Hoxhaj: Do të kemi kuorum për votimin e ekipit negociator
Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se partitë në pushtet, në orën 18:30, kur pritet të rinisë seanca, do të kenë kuorumin e nevojshëm për të miratuar ekipin negociator.
“Unë mendoj se në orën 18:30 do të takohemi përsëri, do të kemi kuorum të nevojshëm për ta miratuar ekipin negociator”, tha Hoxhaj.
Sipas Hoxhajt, ekipi negociator, mas miratimit në Kuvend, do të duhej që të ofronte para deputetëve një platformë për dialogun.
Ai tha se më pas do të duhet që të "bisedojmë për epilogun e dialogut, se cilat elemente do të duhej t’i përfshijë marrëveshja obligative ligjore, të cilën do të duhej ta nënshkruajmë me Serbinë”, u shpreh Hoxhaj, duke shtuar se për PDK-në marrëveshja me Serbinë nënkupton njohje të ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Hoti: Qëllimi i partive në pushtet është copëtimi i Kosovës
Shefi i Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike e Kosovësm Avdullah Hoti, tha para mediave në se të gjithë deputetët e opozitës janë në Kuvend, duke pritur për seancën e thirrur nga opozita për miratimin e rezolutës për dialogun.
"Gjithë deputetët janë duke pritur lartë për t’u kthyer në sallë dhe për të miratuar rezolutën të cilën e kemi paralajmëruar", tha Hoti.
Ai tha se gjendja aktuale në Kuvend është e ngjashme si ajo e kohës kur është formuar Qeveria e kryeministri Ramush Haradinaj, me shumë vështirësi, për shkak të mungesave të votave.
"Është dashur të dakordohet atëherë formati i Qeverisë me Beogradin. Tash po ndodh e njëjta gjë, po dakordohen me Listën Serbe që është fatkeqe për shtetin e Kosovës. Qëllimi i tyre përfundimtar është copëtimi i Kosovës, të cilën gjë jemi të vendosur që nuk do ta lejojmë", tha Hoti.
Shtyhet sërish rinisja e seancës për ekipin negociator
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sërish është shtyrë rinisja e seancës së sotme të jashtëzakonshme. Seanca, sipas një njoftimi për media, pritet të rinisë në orën 18:30.
Sipas njoftimit, shtyrja është bërë me kërkesë të iniciuesit të seancës së sotme, përkatësisht Qeverisë së Kosovë.
Seanca, që u thirr nga Qeveria, nisi në ora 9:00, me qëllim që të votohet ekipi negociator në dialogun me Serbinë.
Kuvendi është në pauzë që prej orës 11:00.
Hoti: Teuta Rugova po merr pjesë në seancë pa pëlqimin e LDK-së
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti thotë se pjesëmarrja në seancën e jashtëzakonshme të deputetes së kësaj partie, Teuta Rugova, është në kundërshtim me qëndrimin e LDK-së.
LDK dhe partitë e tjera opozitare bojkotuan seancën e thirrur me kërkesën e Qeverisë për ekipin negociator në dialogun me Serbinë.
Hoti thotë se secili deputet i LDK-së “e ka për obligim” të respektojë qëndrimet e partisë.
Facebook Forum