Haziri ia uron fitoren LVV-së në Gjilan
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kreun e Gjilanit, Lufti Haziri ia ka uruar fitoren kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni.
Përmes një postimi për media, Haziri, i cili deri më tani ka udhëhequr me Komunën e Gjilanit tha se që nga e hëna do të formojë një ekip tranzicioni që të bartë përgjegjësitë te kryetari i ri.
“Në emër të LDK-së i falënderoj të gjithë qytetarët e Gjilanit për manifestimin politik, të cilët përmes votës së tyre zgjodhën tashmë kryetarin e ri, z. Alban Hyseni, të cilin në emër të LDK-së dhe në emrin tim e përgëzoj për rezultatin e arritur”, tha Haziri.
Ndërkaq, kandidati i LVV-së, Alban Hyseni tha se fitorja e tij në Gjilan është “ndryshim historik”.
“Qeverisja jonë është gjithëpërfshirëse e si e tillë, tash e tutje, bashkëqeverisim në çdo lagje, çdo fshat, për të gjitha moshat, për të gjitha shtresat, për të gjitha komunitetet, për të gjitha bizneset, e mbi të gjitha për të gjithë qytetarët e Gjilanit. Ju, mund të mbështeteni në zanin e ri e udhëheqjen e re që e sollëm bashkë”, tha ai përmes llogarisë së tij në Facebook.
Sipas rezultateve preliminare, Alban Hyseni ka fituar 51.03 për qind të votave, ndërkaq Lutfi Haziri 48.97 për qind.
Në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, më 14 nëntor, dalja në zgjedhje ishte rreth 38 për qind.
KQZ shpall rezultatet preliminare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë që u mbajtën më 14 nëntor.
Sipas rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Komunën e Kamenicës me kandidatin Kadri Rahimaj, në Podujevë me Shpejtim Bulliqin, në Shtime me Qemajl Aliun dhe në Gjilan me Alban Hysenin.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Prishtinë me Përparim Ramën, në Istog me Ilir Feratin, në Fushë Kosovë me kandidatin Burim Berisha, në Junik me Ruzhdi Shehun dhe në Viti me Sokol Halitin.
Partia Demokratike e Kosovës fitoi Komunën e Prizrenit me kandidatin Shaqir Totaj, Gllogocin me Ramiz Lladrovcin, Dragashin me Shaban Shabanin, Kaçanikun me Besim Ilazin dhe Vushtrrinë me Ferit Idrizin.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi udhëheqësin në Gjakovë me Ardian Gjinin, Klinën me Zenun Elezajn dhe Rahovecin me Smajl Latifin.
Ndërkaq Nisma Social Demokrate arriti fitore në Malishevë me Ekrem Kastratin.
Në Komunën e Obiliqit zgjedhjet në rundin e dytë i fitoi Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin.
Në Komunën e Mamushës fitore arriti Abdulhadi Krasniq nga KDTP. Ndërkaq në Komunën e Kllokotit balotazhin e fitoi Vladan Bogdanoviq nga Lista Serbe.
Kush, sa komuna i fitoi?
Partia Demokratike e Kosovës, nga partitë shqiptare, ka fituar më së shumti komuna në zgjedhjet lokale.
Në këtë infografikë mund të mësoni se sa komuna fituan të gjitha partitë.
Lexues të nderuar,
Këtu po e përmbyllim mbulimin drejtpërdrejtë të rundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Faleminderit që na ndoqët!