Votuesit e rinj kërkojnë arsim më cilësor
Sinan Korllak, një 18-vjeçar nga Prizreni, për herë të parë ka votuar në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës. Sinani thotë se rinia në këtë qytet nuk gëzon përkrahje, derisa kërkon nga kryetari i ri i komunës ngritje të nivelit të arsimit, si dhe fuqizim të rolit të rinisë.
Përfundon procesi i votimit
Qytetarët në 21 komuna të Kosovës votuan të dielën për të zgjedhur kryetarët e rinj.
Dalja në rundin e balotazhit ishte rreth 38 për qind.
Garat u zhvilluan në Prishtinë, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe në Kllokot.
Vendvotimet u hapën në ora 07:00 dhe u mbyllën në ora 19:00.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin 1,260,571 qytetarë.
DnV: Proces i qetë dhe pa incidente serioze
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim tha se rundi i dytë i zgjedhjeve lokale, që u mbajt më 14 nëntor në 21 komuna të Kosovës, ka qenë i qetë, por me një pjesëmarrje më të ulët në votime krahasuar me rundin e parë.
“Dita e zgjedhjeve nuk është karakterizuar nga ndonjë incident serioz brenda vendvotimeve, që do të mund ta cenonte integritetin apo kredibilitetin e procesit. Gjatë tërë ditës së votimit, është regjistruar një trend përgjithësisht linear i pjesëmarrjes në votime, pa ndonjë fluks të theksuar të votueseve në qendra të votimit”, thuhet në njoftimin e DnV-së.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dalja në zgjedhje ishte rreth 38 për qind.
DnV-ja po ashtu tha se gjatë votimeve ka pasur shkelje të masave kundër pandemisë së koronavirusit, si nga votuesit ashtu edhe nga stafi zgjedhor.
Gjini shpall fitoren në Gjakovë
Kandidati për kryetar të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka shpallur fitoren në këtë komunë.
“Në Gjakovë të gjitha projeksionet na nxjerrin fitues. është lajm i mirë. Është fitore për Gjakovën. Për pak kohë do të dalin edhe rezultate preliminare, që do të konfirmojnë këtë”, tha Gjini.
Gjini, që vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kundërkandidate në rundin e balotazhit e kishte Mimoza Kusari-Lila nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në rundin e parë të zgjedhjeve që u mbajt më 17 tetor, Gjini fitoi 45.76 për qind të votave dhe Kusari-Lila së 37.20 për qind.