Ekipi negociator pret miratimin e Kuvendit
Me kërkesë të Qeverisë, Kryesia e Kuvendit ka caktuar seancë të jashtëzakonshme për miratimin e përbërjes së ekipit negociator për dialogun me Serbinë.
Në krye të këtij ekipi është propozuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh kryetar i Partisë Nisma Socialdemokrate.
Zëvendëskryesues do të jetë zëvendëskryeministri tjetër, Enver Hoxhaj, ndërsa anëtarë do të jenë: Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi e Mahir Yagcillar.
Qeveria ka kërkuar që edhe partitë opozitare të caktojnë nga një përfaqësues në këtë ekip.
LDK nuk merr pjesë në seancën e thirrur nga kryeministri Haradinaj
Lidhja Demokratike e Kosovës, pas konsultimeve me grupet tjera opozitare, nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 9:00 të Kuvendit të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se thirrja e kësaj seance është përpjekje për të prishur seancën e orës 10:00, për të cilën kishte pajtim dhe mbështetje për rezolutën e forcave politike në opozitë, e cila thekson se territori i Kosovës është një dhe i pandashëm.
Sipas tij, partitë në pushtet "janë bërë pjesë e planeve të Presidentit Hashim Thaçi për të bërë pazar me territorin e Republikës së Kosovës".
Haradinaj: Opozita nuk do dëshiron ta ruajë territorin
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për mospjesëmarrjen në seancën e jashtëzakonshme nga partitë opozitare.
Ai ka thënë se ata nuk dëshirojnë ta ruajnë territorin e vendit.
“Është e pakuptueshme mospjesëmarrja e tyre. Ata duhet të vijnë t’i thonë pikëpamjet e veta. Mospjesëmarrja nuk është rrugë përpara”, tha Haradinaj.
Me kërkesë të Qeverisë së Kosovës është thirrur seancë e jashtëzakonshme për t’u diskutuar ekipi negociator për dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Veseli takohet me ambasadorin Delawie
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është takuar sot me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie, me të cilin ka biseduar për fazën finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Veseli ka thënë se është “jetike” që të ketë konsensus dhe platformë të përbashkët të palës kosovare në këto bisedime.
Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin përfundimin e suksesshëm të dialogut.
Facebook Forum