KQZ: Fillon numërimi i votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se pas mbylljes së vendvotimeve në 21 komunat e Kosovës, ka nisur numërimi i votave.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se në rundin e balotazhit për zgjedhjet lokale, dalja ishte 37.88 për qind apo të drejtën e votimit e kanë ushtruar 475,751 qytetarë.
Garat për kryetarë të komunave u zhvilluan në Prishtinë, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe në Kllokot.
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale mund t'i shikoni KËTU
Në Prizren prin PDK-ja, AAK-ja në Gjakovë
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj po prin në zgjedhje, sipas të dhënave të prezantuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Pas numërimit të 50 për qind të votave, Totaj prin me 54,88 për qind të votave.
Kundërkandidati i tij nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherësh kryetari aktual i komunës, Mytaher Haskuka ka fituar 45 për qind të votave.
Ndërkaq, në Gjakovë po udhëheqë Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Pas numërimit të 47 për qind të votave, Gjini ka fituar 62,19 për qind të votave, ndërkaq kundërkandidatja e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila 37,81 për qind të votave.
Në 21 komuna të Kosovës, të dielën u mbajt rundi i balotazhit. Dalja në zgjedhje ishte rreth 38 për qind.
Rezultatet preliminare: LDK-ja prin në Prishtinë
Sipas rezultateve preliminare, me mbi 40 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje po udhëheq në Kamenicë, Podujevë, Shtime dhe Gjilan. Lidhja Demokratike e Kosovës po prin në Prishtinë, Istog, Fushë Kosovë dhe Viti.
Partia Demokratike e Kosovës prin në Prizren, Gllogoc, Dragash, Kaçanik dhe Vushtrri.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po udhëheq në Gjakovë, Klinë, Rahovec dhe Junik. Ndërkaq Nisma Social Demokrate prin në Malishevë.
Më 14 nëntor, qytetarët votuan në 21 komuna për të zgjedhur kryetarët e rinj.
Vitia: Po presim rezultatet e KQZ-së
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia tha se janë duke pritur rezultat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Vitia tha se sipas rezultateve të deri anishme është duke u zhvilluar një garë e ngushtë me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.
“Është një rezultat i ngushtë. Derisa të përfundon i gjithë numërimi nuk mund të japim asnjë sqarim”, tha Vitia.
Ai ka vlerësuar procesin zgjedhor të jashtëzakonshëm dhe shembull për vendet e rajonit dhe më gjerë.
“Kosova po jep shembull për organizim të zgjedhjeve”, tha ai.
Sipas rezultateve preliminare, pas numërimit të 66 për qind të votave, Rama po prin me 51,24 për qind, ndërkaq Vitia ka 48,76 për qind të votave.