Ndërlidhjet

Hemodializa në Ferizaj, me kushte të mira


Ilustrim
Ilustrim
Reparti i hemodializës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjendet në katin e pestë dhe kjo shkakton telashe të mëdha për pacientët.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se në bazë të të gjitha standardeve ndërkombëtare, ky repart duhet të jetë i vendosur në katin përdhese, nisur nga fakti se pacientët janë kryesisht të lidhur për karrocë ose shtrat.

Sipas tyre, shpeshherë ka ndodhur që familjarët t'i bartin pacientët në krahë, deri në katin e pestë për shkak të mungesës së rrymës apo edhe defekteve të ashensorit.

Por pacientët e Ferizajt që kanë nevojë për hemodializë, nuk e kanë këtë problem. Ata gjenden në katin përdhese dhe në katin e parë, për ata pacientë që mund të ecin.

Hysen Pira, pacient, i cili merr shërbime të hemodializës, thotë se spitali i Ferizajt. krahasuar me repartin e hemodializës në Qendrën Klinike Universitare, është shumë më i mirë.

“Shërbimet janë shumë të mira. S’kemi ankesa. Këtu kujdesen për ne edhe më mirë se në Prishtinë. Unë 16 vjet kam jetuar në Prishtinë dhe kam marrë shërbime edhe atje. Por, brenda mundësive që kanë këtu në spitalin e Ferizajt, në Repartin e hemodializës, kujdesen shumë mirë për pacientë”, shprehet ai.

Mufail Hasani internist, njëherësh shef i Repartit të hemodializës në spitalin e Ferizajit, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i pacientëve që trajtohen në këtë repart është rreth 50.

Sipas tij tashmë edhe pacientët nga Kaçaniku, të cilët kanë marrë shërbime në spitalin e Gjilanit, do të mund t’i marrin shërbimet e hemodializës në Ferizaj.

“Në Repartin e hemodializës e kemi kompletuar numrin e pacientëve të cilët i takojnë regjionit të Ferizajt. Pra, kemi marrë edhe pacientët e Kaçanikut, e që këtë shërbim të dializës e kanë marrë në Gjilan. Numri i përgjithshëm i pacientëve është 50 dhe këtu kryhen të gjitha intervenimet që janë të nevojshme gjatë procesit të dializimit të pacientëve. Probleme të natyrave të ndryshme ka, por janë të tejkalueshme. Këtë javë kemi marrë pacientët nga Kaçaniku”, bën të ditur Hasani.

Edhe pacienti tjetër Qëndrim Kastrati, 24 vjeç, i cili në kohën kur po intervistohej, merrte shërbimin e hemodializës, thotë se kushtet në këtë repart janë shumë të mira.

“Unë jam nga Kaçaniku. Tash kam filluar t’i marr shërbimet këtu. Këtu është shumë më mirë, në krahasim me Gjilanin. Për rreth katër muaj e marr këtë shërbim. Gjilanin nga Kaçaniku e kam pasur shumë larg, derisa arrija në spital veç ia nisnin dhimbjet. Këtu, njëherë për njëherë shumë mirë”, shprehet Qëndrimi.

Edhe sa i përket furnizimi me barna dhe material shpenzues, Mufail Hasani thotë se qëndrojnë mirë.

“Barnat na i siguron Ministria e Shëndetësisë dhe sa i përket materialit shpenzues, nuk kemi mungesa, gjithashtu, dhe çdo gjë është në rregull”, deklaron Hasani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG