00:19
6.11.2024
Nis mbyllja e vendvotimeve në disa shtete
Qendrat e para të votimit në SHBA janë mbyllur tashmë në shtetet e Indianës dhe Kentakit.
Të fundit do të mbyllen në orën 01:00, që me orën e Kosovës i bie 07:00, më 6 nëntor.
23:43
5.11.2024
Çfarë thonë exit poll-et e para?
Exit poll-et në SHBA nuk parashikojnë drejtpërdrejt rezultatin e zgjedhjeve, por krijojnë një pasqyrë të opinioneve dhe motivimeve të votuesve.
CBS raporton se gjendja e demokracisë dhe ekonomia kanë qenë çështjet kryesore për të gjithë votuesit.
Nga ata që votuan për Harrisin:
- Gati gjashtë në 10 persona e renditën gjendjen e demokracisë si çështjen e tyre numër një;
- Rreth një në pesë persona e renditi abortin si numër një;
- Pak më shumë se një në 10 zgjodhi ekonominë.
Nga ata që votuan për Trumpin:
- Gjysma thanë se ekonomia ishte çështja e tyre numër një;
- Një në pesë tha se migracioni ishte çështja kryesore;
- Pak më shumë se një në 10 persona tha se rendit gjendjen e demokracisë si çështjen numër një.
23:25
5.11.2024
A e keni ditur se...
- Fitues nuk është kandidati që merr më së shumti vota nga populli.
- Të dy kandidatët konkurrojnë për të fituar garën në të 50 shtetet. Çdo shtet ka një numër të caktuar votash - bazuar kryesisht në numrin e popullsisë - që përbëjnë të ashtuquajturin Kolegj Zgjedhor. Për t’u zgjedhur president, kandidati duhet t’i sigurojë së paku 270 vota nga gjithsej 538 sa ka Kolegji Zgjedhor.
- Është e mundur që një kandidat të fitojë më shumë vota në nivel kombëtar - si për shembull Hillary Clinton në vitin 2016 - por prapë të mos jetë fitues.
- Vëmendja më e madhe shkon te presidenti i ardhshëm, por në këto zgjedhje qytetarët votojnë edhe për anëtarët e rinj të Kongresit - institucionit ku miratohen ligjet.
- Kongresi përbëhet nga Dhoma e Përfaqësuesve, ku të 435 vendet janë në garë, dhe Senati, prej të cilit 34 vende janë në garë.
- Aktualisht, republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa demokratët Senatin.
- Zakonisht, fituesi i zgjedhjeve presidenciale shpallet natën e zgjedhjeve, por në vitin 2020 janë dashur disa ditë për t’i numëruar të gjitha votat.
- Më shumë se 82 milionë njerëz votuan para ditës së zgjedhjeve dhe sondazhet sugjerojnë se gara për Shtëpinë e Bardhë është kokë më kokë.
23:04
5.11.2024
Harta zgjedhore në kohë reale