Ndërlidhjet

"Na iku karriera": Saga e papërfunduar e Teatrit të Operës dhe Baletit


Aulonë Nuhiu, balerinë e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës.
Aulonë Nuhiu, balerinë e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës.

Artistët e operës dhe baletit të Kosovës nuk kanë arritur të performojnë asnjëherë në vendin e tyre, në kushte dhe skenë adekuate për këto arte.

Kështu thonë sopranoja Besa Llugiqi dhe balerina Aulonë Nuhiu.

Kosova ende nuk ka një teatër të operës dhe baletit dhe skenat për t’u mbajtur mend janë vetëm ato të teatrove në vendet tjera të botës, ku kanë performuar.

Besa, debutimin e saj në skenën operistike, rreth 11 vjet më parë e kishte shënuar në Tiranë, pavarësisht dëshirës që këtë ta bënte në Kosovë.

Ajo thotë se ka performuar edhe në vendlindje, por në kushte jonormale.

“Kam pasur rastin të këndoj edhe në Kosovë, por në kushte të tilla të improvizuara, të një skene në sallë të sportit. Nuk është aspak e lehtë për një artist që pretendon të zhvillohet artistikisht, sepse nuk ka hapësirë në vendin e vet”, thotë Besa.

Besa, dikur ishte pjesë e përhershme e trupës së Operës së Kosovës. Ajo thekson se tashmë mund të angazhohet vetëm herë pas here në këtë trup.

Besa Llugiqi, soprano.
Besa Llugiqi, soprano.

Aulonë Nuhiu është pjesë e përhershme e Trupës së Baletit të Kosovës, tash e 17 vjet.

Ajo thotë se streha e balerinëve, Teatri Kombëtar i Kosovës, nuk ka ofruar asnjëherë kushte optimale për punën e balerinëve. Për më shumë, tash e 2 vjet ky teatër është në proces renovimi.

Aulona thekson se ajo dhe kolegët e saj, gjatë karrierës kanë arritur të shijojnë skena të bukura dhe me kushte të mira, vetëm në teatrot jashtë vendit.

“Unë i kam 30 vjet. Balerinët e tjerë janë në moshë edhe më të madhe. Në qoftë se ne e lejojmë veten të presim që shteti ynë të na i bëjë kushtet neve, vitet tona shkuan dhe karriera jonë iku”, thotë Aulonë Nuhiu.

Moment nga përgatitjet e balerinëve të Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës për një nga shfaqjet e ardhshme.
Moment nga përgatitjet e balerinëve të Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës për një nga shfaqjet e ardhshme.

Kush ka "faj" për mungesën e Teatrit të Operës dhe Baletit?

Ideja për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës nisi të institucionalizohej që nga viti 2006.

Por, siç thonë këto artiste, ndërtimi i një objekti të tillë, tashmë është shndërruar në sagë.

Drejtori i Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, thotë se artistët janë të zhgënjyer me zvarritjen e jetësimit të kësaj ideje.

“Këtu më së paku kanë faj artistët, punëtorët, menaxhmenti, të cilët nuk kanë lidhje me këto, por kryejnë punët e veta artistike dhe administrative”.

Meriton Ferizi, drejtor i Operës së Kosovës.
Meriton Ferizi, drejtor i Operës së Kosovës.

Që nga viti 2007 e deri më tash janë hapur katër konkurse për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit.

Në vitin 2007, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, hapi konkursin për projektin ideor, kurse lokacioni për ndërtimin e tij ishte caktuar në afërsi të Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës.

Në vitin 2009, në mënyrë ceremoniale ishte hedhur edhe guri themeltar. Dhe, puna ngeci aty.

Hapësira ku u vendos guri themeltar i Teatrit të Operës dhe Baletit, në vitin 2009. Aktualisht, në këtë hapësirë po ndërtohet objekti i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore i Universitetit të Prishtinës.
Hapësira ku u vendos guri themeltar i Teatrit të Operës dhe Baletit, në vitin 2009. Aktualisht, në këtë hapësirë po ndërtohet objekti i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore i Universitetit të Prishtinës.

