Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e mbështetë përfaqësimin e Kosovës në dialogun politik me Serbinë në nivelin e presidentit.
Kështu ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, gjatë një konference për gazetarë, ku ai tha se takimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, nuk janë autorizuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Jemi duke parë një dialog pa platformë, të papërgatitur më një ekip negociator jo kompetentë për të çuar përpara agjendën. Kemi parë përfshirje të paautorizuar të presidentit”, tha Hoti.
Ai rikujtoi se Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë tashmë edhe dy rezoluta për dialogun me Serbinë të cilat nuk e autorizojnë presidentin të udhëheqë dialogun.
“Kuvendi e ka autorizuar atëherë Qeverinë që të zhvillojë dialog me Serbinë në përputhje me parimet e ruajtjes së integritetit të Kosovës. Dhe çdo marrëveshje që arrihet duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës”, tha Hoti.