Ka më shumë se dy vjet që B.G,[emër i njohur për redaksinë], një burrë 40 vjeç nga Prishtina që çdo të dytën ditë i nënshtrohet procesit të dializës në Prishtinë, pasi që atij nuk i funksionon asnjëra veshkë.
Dializa është proces i pastrimit të gjakut nga lëndët e dëmshme në trupin e njeriut.
B.G thotë se nga mosfunksionimi i veshkave ai ka probleme të mëdha shëndetësore.
"Çdo të dytën ditë duhet të bëj dializë nga katër orë. Herë jam mirë e herë më keq. Kjo është jetë me aparat. Kushtet jo të mira socio-ekonomike e rrisin edhe më shumë sëmundjen. Kur nuk mund t'i blesh barnat, të cilat i cakton mjeku, se janë të shtrenjta, e i merr zëvendësim që janë më të lira, e ato nuk të ndihmojnë", thotë ai.
B.G para pak kohe i ka marrë të gjitha rekomandimet dhe referimet nga mjekët në Qendrën Klinikën Universitare të Kosovës dhe po kryen të gjitha procedurat e nevojshme për të bërë transplantimin e veshkës. Një anëtar i familjes së tij ka shprehur vullnetin që t'ia dhurojë njërën veshkë.
"Personalisht, nuk mund të paramendoj se do të plakem kështu. Më besoni se as nuk mund të fle rehat, as nuk mund të ha ushqime normal dhe më ka shkaktuar nervozë të madhe", tregon ai.
Në Klinikën e Nefrologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë, se janë rreth 900 pacientë në të gjithë Kosovën, të cilët i nënshtrohen shërbimit për dializë, kryesisht në Prishtinë.
Kostot e larta për transplantim të organeve
Kosova nuk ka ligj që rregullon çështjen e transplantimit të organeve. Transplantimi, i cili bëhet jashtë Kosovës, i kushton edhe shtetit të Kosovës, por edhe vetë pacientit.
Pacientët, të cilët kanë nevojë për këtë operacion i ndihmon shteti deri në 70 për qind të pagesës, kurse pjesa tjetër duhet të sigurohet nga vetë pacienti apo ndonjë donator.
Vetëm procedura e operimit për transplantimin e veshkës, sipas mjekëve në Kosovë, por edhe përvojave të pacientëve, kushton më shumë se 25 mijë euro, pa përfshirë shpenzimet tjera për gjetjen e dhuruesit dhe procedurat e tjera.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore bën të ditur se gjatë vitit 2020 për transplantim të veshkave jashtë Kosovës ka pranuar 17 raste, ndërsa gjatë vitit 2021, kanë aplikuar 23 persona.
Rrjedhimisht, gjatë vitit 2020, ky fond ka shpenzuar 212.000 euro, ndërsa gjatë vitit 2021, 287.000 euro.
Drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë, Mimoza Ukimeraj, thotë se aktualisht në Kosovë janë 110 pacientë që kanë bërë transplantime të veshkave jashtë vendit, prej tyre 77 janë burra dhe 33 gra, kurse janë afër njëmijë pacientë nga Kosova, të cilët marrin shërbime të dializës.
Ky shërbim, sipas informatave nga QKUK-ja, i kushton buxhetit të Kosovës mbi nëntë milionë euro në vit.
"Në rast se bëhet transplantimi i veshkave në Kosovë, e para e lehtëson klinikën dhe e dyta është shumë me rëndësi se pacientëve u rregullohet jeta, rregullohet kualiteti i jetës së pacientit, sepse i merr vetëm imuno-supresorët dhe nuk varet nga aparati. Mund të punojnë, mund të martohen, të krijojnë familje e të tjera", thotë doktoresha Ukimeraj.
Stafi i përgatitur, por mungon baza ligjore?
Mjekët thonë se, aktualisht, në Kosovë mund të kryhen transplantimet e indeve dhe qelizave, derisa ato të veshkave dhe organeve tjera nuk mund të bëhen deri në miratimin e një ligji përkatës nga Kuvendi i Kosovës.
Në Komisionin për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës thonë se është duke u punuar për këtë çështje.
Kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Kollçaku, nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pasi të bëhen plotësim-ndryshime në Ligjin aktual ekzistues për shëndetësi, do të krijohet baza për të vazhduar punën në hartimin e ligjit në fjalë.
"Bazuar në nevojën dhe kërkesat që janë për transplantim të organeve, siç është për shembull një transplantim i veshkës që nuk është një procedurë tashmë e komplikuar, sepse në shumë shtete ajo kryhet pa problem, mendoj se institucionet tona publike dhe stafi profesionist janë të përgatitur, mirëpo paraprakisht mund të krijohet baza ligjore", shprehet Kollçaku.
Specialisti i urologjisë, Fahredin Veselaj, konsideron se transplantimi i veshkave vazhdon të jetë një çështje problematike për Kosovën. Ai mendon se për të arritur deri te nxjerrja e ligjit duhet një pajtim ndërmjet disa institucioneve dhe, po ashtu, sipas tij, duhet një vullnet i institucioneve për ta zhvilluar këtë fushë të mjekësisë.
Megjithatë, Veseli konsideron çështja e transplantimit është komplekse.
"Kosova ka kapacitet, pasi ka mjekë shumë të mirë në kuptimin e operacionit teknik sovran. Megjithatë, problemi është shumë më kompleks dhe për momentin nuk e ka kuadrin e nevojshëm. Por, një kuadër i tillë do të mund të përgatitej me një fokusim të institucioneve shtetërore duke e bërë prioritet këtë problematikë. Do të thotë, pa u krijuar baza ligjore mendoj se nuk mund të ketë iniciativë të tjera ", tha Veselaj.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një përgjigje nga kabineti i ushtrueses së detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, për të parë se a është në plan të Ministrisë së Shëndetësisë që të krijohet baza ligjore për transplantime të organeve, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ministrja nuk është përgjigjur.
Facebook Forum