Valton Beqiri, i cili asokohe ishte ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, thotë se projekti për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ishte aprovuar gjatë mandatit të paraardhësit të tij.

“Me atë projekt ne patëm filluar realizimin. Ka nisur zbatimi i projektit. Pastaj, pas meje, kanë ardhur ministrat tjerë, me radhë, dhe nuk është vazhduar (projekti). Kjo ka qenë procedura, kaq”, thotë Beqiri.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, në kohën kur u vu guri themeltar i Teatrit të Operës dhe Baletit, kishte vetëm katër vjet karrierë profesioniste.

Ai thotë se me një nga koleget e tij, kishte performuar në ceremoninë e hedhjes së gurit themeltar të objektit, në vitin 2009.

“Kemi luajtur një pikë baleti, kur ka nisur gurthemeli i Teatrit të Operës dhe Baletit. Kemi qenë goxha të entuziazmuar dhe të motivuar, meqë e kemi parë se dikush po e kthen kokën kah arti dhe kultura. Për fat të keq, sot jemi në vitin 2024 dhe nuk e kemi teatrin e Operës dhe Baletit”, thekson Kajtazi.

Sinan Kajtazi, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës.
Sinan Kajtazi, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës.

Në vitin 2019, në kohën kur MKRS-në e drejtonte Vlora Dumoshi, pati dy konkurse për projektin ideor për Teatrin e Operës dhe Baletit.

Gjatë vitit 2020, MKRS-ja dhe Komuna e Prishtinës nuk arritën të pajtohen që objekti i këtij teatri të ndërtohej në parcelën e caktuar më herët, në afërsi të Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës.

Komuna e Prishtinës të njëjtën parcelë e përcaktoi për ndërtimin e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore. Ndërtimi i objektit të këtij fakulteti është duke vazhduar edhe sot.

Konkursi i katërt për projektin ideor të Teatrit të Operës dhe Baletit u shpall nga MKRS-ja e drejtuar aktualisht nga Hajrullah Çeku.

Tashmë, edhe hapësira për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit është ndryshuar.

Ajo është caktuar prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, me pajtimin e Komunës së Prishtinës

Hapësira e caktuar nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Aktualisht, ajo shërben si parking i automjeteve.
Hapësira e caktuar nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Aktualisht, ajo shërben si parking i automjeteve.

Tenderi për projektin ideor u hap nga MKRS-ja në tetor të vitit 2022.

Ai u anulua me vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), më 24 janar të këtij viti.

Bazuar në vendimin e OSHP-së, konkursi është anuluar pas ankesës së një prej tri kompanive konkurruese. OSHP-ja ka konstatuar shkelje ligjore nga ana e MKRS-së gjatë procesit të vlerësimit të projekteve konkurruese, për shkak se tri kompanitë kanë zbuluar identitetin e tyre.

“Paneli shqyrtues konstaton se zbulimi i identitetit të OE-së (Operatorit Ekonomik) pjesëmarrës në fazën e vlerësimit të projekt-propozimeve, ka shkelur nenin 80 paragrafi 2 të Ligjit Prokurimit Publik, si dhe nenet; 55.24, 55.25 të Rregullores për Prokurim Publik nr.01/2022”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Çfarë thonë këto nene?

Neni 80, paragrafi 2 i Ligjit të prokurimit publik:

Juria do të vendosë mbi konkursin vetëm në bazë të kritereve të përshkruara në njoftimin për konkursin e projektimit. Identiteti i pjesëmarrësve nuk do të zbulohet para anëtarëve të jurisë.

Neni 55.24 i Rregullores për prokurim publik nr.01/2022

Pasi që identiteti i pjesëmarrësve nuk do t’i shpaloset jurisë, zyrtari përgjegjës i prokurimit do t’i hapë zarfet e pranuara me kohë dhe do t’i ndajë zarfet që përmbajnë “projektet ideore” nga ato që përmbajnë “dokumentacionin e kandidatit”.

