LDK: Seanca e sotme ishte maskaradë
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me t’u shtyrë seanca e sotme e jashtëzakonshme për ekipin negociator, janë futur në sallën e Kuvendit ku kanë qëndruar për disa minuta. Më pas, janë paraqitur në hollin e Kuvendit, ku shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se “seanca e sotme ishte një maskaradë”.
Ai tha se Qeveria me këtë ekip negociator po bëhet pjesë e projektit të presidentit Hashim Thaçi, si tha ai, “për ndarjen e Kosovës”.
LDK me mbështetjen e dy partive tjera opozitare, kanë thirrur po ashtu seancë të jashtëzakonshme në të cilën është kërkuar miratimi i një rezolute kundër, siç është thënë, “angazhimeve të Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
Kuvendi nuk nis seancën në kohën e paraparë
Kuvendi i Kosovës nuk ka filluar seancën e paraparë për në orën 14:00, për të votuar ekipin negociator të emëruar nga Qeveria e Kosovës.
Zyrtarët e partive politike të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, kanë thënë se ende janë në konsultime lidhur me mënyrën e vazhdimit të seancës.
Opozita kërkon nisjen e seancës së thirrur nga ta
Partitë politike opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Alternativa, i kanë bërë thirrje kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli që sa më parë të thërrasë seancën e kërkuar nga opozita lidhur me deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për ndryshimin e kufijve, me qëllim që të miratohet rezoluta e kërkuar.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se seanca e partive në pushtet, e cila ende nuk ka rinisur, po shtyhet qëllimisht nga kryetari i Kuvendit, me qëllim që, siç tha ai, “Hashim Thaçit t’i mundësohet shkuarja në Bruksel” pa marrë parasysh një rezolutë të mundshme në Kuvend, që ia ndalon atij të flas për ndryshimin e kufijve të Kosovës.
Presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq pritet të zhvillojnë raundin e ri të bisedimeve, më 7 shtator në Bruksel.
E paqartë se a do të ketë vazhdim të seancës
Disa deputetë të partive në pushtet, duke përfshirë edhe ata nga Lista Serbe, pasi janë futur në sallën e Kuvendit, kanë dalë sërish.
Kuvendi i Kosovës ende nuk ka njoftuar për vonesën e fillimit të seancës së jashtëzakonshme apo shtyrjes së saj.
Facebook Forum