Ndërlidhjet

Donald Trump
Donald Trump

Donald Trump zgjidhet presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara

  • Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
  • Ai ka siguruar 295 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t'u shpallur president.
  • Trump është zotuar se do ta "shërojë" kombin, teksa u është drejtuar mbështetësve nga Florida.
  • Në garën e 5 nëntorit ishin demokratja Kamala Harris, aktualisht nënpresidente, dhe republikani Donald Trump, president nga viti 2017 deri më 2021.
  • Zgjedhja e Amerikës do t’i formësojë padyshim politikat globale, në kohën kur bota përballet me tensione në rritje dhe sfida komplekse të sigurisë.
14:18 6.11.2024

Fitorja e Trumpit është duke u përgëzuar nga liderë prej të gjitha anëve të botës. Ja disa:

  1. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan: Përgëzoj mikun tim, Donald Trump, që është zgjedhur edhe një herë president, pas një gare të madhe në zgjedhje. Në këtë epokë të re, që do të nisë me zgjedhjet e bëra nga populli amerikan, shpresoj që lidhjet turko-amerikane të forcohen, të përfundojnë krizat rajonale dhe globale.
  2. Kryeministri i Indisë, Narendra Modi: Urimet më të përzemërta mikut tim për këtë fitore historike. Teksa jeni ngritur nga suksesi i mandatit të kaluar, mezi pres të rikthej bashkëpunimin, për të forcuar partneritetin strategjik mes Indisë dhe SHBA-së. Së bashku, le të punojmë për vende më të mira për popujt tanë, dhe të promovojmë paqen globale dhe stabilitetin”.
  3. Mbreti Salman i Arabisë Saudite dhe princi i kurorës, Mohammed bin Salman, e kanë uruar Trumpin për fitore, ka thënë shkurt agjencia shtetërore saudite.
  4. Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula Da Silva: Përgëzoj presidentin Trump për fitore. Demokracia është zëri i njerëzve dhe duhet respektuar gjithmonë. Bota ka nevojë për dialog dhe punë të përbashkët për të pasur më shumë paqe dhe zhvillim.
13:48 6.11.2024

Ndikimi i fitores së Trumpit në Ballkanin Perëndimor

Cody McClain Brown, profesor në Universitetin e Zagrebit, me prejardhje nga Oklahoma, i ka thënë Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se, sa i përket Ballkanit, gjithçka do të varet se çfarë politika do të çojë përpara Trumpi për rajonin.

“Nëse Rusia tenton të ushtrojë ndikimin e tij më shumë në Serbi dhe Mal të Zi, atëherë ka mundësi që situata në Bosnje-Hercegovinë të jetë më pak stabile. Sa i përket Kosovës, pozicioni i tij do të mund të jetë ende pezull. Ndoshta ai mund të mbështesë Serbinë në rimarrjen e Kosovës, por është e vështirë të dihet, sepse ai nuk i shfaq shumë mendimet e tij për këto gjëra. Pikëpamja e tij, Amerika e Para duket se është edhe Amerika e Para për Trumpin, apo mund të nënkuptoj edhe Trump i pari, prandaj varet se ku i sheh interesat e veta, dhe kjo është shqetësuese për pjesën tjetër të botës”.

Cody McClain Brown.
Cody McClain Brown.

Sipas profesorit, ndoshta nën Trumpin, “SHBA-ja nuk do të jetë e interesuar për pozitën e vet në Ballkan, dhe do ta lejojë Kinën apo Rusinë të lëvizin dhe ta destabilizojnë situatën”.

“Nëse Serbia trimërohet përmes përkushtimit të Rusisë ndaj Serbisë, dhe nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë të interesuara të mbrojnë Kosovën, dhe zhvendoset kampi Bondsteel ose diçka të tillë, atëherë ndoshta ajo do ta rimerrte atë [Kosovën]. Me Trumpin nuk i dihet, sepse nuk dihet çfarë i intereson atij. Edhe pse gruaja e tij është nga Ballkani, nuk i duket shumë interesant”.

Kosova ka gëzuar përkrahjen e SHBA-së, ndër vite, pavarësisht kush ka qenë në krye të saj.

Administrata aktuale ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë si një kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Trumpi, sa ishte president, ishte dëshmitar i nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Megjithatë, Richard Grenell, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësuesi amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, shtyu përpara marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, të cilën Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton ashpër.

13:18 6.11.2024

Gëzim te republikanët, ankth te demokratët

Votuesit në Uashington u mblodhën në vende publike në orët e vona të 5 nëntorit, për të shikuar publikimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale.

Teksa votat ende po numëroheshin, republikanët festonin në një tubim, ndërsa demokratëve ngadalë po u humbnin shpresat për fitore.

13:04 6.11.2024

Trump, 78-vjeçar, tashmë fitues i zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, është figura më e moshuar që ka fituar një proces të tillë zgjedhor në Shtetet e Bashkuara.

Ai është i pari edhe për faktin që është përballur me dy procese gjyqësore, pa harruar edhe faktin që është zyrtari i parë ndonjëherë që ka qenë president amerikan, dhe është ndëshkuar me dënim penal.

Për çka tjetër është “i pari”?

E kuptoni në këtë material:

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG