Ndërlidhjet

Partitë në pushtet mëdyshen për pjesëmarrje në seancën për kufirin


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të martën në një seancë të jashtëzakonshme në lidhje me, siç thuhet, “angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”. Iniciuese e kësaj seance është Lidhja Demokratike e Kosovës, e mbështetur edhe nga grupet tjera politike në opozitë.

Por, megjithëse seanca është caktuar nga Kryesia e Kuvendit, mbetet e paqartë nëse partitë politike në pushtet do të marrin pjesë në këtë seancë.

Mungesa eventuale e tyre në seancë apo braktisja e seancës gjatë punimeve, mund ta rrezikojë kuorumin për mbajtjen e seancës. Përfaqësuesit e këtyre partive thonë se para fillimit të seancës do të zhvillojnë takime të grupeve parlamentare dhe do të vendoset për hapat që do të ndërmerren.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu tha për Radion Evropa e Lirë, se AAK, ende nuk ka një qëndrim lidhur me seancën e të martës, por siç tha ajo, për dialogun me Serbinë, duhet të ketë një qëndrim të përbashkët. Ajo tha po ashtu se askush në Kosovë nuk ka të drejtë të flasë për shkëmbim të territorit, duke përfshirë edhe presidentin.

"Shteti i Kosovës në dialog me Serbinë nuk ka përfituar ndonjë gjë, tani po presim që të bashkohemi të gjithë sepse vetëm me bashkim e të gjitha subjekt politike, ekipi negociator do të jetë më i fuqishme dhe atëherë nuk do ta fajësonim individin dhe diçka e tillë nuk do të jetë në interes të askujt. Mbi të gjitha, nuk do ta ketë mundësinë as presidenti (Hashim) Thaçi të nxjerrë ide, që për mua janë ide të çmendura", tha Haxhiu.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë tha se qëndrimet e tij politike rreth kësaj çështjeje do t’i bëj publike gjatë seancës të së martës.

“Proceduralisht, kemi vepruar në bazë të një kërkese të deputetëve. Do ta kemi seancën e jashtëzakonshme nesër me një pikë të rendit të ditës. Sa i përket komenteve politike, do t’i themi nesër ato për arsye se e kemi seancën”, u shpreh Veseli.

Disa nga zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës e kanë quajtur absurde thirrjen e kësaj seance.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se pret që në seancën e së martës të ketë mbështetjen edhe të partive të koalicionit për të kaluar rezolutën për dialogun.

“Unë pres që nesër mbështetja për këtë rezolutë të planifikuar për t’u aprovuar, të mbështetet nga të gjitha grupet parlamentare, pa përjashtim, të opozitës dhe koalicionit qeverisës sepse është në të mirë të qytetarëve të vendit”.

“Është informatë e mirë dhe qëndrim i mirë që u dërgohet miqve tanë ndërkombëtarë, që na kanë ndihmuar të vijmë deri në këtë pikë, që vullneti i qytetarëve të shprehet përmes deputetëve të Kuvendit. Mbi të gjitha, është sinjal i qartë për presidentin e vendit se ai duhet të ndalet me veprimet e tij anti-kushtetuese”, u shpreh Hoti.

Partia Socialdemokrate, sipas shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie, Dardan Sejdiu ka kohë që kërkon një seancë për dialogun.

Sipas tij, në procesin e negociatave me Serbinë, që mbahen në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë dy elemente problematike.

Kufiri: Vijat e kuqe dhe korigjimi

“E para është presidenti (Hashim Thaçi) i këtij vendi i cili jashtë kompetencave të tij po vazhdon me aventura sa i përket organizimit të kësaj republike. Dhe e dyta ka të bëjë me faktin se kjo po ndodh jashtë Kuvendit. Dialogu duhet t’i kthehet Kuvendit. Ne jemi që të kemi një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje. Besoj që rezoluta që do të prezantohet nesër do të ketë mjaftueshëm vota që të kalojë”, tha Sejdiu.

Nga ana tjetër, në Institutin Demokratik të Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, thonë se është e rëndësishme që Kuvendi të mbajë seancë për fazën e fundi të dialogut dhe të dalë me rekomandime konkrete, për ekipin negociues, për vijat e kuqe deri ku mund të shkojnë bisedimet, por edhe për afatin kohor.

Jeta Krasniqi nga ky institut tha për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi i Kosovës është institucioni kryesor në këtë proces, pasi që ai duhet të ratifikojë çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet.

"Ne duhet të synojmë praktika të mira ku të kemi një koordinim mes institucioneve, Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit në këtë rast, në mënyrë që çështjet e interesit nacional, siç është edhe çështja e dialogut Kosovës-Serbi, të shkohet përpara me anë të një qasjeje unike institucionale shtetërore të Kosovës. Për momentin nuk e kemi një gjë të tillë. Të shohim se çka do të ndodhë nesër. Ne e vlerësojmë si pozitive thirrjen e seancës", tha Krasniqi.

Për mbajtjet e seancës së jashtëzakonshme kërkohen prania e 60 deputetëve, kurse për miratimin e një rezolute duhen minimumi 61 vota.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq do të zhvillojnë raundin e ri të bisedimeve më 7 shtator. Të dy presidentët, kohët e fundit kanë folur për mundësinë e korrigjimit të kufirit mes dy shteteve, e cila, sipas presidentit Thaçi, mund të jetë pjesë e marrëveshjes eventuale të paqes mes Prishtinës dhe Beogradit.

Thaçi është zotuar se në dialog do të flasë edhe për mundësinë e bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian pret që në fund të këtij procesi të dyja shtetet të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila veç tjerash, ua hap perspektivën evropiane të dyja shteteve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG