Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, 5 shtator
Kuvendi i Kosovës, 5 shtator

Pa kuorum në seancat e jashtëzakonshme

Të nderuar lexues,

Këtu po e përmbyllim mbulimin direkt të zhvillimeve në Kuvend.

Kuvendi nuk arriti që të miratojë ekipin negociator të propozuar nga Qeveria e Kosovës.

Po ashtu, seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita nuk arriti që të fillojë për mungesë kuorumi.

Informacionet e fundit nga Kosova, rajoni dhe bota, mund t'i ndiqni në faqen tonë të internetit, evropaelire.org.

Na ndiqni edhe në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter dhe Instagram.

17:07 4.9.2018

Hoti: Qëllimi i partive në pushtet është copëtimi i Kosovës

Shefi i Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike e Kosovësm Avdullah Hoti, tha para mediave në se të gjithë deputetët e opozitës janë në Kuvend, duke pritur për seancën e thirrur nga opozita për miratimin e rezolutës për dialogun.

"Gjithë deputetët janë duke pritur lartë për t’u kthyer në sallë dhe për të miratuar rezolutën të cilën e kemi paralajmëruar", tha Hoti.

Ai tha se gjendja aktuale në Kuvend është e ngjashme si ajo e kohës kur është formuar Qeveria e kryeministri Ramush Haradinaj, me shumë vështirësi, për shkak të mungesave të votave.

"Është dashur të dakordohet atëherë formati i Qeverisë me Beogradin. Tash po ndodh e njëjta gjë, po dakordohen me Listën Serbe që është fatkeqe për shtetin e Kosovës. Qëllimi i tyre përfundimtar është copëtimi i Kosovës, të cilën gjë jemi të vendosur që nuk do ta lejojmë", tha Hoti.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti

17:19 4.9.2018

Hoxhaj: Do të kemi kuorum për votimin e ekipit negociator

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se partitë në pushtet, në orën 18:30, kur pritet të rinisë seanca, do të kenë kuorumin e nevojshëm për të miratuar ekipin negociator.

“Unë mendoj se në orën 18:30 do të takohemi përsëri, do të kemi kuorum të nevojshëm për ta miratuar ekipin negociator”, tha Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, ekipi negociator, mas miratimit në Kuvend, do të duhej që të ofronte para deputetëve një platformë për dialogun.

Ai tha se më pas do të duhet që të "bisedojmë për epilogun e dialogut, se cilat elemente do të duhej t’i përfshijë marrëveshja obligative ligjore, të cilën do të duhej ta nënshkruajmë me Serbinë”, u shpreh Hoxhaj, duke shtuar se për PDK-në marrëveshja me Serbinë nënkupton njohje të ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj

18:39 4.9.2018

Haradinaj: Mungesa e opozitës në seancë është gabim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e quan të gabuar mosprezencën e partive opozitare, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Qeveria, për ekipin negociator në dialogun me Serbinë.

“Tani e kemi të vështirë të vlerësojmë se si do të veprojmë. Në fakt, ishte pak gabim kjo mosardhja e opozitës në seancën paraprake. Votimi i delegacionit të Qeverisë dhe të Kosovës ku ishte e parapraë edhe roli i opozitës, ose edhe dhënia e mendimit për këtë delegacion, do ta hapte një dialog pastaj që edhe pozita ta ketë mendimin e vet për rezolutën (e opozitës). Mosardhja fare në seancë na ka nxjerrë në pozitë të pafavorshme”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se më herët i kishte propozuar Parlamentit platformën për dialogun, por që sipas tij, nuk kishte mirëkuptim për të, duke shtuar se “tani i kam propozuar delegacionin, të shohim a do të kemi mirëkuptim”.

Seanca e thirrur nga Qeveria e Kosovës, ku pritet të miratohet ekipi negociator në dialogun me Serbinë ka nisur në orën 9:00. Ajo është ndërprerë në orën 11, dhe që atëherë, Kuvendi gjendet në pauzë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë seancës së 4 shtatorit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë seancës së 4 shtatorit

20:17 4.9.2018

Seanca për ekipin negociator vazhdon të mërkurën

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur sot që të procedojë me votimin për emërimin e ekipit negociator, për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm.

“Seanca e jashtëzakonshme do të vazhdojë të mërkurën në orën 14:00”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Foto nga arkivi
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Foto nga arkivi

Edhe pas një pauze të shpallur për 15 minuta, por që zgjati rreth nëntë orë, Kuvendi nuk procedoi me votimin. Debatet, pa praninë e opozitës në këtë seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Qeveria e Kosovës kanë zgjatur vetëm një orë.

Në bazë të propozimit të Qeverisë, në krye të ekipit do të jetë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. Kurse anëtarë të këtij ekipi janë edhe Behgjet Pacolli, Enver Hoxhaj, Avni Arifi, Dardan Gashi dhe Mahir Yagcilar. Po ashtu, edhe partitë opozitare janë ftuar që të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në këtë ekip.

Emërimi i këtij ekipi kërkon 61 vota të deputetëve.

Opozita, ndërkaq, ka bojkotuar këtë seancë dhe ka thirrur një seancë tjetër të jashtëzakonshme përmes së cilës po kërkon miratimin e një rezolute kundër bisedimeve për ndryshimin e kufijve të Kosovës, sipas idesë së propozuar nga presidenti, Hashim Thaçi.


Shfaq më shumë

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG