Thirrjet e presidentit Thaçi për ekip uniteti
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vazhdimisht ka bërë thirrje për krijimin e një ekipi të unitetit.
Opozita, ndërkaq, ka deklaruar se ka kushte për përfshirjen e saj në fazën finale të dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Thaçi i ka ftuar të gjithë që të bëhen pjesë e dialogut, por është zotuar që procesin do ta udhëheqë vet.
Lexoni edhe këtë: Thaçi i fton të gjithë, por dialogun zotohet se do ta udhëheqë vet
Visar Ymeri fajëson LDK-në
Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri ka fajësuar partinë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se kjo parti politike kishte të pranishme në sallë një deputete në seancën e thirrur nga Qeveria për emërimin ekipit negociator.
Sipas Ymerit, prania në sallë e deputetes së LDK-së, Teuta Rugova i ka mundësuar koalicionit që t’i ketë 61 deputetë në Kuvend, çka sipas tij, ka mundësuar edhe kuorumin për punë.
Përndryshe, tha Ymeri, koalicioni nuk do të kishte numrin e nevojshëm të deputetëve për zhvillimin e seancës.
Partitë opozitare kanë bojkotuar seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Qeveria e Kosovës, ku pritet të votohet për ekipin negociator në dialogun me Serbinë.
Konjufca: Haradinaj frikësohet nga PDK-ja se mund ta rrëzojë nga pushteti
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se ekipi negociator, i propozuar nga Qeveria e Kosovës, është një projekt i presidentit Hashim Thaçi.
Konjufca tha se kësaj ideje kryeministri Ramush Haradinaj dhe zëvendësi i tij, Fatmir Limaj, i rezistuan për dy muaj, por sipas tij, në seancën e sotme të jashtëzakonshme, “ata u dorëzuan”.
“Fillimisht, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj rezistuan për dy muaj deri në ditën e sotme. Sot unë do ta quaja dita e dorëzimit të Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, pra të AAK-së dhe Nismës karshi PDK-së dhe projektit të saj që përreth presidentit Thaçi të grumbullojnë një grup të negociatorëve të cilët shkojnë në Bruksel. Kjo u arrit në këtë seancë dhe kjo tregon vetëm një gjë, kjo tregon që Ramush Haradinaj nuk mund të dalë nga grushti i Thaçit e as nga xhepi i Kadri Veselit dhe çka do që ta komandojnë ata, ky nuk ka qare pa iu shkruar mbrapa, për arsye se është i udhëhequr nga principi i lakmisë për pushtet”, tha Konjufca.
“Lakmia e madhe për pushte dhe kërcënimi i PDK-së që atë mund ta rrëzojn kur të duan, e detyron Ramush Haradinajn të dorëzohet në ditën e sotme, t'i gëlltis të gjitha ato deklarata që nuk është për ndryshim të territoreve, që nuk e përkrahë presidentin Thaçi”, tha Konjufca.
Lexo edhe këtë: Vetëvendosje: Do ta rrëzojmë nga pushteti Hashim Thaçin
LDK: AAK dhe Nisma dorëzohen përballë Thaçit
“Seanca e thirrur nga Qeveria është dorëzim i AAK-së dhe Nismës përballë presionit të PDK-së dhe Thaçit për prishje të koalicionit dhe shantazheve të ditëve të fundit”.
Kështu thuhet në një komunikatë për media nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike e Kosovës.
Aty thuhet se "këto dy parti tash do të luajnë lojën e z.Thaçi duke nëpërkëmbur shtetin e Kosovës. Ekipi negociator, që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve shumicë të Kosovës, do të përligj në emër të Qeverisë marrëveshjet e fshehta të z.Thaçi me Serbinë".
LDK po ashtu thotë se shteti i Kosovës po hynë në një fazë kritike të ekzistencës së vet, për shkak të veprimeve të kastës udhëheqëse, siç vlerëson kjo parti, “vrastare për perspektivën e shtetit të Kosovës”.
"Për LDK-në, sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është panegociueshëm. LDK-ja nuk do të lejojë përdhosje të shtetit të Kosovës. LDK-ja do t’ju prij ndryshimeve që duhet të ndodhin së shpejti në Kosovë. LDK-ja nuk do të dorëzohet ndaj dhunës që po i bëhet shtetësisë së Kosovës", përfundon komunikata e LDK-së.
Facebook Forum