësuar masat e izolimit, përmes të cilave është mbyllur pjesa më e madhe e ekonomisë.

Plani parasheh hapjen e shkollave dhe dyqaneve më 1 qershor.

Duke folur në parlament, Johnson tha se qeveria do të rekrutojë 25,000 persona, deri në fillim të muajit të ardhshëm, të aftë për të gjurmuar 10,000 raste në ditë.

Ai tha se përmes këtij programi numri i përgjithshëm i testeve ditore do të kishte arritur në 200,000, raporton Reuters.

Një zëdhënës i Departamentit të Shëndetit dhe Kujdesit Social tha se qeveria "po punonte me ritëm të shpejtë për të zhvilluar shërbimin e testimit dhe gjurmimit, gjë që do të përmirësojë ndjeshëm aftësinë për të gjurmuar virusin dhe për të ndaluar përhapjen".

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, Mbretëria e Bashkuar deri më tani ka regjistruar 250,138 persona të infektuar me koronavirusin e ri.

Prej tyre, 35,422 kanë vdekur.

17:08 20.5.2020

Javën e ardhshme fillon orari i rregullt i punës në Shërbimin Korrektues

Të gjithë punëtorët e Shërbimit Korrektues të Kosovës, do të dalin në punë nga java e ardhshme.

Përmes një njoftimi për media, ky Shërbim ka thënë se i ka ftuar punëtorët që më 26 maj (e martë) të rinisin punën.

“Gjatë paraqitjes në punë, stafi uniformuar dhe ai civil është i obliguar t`i zbatoj rregullat në fuqi për mbrojte nga pandemia e Covid-19”, thuhet në njoftim.

Në njoftim, nuk bëhet e ditur se çfarë ndryshime në orarin e punës janë zbatuar deri më tash, për punëtorët e Shërbimit Korrektues.

Një roje në një burg në Kosovë.
Një roje në një burg në Kosovë.

Më herët, është njoftuar se Shërbimi ka realizuar një plan operativ, sipas të cilit, janë ndërmarrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Autoritetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë bërë të ditur se deri tani, në të gjitha burgjet, nuk ka asnjë rast të konstatuar me COVID-19 nga radhët e të burgosurve.

Testimin e tyre e ka realizuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

16:53 20.5.2020

Bosnje dhe Hercegovinës i shtohen edhe katër raste me koronavirus

Në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar edhe katër raste të reja me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Zlatan Pershiq.

"Aktualisht, 25 pacientë janë shtruar në spital, ndërsa asnjë nuk i vendosur në oksigjenoterapi. Në 24 orët e fundit, 18 persona janë shëruar nga COVID-19", ka thënë Pershiq.

Aktualisht në këtë vend janë 109 raste aktive më koronavirusin e ri.

Deri më tani në Bosnje dhe Hercegovinë janë konfirmuar më shumë se 1 mijë të infektuar, ndërsa numri i viktimave është 37.

Në Republikën Serbe të Bosnjës, gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 14 raste të reja.

Shtetet e Bashkuara, përmes Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), kanë siguruar një 1.2 milion dollarë shtesë për të mbështetur Bosnjë dhe Hercegovinën në luftën kundër pandemisë së COVID-19.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG