Ndërlidhjet

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku shpall fitoren e Përparim Ramës në Prishtinë.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku shpall fitoren e Përparim Ramës në Prishtinë.

Kosova zgjodhi kryetarët e komunave

  • Në Kosovë më 14 nëntor u mbajt rundi i balotazhit, ku qytetarët zgjodhën krerët e rinj të 21 komunave pasi më 17 tetor zgjodhën kryetarët e 17 komunave dhe anëtarët e rinj të asambleve komunale.
  • Të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kishin 1,260,571 qytetarë dhe dalja në zgjedhje ishte rreth 38 për qind.
  • Sipas rezultateve preliminare, Lista Serbe fitoi dhjetë komuna, Partia Demokratike e Kosovës fitoi nëntë, Lidhja Demokratike e Kosovës shtatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë, Lëvizja Vetëvendosje katër dhe nga një komunë fituan Nisma Socialdemokrate, KDTK dhe Nisma Qytetare për Obiliqin.
20:51 14.11.2021

Haradinaj: Në dy rundet fituam pesë komuna

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se partia e tij ka fituar pesë komuna në dy rundet e zgjedhjeve lokale.

Haradinaj tha se në rundin e dytë të zgjedhjeve, që u mbajtën të dielën, AAK-ja ka fituar tri komuna dhe është në pritje të rezultateve përfundimtare edhe në dy komuna.

“AAK-ja e ka rikonfirmuar besimin politik dhe fuqinë e saj politike në tri komuna. Pra e kemi konfirmuar fuqinë politike në Gjakovë, Rahovec dhe Klinë. Jemi në pritje të rezultatit përfundimtar në Junik ku është një rezultat mjaft i ngushtë. Njëkohësisht presim rezultatin në Istog”, tha Haradinaj, duke shtuar se në rundin e parë veçse kanë fituar në Suharekë dhe Deçan.

Sipas rezultatit preliminar, në Junik fitues është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës me një diferencë prej 29 votash. Haradinaj tha se në këtë komunë presin fitore pas numërimit të votave me kusht edhe atyre nga diaspora.

Sipas kreut të AAK-së, kjo parti do të bashkëqeverisë edhe në të paktën gjashtë komuna të tjera, përmes koalicioneve lokale.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

21:20 14.11.2021

Rama: Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpallur fitoren në Komunën e Prishtinës.

Kandidati i kësaj partie për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama në një konferencë për media, u zotua se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës.

“Unë, Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, zotohem që do të jem kryetar i të gjithëve, ju që jetoni këtu, punoni këtu, që vini e që do të ktheheni”, tha ai.

Rama tha se do të zbatojë të gjitha premtimet e dhëna në fushatën për zgjedhjet lokale.

Ndërkaq, kreu i LDK-së, Lumir Abixhiku shpalli fitore në rundin e balotazhit edhe në Istog, Fushë Kosovë, Viti, Junik dhe Dragash.

“Në Prishtinë do të kujdestarojmë me plot kujdes e përgjegjësi. Është një arritje e jashtëzakonshme për LDK-në dhe për kryeqytetin”, tha Abdixhiku.

Në rundin e balotazhit të mbajtur më 14 nëntor, dalja në zgjedhje ishte rreth 38 për qind.

21:27 14.11.2021

Vitia ia uron fitoren Ramës në Prishtinë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia ka pranuar humbjen në rundin e balotazhit të mbajtur më 14 nëntor.

“Prishtinës i dëshiroj sukses. Inkuadrimi ynë i vonshëm në fushatë dhe moselaborimi i programit mjaftueshëm ka ndikuar”, tha Vitia në një paraqitje për media më 14 nëntor.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, pas numërimit të 98.65 për qind të votave ka fituar 51.08 të votave ndërkaq, Arben Vitia 48.92 për qind të votave.

Në rezultatet preliminare nuk llogariten votat me kusht, të diasporës dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Arben Vitia dhe bashkëshortja e tij duke shkuar për të votuar.
Arben Vitia dhe bashkëshortja e tij duke shkuar për të votuar.

21:41 14.11.2021

Krasniqi: Populli ia ktheu shpinën Albin Kurtit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se partia e tij, në rundin e balotazhit fitoi në pesë komuna. Ai tha se ky rezultat dëshmon se populli i Kosovës refuzon modelin e sundimit nga një njeri.

“Pas këtyre zgjedhje tashmë skena politike në Kosovë ka ndryshuar. Nuk ka më një forcë politike dominuese siç ishte tetë muaj më parë. Populli i Kosovës ia ka kthyer shpinën Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje sepse populli i Kosovës ia ka kthyer shpinën modelit të sundimit nga një njeri”, tha Krasniqi para mbështetësve të partisë së tij në Prizren.

Krasniqi shpalli fitoren në Prizren, Drenas, Vushtrri, Kaçanik, Dragash dhe tha se partia e tij ka fituar në total nëntë komuna në dy rundet e zgjedhjeve lokale.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Fotografi nga arkivi.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Fotografi nga arkivi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG