Përshëndetje të nderuar lexues,
Qytetarët e Kosovës të dielën votojnë në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave.
Ne do të jemi me ju deri në përfundim të procesit zgjedhor dhe do t’ju sjellim në kohë reale informacionet e fundit.
Rreth 24 për qind votuan deri në orën 15:00
Në ora 07:00 u hapën vendvotimet në 21 komunat e Kosovës. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në ora 15:00, rreth 24 për qind e qytetarëve ushtruan të drejtën e tyre të votimit.
Të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kanë 1,260,571 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.
Kush po përballet në rundin e balotazhit?
Nga 38 komuna sa ka Kosova, në 21 prej tyre qytetarët të dielën zgjedhin kreun e ri.
Në këtë rund zgjedhjesh, Lëvizja Vetëvendosje garon në 12 komuna, Partia Demokratike e Kosovës në tetë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në pesë komuna, Nisma Socialdemokrate dhe Partia Socialdemokrate, Lista Serbe dhe GI SNS në nga një komunë.
Votimi i personave të verbër
Përmes fletëvotimeve me alfabetin e Braillet, personat e verbër në Kosovë mund të votojnë pa ndihmën e asistentëve të tyre. Radio Evropa e Lirë ka përcjellë nga afër procesin e votimit në zgjedhjet lokale të Mexhit Foniqit në Prishtinë më 14 nëntor.