Ndërlidhjet

Donald Trump
Donald Trump

Donald Trump zgjidhet presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara

  • Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
  • Ai ka siguruar 295 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t'u shpallur president.
  • Trump është zotuar se do ta "shërojë" kombin, teksa u është drejtuar mbështetësve nga Florida.
  • Në garën e 5 nëntorit ishin demokratja Kamala Harris, aktualisht nënpresidente, dhe republikani Donald Trump, president nga viti 2017 deri më 2021.
  • Zgjedhja e Amerikës do t’i formësojë padyshim politikat globale, në kohën kur bota përballet me tensione në rritje dhe sfida komplekse të sigurisë.
23:25 5.11.2024

A e keni ditur se...

  • Fitues nuk është kandidati që merr më së shumti vota nga populli.
  • Të dy kandidatët konkurrojnë për të fituar garën në të 50 shtetet. Çdo shtet ka një numër të caktuar votash - bazuar kryesisht në numrin e popullsisë - që përbëjnë të ashtuquajturin Kolegj Zgjedhor. Për t’u zgjedhur president, kandidati duhet t’i sigurojë së paku 270 vota nga gjithsej 538 sa ka Kolegji Zgjedhor.
  • Është e mundur që një kandidat të fitojë më shumë vota në nivel kombëtar - si për shembull Hillary Clinton në vitin 2016 - por prapë të mos jetë fitues.
  • Vëmendja më e madhe shkon te presidenti i ardhshëm, por në këto zgjedhje qytetarët votojnë edhe për anëtarët e rinj të Kongresit - institucionit ku miratohen ligjet.
  • Kongresi përbëhet nga Dhoma e Përfaqësuesve, ku të 435 vendet janë në garë, dhe Senati, prej të cilit 34 vende janë në garë.
  • Aktualisht, republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa demokratët Senatin.
  • Zakonisht, fituesi i zgjedhjeve presidenciale shpallet natën e zgjedhjeve, por në vitin 2020 janë dashur disa ditë për t’i numëruar të gjitha votat.
  • Më shumë se 82 milionë njerëz votuan para ditës së zgjedhjeve dhe sondazhet sugjerojnë se gara për Shtëpinë e Bardhë është kokë më kokë.
23:43 5.11.2024

Çfarë thonë exit poll-et e para?

Exit poll-et në SHBA nuk parashikojnë drejtpërdrejt rezultatin e zgjedhjeve, por krijojnë një pasqyrë të opinioneve dhe motivimeve të votuesve.

CBS raporton se gjendja e demokracisë dhe ekonomia kanë qenë çështjet kryesore për të gjithë votuesit.

Nga ata që votuan për Harrisin:

  • Gati gjashtë në 10 persona e renditën gjendjen e demokracisë si çështjen e tyre numër një;
  • Rreth një në pesë persona e renditi abortin si numër një;
  • Pak më shumë se një në 10 zgjodhi ekonominë.

Nga ata që votuan për Trumpin:

  • Gjysma thanë se ekonomia ishte çështja e tyre numër një;
  • Një në pesë tha se migracioni ishte çështja kryesore;
  • Pak më shumë se një në 10 persona tha se rendit gjendjen e demokracisë si çështjen numër një.
Një qendër votimi në Kaliforni.
Një qendër votimi në Kaliforni.

00:19 6.11.2024

Nis mbyllja e vendvotimeve në disa shtete

Qendrat e para të votimit në SHBA janë mbyllur tashmë në shtetet e Indianës dhe Kentakit.

Të fundit do të mbyllen në orën 01:00, që me orën e Kosovës i bie 07:00, më 6 nëntor.

Një votues në Indiana.
Një votues në Indiana.

00:39 6.11.2024

Parregullsitë që u raportuan në zgjedhje

Në shtetin juglindor të Xhorxhias, dy qendra votimi u evakuuan për rreth 30 minuta, për shkak të kërcënimeve me bomba, të cilat, sipas FBI-së, duket se u bënë nga domenet ruse.

FBI-ja tha se qendrat e votimit në disa shtete ishin cak i kërcënimeve, të cilat autoritetet i konsideruan si jo të besueshme.

Qysh më herët, zyrtarët amerikanë të inteligjencës dhe sigurisë akuzuan Rusinë dhe Iranin për shtimin e sulmeve kibernetike dhe të fushatave të dezinformimit, me synimin për të shkaktuar përçarje në zgjedhje.

Ndërtesa e Kongresit amerikan
Ndërtesa e Kongresit amerikan

Në Uashington, policia arrestoi një burrë që u përpoq të hynte në ndërtesën e Kongresit me pistoletë.

Policia tha se burri u ndalua gjatë kontrollit të sigurisë në Qendrën e Vizitorëve të Kongresit.

Në shtetin e Pensilvanisë, vëzhguesit republikanë të votimeve thanë se nuk u lejuan të hynin në disa qendra votimi, por çështja më vonë u rregullua.

Disa probleme teknike në Illinois dhe Kentaki i vonuan gjithashtu votimet, por edhe këto çështje u rregulluan shpejt.

Shiu i furishëm në Misuri shkaktoi përmbytje që e bënë vështirë të arritshëm një vendvotim në zonën e Shën Luisit dhe ndërprenë energjinë elektrike në një tjetër.

Zyrtarët zgjedhorë thanë se përdorën gjeneratorë për të vazhduar operacionet zgjedhore.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG