Koreja e Veriut ka mbajtur një paradë për të shënuar 73 vjetorin e themelimit të republikës, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.
Në ceremoninë që u mbajt në sheshin Kim Il Sung të kryeqytetit Phenian ka marrë pjesë edhe udhëheqësi, Kim Jong Un.
Në të kaluarën, Koreja e Veriut i ka përdorur paradat ushtarake për të shfaqur sisteme të reja të armatimit dhe raketave.
Kësaj rradhe, në bazë të fotografive të publikuara, nuk është parë ndonjë sistem i ri ushtarak në paradë.
Ekspertët për situatën në Korenë e Veriut vunë re se Kim Jong Un kishte humbur peshë, por dukej më i shëndetshëm.
Për shumë vjet ka pasur informacione të ndryshme për shëndetin e udhëheqësit 37-vjeçar, i cili njëjtë sikurse vendi që e udhëheq, është i mbuluar me mister.
“Është e habitshme se sa i shëndetshëm po duket Kim Jong Un në këto fotografi të djeshme”, shkroi Martyn Williams, një ekspert i Koresë së Veriut në Qendrën Stimson me qendër në Uashington, në Twitter.
Në qershor, mediat shtetërore publikuan pamjet e Kim Jong Un pasi ai u zhduk nga publiku për disa javë. Në ato pamje ai dukej se kishte humbur peshë.