Neni 55.25 i Rregullores për prokurim publik nr.01/2022

Zyrtari i prokurimit do t’ia transferojë jurisë vetëm zarfet që përmbajnë “projektet ideore” sipas nenit 80 të LPP-së. Zarfet që përmbajnë “Dokumentacionin e kandidatit” do të mbahen të pahapura nga zyrtari përgjegjës i prokurimit, të depozituara në një vend të sigurt.


Ish-ministri Beqiri thotë se nuk e kupton pse është dashur të shpallet sërish konkursi për projekt ideor.

“Nuk e di pse ka nevojë të bëhen projekte të tjera, përderisa ekziston projekti”, thotë Beqiri, duke iu referuar projektit, që sipas tij është miratuar dhe pati nisur të zbatohej në vitin 2009.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar MKRS-së me pyetjen se çfarë ka ndodhur me projektin e asaj kohe, por nuk mori përgjigje.

Sërish konkurs për projektin ideor

Pas anulimit të atij në janarin e sivjetmë, MKRS-ja ka rihapur sërish konkurs më 13 mars të vitit 2024 dhe do të zgjasë deri më 12 prill.

Vlera e parashikuar për tenderin për projektin ideor për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit është 2.5 milionë euro.

“Duhet të dilet nga këto konkurset burokratike, sepse prapë vjen dikush që e pengon dhe na kthen në pikën zero”, thotë drejtori i Operës së Kosovës, Meriton Ferizi.

Ai shton se konkursi për zhvillimin e projektit ideor është shndërruar në nyje, që e pengon avancimin drejt ndërtimit të objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit.

“Çështja është vetëm që të kalohet ky hapi i parë, i projektit ideor. Pastaj, për ndërtim, procedurat ecin shumë më shpejt. Këtu kemi mbetur, në këtë ngërç të hapit të parë”, thotë Ferizi.

Ëndrra e sotme për gjeneratat e ardhshme

Artistët shpresojnë që saga e Teatrit të Operës dhe Baletit të përfundojë dhe të nisë ndërtimi i objektit.

Drejtori i Operës, Ferizi, nuk pret që objekti të jetë i gatshëm më herët se një dekadë edhe nëse nis tash realizimi i ndërtimit.

“Nën 10 vjet, jo. Po të shihet si prioritet, si aset i rëndësishëm, unë besoj që për 10 vjet do të jemi brenda dhe do ta jetësojmë këtë ëndërr”, shprehet ai.

Moment gjatë ushtrimeve të balerinëve të Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës për një nga shfaqjet e ardhshme.
Moment gjatë ushtrimeve të balerinëve të Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës për një nga shfaqjet e ardhshme.

Aulona thotë se ajo dhe kolegët e saj po shkojnë drejt përfundimit të karrierës në skenë, për shkak të moshës.

“Secili prej nesh ëndërrojmë që do të arrijmë, se do të kemi një moshe edhe ne që ta arrijmë Teatrin e Operës dhe Baletit”, thotë ajo.

Artistët e operës e kanë mundësinë të qëndrojnë më gjatë në skenë sesa balerinët, thotë Besa, dhe gjenerata e saj mund të arrijë ta përjetojë performancën në skenën e Teatrit Të Operës dhe Baletit. Por, siç e quan ajo, “lufta për teatrin” po bëhet më tepër për gjeneratën e ardhshme të artistëve.

“Ne i kemi edhe nja 20 vjet karrierë. Por, është për gjeneratat që vijnë dhe për ato që janë, në rast se ndërtimi i një shtëpie operistike bëhet shpejt”, thekson Besa.

Teatri i Operës dhe Baletit parashihet të jetë një shtëpi e përbashkët për tri institucione, Operën e Kosovës, Filarmoninë e Kosovës dhe Baletin Kombëtar të Kosovës.

Bazuar në informacionet që kanë përfaqësuesit e këtyre institucioneve, për ndërtimin dhe finalizimin e një objekti të tillë do të nevojiten 50 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG