Fillon seanca për emërimin e ekipit negociator
Kuvendi i Kosovës, pa opozitën, ka filluar seancën e jashtëzakonshme për emërimin e ekipit negociator për dialogun me Serbinë. Në krye të këtij ekipi është propozuar zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se pjesë e ekipit do të jenë edhe Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi dhe Mahir Yagcillar.
Haradinaj tha se vendet e tyre në këtë ekip i kanë edhe partitë opozitare dhe shoqëria civile.
Emërimi i këtij ekipi është mbështetur nga partitë në pushtet, PDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate.
Propozohet që Kosova të ketë vetëm një ekip negociator
Debati parlamentar për ekipin negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, ka nxjerrë edhe disa propozime. Grupi Parlamentar i Nismës Socialdemokrate, përmes deputetit Bilall Sherifi ka propozuar që ekipi negociator të jetë i vetmi që do të përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë.
Ai tha se nuk është në favor që Kosova në dialog të përfaqësohet në njërën anë nga presidenti e në anën tjetër nga ekipi qeveritar.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi kishte dy kërkesa nga ekipi negociator i Kosovës.
“E para, territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pandashëm dhe askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës. E dyta, ekipi negociator obligohet të raportojë para Kuvendit, pas çdo raundi të bisedimeve”, tha deputetja, Kadaj-Bujupi.
Kërkohet që në dialog të përfshihet edhe çështja e të pagjeturve
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka kërkuar që në bisedimet me Serbinë, të diskutohet edhe çështja e personave të pagjetur.
“Në këtë pikë të diskutimeve duhet të diskutohet edhe fati i personave të pagjetur. Unë mbështesë kërkesën që ky ekip të raportojë në Kuvend”, tha deputetja Deliu-Kodra.
Ajo po ashtu kërkoi që partitë opozitare, të lënë anash, siç u shpreh ajo, “inatet politike” dhe të bëhen pjesë e procesit të dialogut.
Nga lufta e fundit, në Kosovë konsiderohen të zhdukur 1648 persona.
Shpallet pauzë para votimit për ekipin negociator
Pas debatit të zhvilluar në lidhje me emërimin e ekipit negociator të Kosovës për dialogun me Serbinë, kryesuesi i seancës, deputeti Xhavit Haliti, kërkoi pauzë prej 15 minutave.
Haliti tha se nevojiten disa konsultime para se të nis procedura e votimit.
Facebook Forum