Ndërlidhjet

SHBA i sheh si kërcënim aktivitetet raketore të Koresë Veriore


Fotografi e lëshuar nga zyrtarët verikoreanë, sipas të cilëve në pamje shihen momente të testimit të raketave me rreze të gjatë veprimi. Shtator, 2021.
Fotografi e lëshuar nga zyrtarët verikoreanë, sipas të cilëve në pamje shihen momente të testimit të raketave me rreze të gjatë veprimi. Shtator, 2021.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka thënë se testimet raketore të kryera nga Koreja Veriore gjatë fundjavës, përbëjnë “kërcënime” për fqinjët e këtij shteti, por edhe më tej.

“Ky aktivitet vë në pah fokusin e vazhdueshëm të Koresë Veriore në zhvillimin e programit të saj ushtarak dhe për kërcënimet që vijnë nga këto sulme, si për fqinjët, ashtu edhe për komunitetin ndërkombëtar”, ka thënë komanda amerikane për Indo-Paqësor përmes një deklarate.

Koreja Veriore ka thënë më herët se, përgjatë fundjavës ka kryer testime të sukeseshme të raketave me rreze të gjatë veprimi.

Ky njëherësh është aktiviteti i parë i tillë që është raportuar nga verikoreanët në muajt e fundit.

Agjencia Qendrore e Lajmeve Koreane, ka thënë më 13 shtator se raketat kanë goditur me sukses shënjestrat në largësi prej 1,500 kilometrash, në testimet e kryera më 11 dhe 12 shtator, dhe më pas raketat është raportuar të kenë rënë në ujërat territorialë të shtetit.

Ushtria e Koresë së Jugut nuk ka konfirmuar menjëherë testimet verikoreane.

Phenjani ka përshkruar raketat e reja si “armë strategjike me ndikim të madh”, që lidhen me thirrjet e mëhershme të liderit verikorean, Kim Jong Un, për të forcuar kapacitetet ushtarake të këtij shteti.

Ai po ashtu ka thënë se raketat kanë qenë duke u zhvilluar në dy vjetët e fundit.

Ky ka qenë lansimi i parë i raketave nga Koreja Veriore, prej kur kjo e fundit ka testuar raketa me rreze të shkurtër veprimi në muajin mars.

Koreja Veriore ka kryer edhe testime të raketave vetëm disa orë pasi presidenti amerikan, Joe Biden ka marrë pozitën në Shtëpi të Bardhë, në muajin janar.

Këto testime tregojnë se si Koreja Veriore vazhdon të rrisë kapacitetet ushtarake ndërkohë që negociatat bërthamore me Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Bisedimet janë bllokuar prej dështimit të samitit në mes të ish-presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit verikoren, Kim, më 2019.

Administrata Trump ka kundërshtuar kërkesën e Koresë Veriore për heqje të sanksioneve në këmbim të dorëzimit të një pjesë të kapacitetit bërthamor.

Qeveria e Kimit ka refuzuar ofertat e administratës Biden për të rinisur dialogun.

Administrata e Bidenit ka thënë se është e hapur për diplomaci, me qëllim të çarmatosjes së Gadishullit Korean, mirëpo nuk ka treguar gatishmëri për të hequr sanksionet.

Sung Kim, i dërguari amerikan për Korenë Veriore, ka thënë në muajin gusht se është i gatshëm të takohet me zyrtarë verikoreanë, “kudo dhe në çdo kohë”.

Testimet raketore janë kryer një ditë përpara se të realizohet një takim në Tokio në mes të negociatorëve nga Shtetet e Bashkuara, Koreja Jugore dhe Japonia, për të diskutuar mënyra si mund të thyhet bllokada.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, pritet që të vizitojë Seulin më 14 shtator për të diskutuar me homologun e tij.

Lansimet e fundit kanë ardhur vetëm disa ditë pas mbajtjes së paradës ushtarake në Phenjan, për të shënuar përvjetorin e 73-të të krijimit të shtetit komunist.

Përgjatë paradës nuk janë prezantuar raketa balistike, megjithatë, disa punëtorë janë parë me veshje speciale, çka ka lënë të kuptohet se mund të jetë krijuar forcë speciale për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se nga 19 gushti, Koreja Veriore nuk ka regjistruar asnjë rast të infektimit me koronavirus, ndonëse kritikët besojnë se diçka e tillë është pak e mundshme.

Ky shtet ka mbyllur kufijtë në janar të vitit 2020 për ta luftuar pandeminë, duke i shkaktuar tregtisë me Kinën dëm të konsiderueshëm.

Prej atëherë, Kim e ka pranuar se shteti përballet me mungesë të ushqimeve.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG