Qendrat e votimit u mbyllën në më shumë se 40 shtete
Nga 50 shtetet e SHBA-së, ku u zhvilluan zgjedhjet presidenciale, qendrat e votimit u mbyllën në më shumë se 40 prej tyre, përfshirë Qarkun e Kolumbias.
Deri më tani, Harris dhe Trump siguruan fitore në shtetet ku pritej.
Rezultati përfundimtar do të varet nga shtatë shtetet e papërcaktuara: Pensilvania, Xhorxhia, Karolina e Veriut, Miçigani, Arizona, Uiskonsini dhe Nevada.
Qendrat e fundit të votimit do të mbyllen në 01:00, që me orën e Kosovës i bie 07:00, më 6 nëntor.
Në pritje të rezultateve nga shtetet e papërcaktuara
Gjysma e shteteve në SHBA i shpallën rezultatet në përputhje me parashikimet, por ato nuk janë ende të qarta në shtetet e papërcaktuara.
Siç pritej, Trump u shpall fitues në: Alabama, Arkansas, Florida, Indiana, Kentaki, Luiziana, Misisipi, Misuri, Montana, Nebraska (dy qarqe), Ohajo, Oklahoma, Karolinë e Jugut, Dakotë e Jugut, Tenesi, Teksas, Jutah, Uest Virxhinia dhe Uajoming.
Harris, gjithashtu siç pritej, u shpall fituese në: Kolorado, Konektikat, Dellauer, Illinois, Merillend, Masçusets, Nju Hempshir, Nju Xhërsi, Nju Jork, Rod Ajllënd dhe Vermont.
Rezultatet mbeten ende të paqarta në shtetet e papërcaktuara si: Arizona, Karolina e Veriut, Xhorxhia, Miçigani, Nevada, Pensilvania dhe Uiskonsini.
Tregjet botërore të aksioneve shënojnë rritje
Derisa investitorët po monitorojnë nga afër rezultatet e zgjedhjeve në SHBA, indekset standarde të aksioneve në Japoni dhe Australi shënuan rritje të mërkurën në mëngjes.
Dollari amerikan, ndërkaq, ishte më lart kundrejt monedhave të tjera kryesore.
Rezultati i zgjedhjeve pritet të ketë ndikim të madh në ekonominë globale, veçanërisht në Azi.
Por, nuk është ende e qartë nëse rezultati i zgjedhjeve do të dihet gjatë orarit të tregtimit në Azi, pasi numërimi i votave në shtetet e papërcaktuara mund të marrë disa ditë kohë.
Pse ka rëndësi gara për Senatin?
Përveç kandidatëve për president, Donald Trump dhe Kamala Harris, në garë është edhe një e treta e Senatit amerikan, apo 34 nga 100 vendet e tij.
Demokratët kontrollojnë aktualisht Dhomën e Sipërme të Kongresit me një vend të vetëm, të cilin e kanë shfrytëzuar në mënyrë efektive për të kaluar ligje të administratës së presidentit Joe Biden.
Nëse Trump fiton sonte, republikanët do ta rimarrin Senatin duke fituar vetëm një vend dhe duke mos humbur asnjë.
Nëse Harris fiton, republikanët do ta rifitojnë shumicën e Senatit, duke fituar dy vende të reja.
Kontrolli i Senatit do t’u jepte atyre fuqi për të bllokuar ose përmbysur një pjesë të madhe të agjendës teorike të Harrisit.