Ndërlidhjet

Koreja Veriore akuzon Bidenin për politikë armiqësore


Presidenti amerikan Joe Biden.
Presidenti amerikan Joe Biden.

Koreja Veriore ka kritikuar administratën e presidentit amerikan Joe Biden, e cila po përgatitet që të prezantojë strategjinë ndaj Phenjanit dhe programit të tij bërthamor.

Ministria e Jashtme verikoreane ka thënë se komentet e fundit të Uashingonit kanë treguar se presidenti Biden synon të zbatojë “politika armiqësore” ndaj këtij shteti.

Më herët gjatë kësaj jave, Biden e ka konsideruar programin bërthamor të Koresë Veriore si “kërcënim serioz” për sigurinë globale.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se planifikon qasje të “kalibruar” ndaj Koresë Veriore.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki ka thënë të premten se procesi i rishikimit të politikës amerikane ka përfunduar dhe ka sugjeruar se Biden ka mësuar nga përvojat e administratave të kaluara, të cilat kanë tentuar, por kanë dështuar që ta bëjnë Korenë Veriore të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore.

“Politika jonë nuk do të fokusohet në arritjen e një marrëveshjeje të madhe dhe as në strategji me bazë durimi”, ka thënë ajo, duke shtuar se SHBA-ja do të krijojë qasje “të kalibruar, e cila është e hapur dhe do të jetë në kërkim të diplomacisë” me Korenë Veriore, ndërkohë që bën “përparim praktik” në rritjen e sigurisë për SHBA-në dhe aleatët e saj.

Shtetet e Bashkuara pritet të mirëpresin këshilltarët për siguri kombëtare të Japonisë dhe Koresë Jugore, për të diskutuar qasjen e autoriteteve amerikane ndaj Koresë Veriore.

Në një deklaratë të lëshuar nga media shtetërore të dielën, Ministria e Jashtme verikoreane i ka quajtur komentet e Bidenit për programin bërthamor – në një fjalim në Kongres këtë javë – si të patolerueshme dhe të gabueshme.

Lideri verikorean Kim Jong Un.
Lideri verikorean Kim Jong Un.

Në një tjetër deklaratë të kësaj ministrie është thënë se komentet paraprake, përmes së cilave është kritikuar gjendja e të drejtave të njeriut në Korenë Veriore, ka ofenduar dinjitetin e liderit verikoren Kim Jong-un, dhe ka treguar se SHBA-ja “është duke hyrë vetë në një përballje gjithëpërfshirëse”.

Teksa ka shënuar 100 ditët e tij si president, Biden ka thënë para Kongresit se programi bërthamor i Koresë Veriore, bashkë me Iranin, “përbëjnë kërcënim për sigurinë amerikane dhe sigurinë në botë”.

“Ne do të punojmë nga afër me aleatët tanë për të adresuar këto kërcënime që vijnë nga këto dy shtete, qoftë përmes diplomacisë, por edhe parandalimit të rreptë”, ka thënë mes tjerash Biden.

Ende nuk është bërë e qartë se cilave komente për të drejta të njeriut u është referuar Phenjani, mirëpo e përditshmja amerikane Washington Post ka raportuar se Shtëpia e Bardhë pritet të emërojë një të dërguar special për të drejta të njeriut në Korenë Veriore.

Uashingtoni ka thënë se ka tentuar të ketë kontakt diplomatik me Korenë Veriore prej mesit të muajit shkurt.

Autoritetet amerikane nuk u kanë kushtuar shumë rëndësi testimeve që u kanë bërë verikoreanët raketave të tyre me rreze të shkurtër, duke thënë se një gjë e tillë është pjesë e “aktivitetit ushtarak normal”.

Deri më tani, Phenjani nuk e ka pranuar Joe Bidenin si president të SHBA-së.

Biden e pati quajtur Kimin “bandit” gjatë fushatës zgjedhore dhe ka thënë se çarmatimi bërthamor i Koresë Veriore duhet të ndodhë para se të hiqen sanksionet amerikane dhe ato të Kombeve të Bashkuara për këtë shtet.

Pak para se të niste Biden punën në Shtëpinë e Bardhë, Kim ka mbajtur një fjalim duke e quajtur SHBA-në si “armiken kryesore” të vendit të vet, si dhe ka bërë të ditura planet për të zgjeruar arsenalin bërthamor.

Megjithatë, ai nuk pati hedhur poshtë mundësinë e diplomacisë.

Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, ka qenë presidenti i parë amerikan që ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Kimin – duke e takuar tri herë.

Por të dy kanë dështuar që të arrijnë marrëveshje për dhënie fund të programit bërthamor apo sanksioneve.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG