Ndërlidhjet

Rritja e rasteve mund ta ngufasë shëndetësinë


Një pacient duke u trajtuar në Klinkën Infektive.
Një pacient duke u trajtuar në Klinkën Infektive.

Klinika Infektive dhe ajo e Pulmologjisë në Prishtinë janë të mbushura me pacientë pas rritjes së rasteve me koronavirus në Kosovë. Zyrtarë të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), thonë për Radion Evropa e Lirë se sërish po shqyrtohet mundësia e ndërprerjes së shërbimeve joemergjente në spitalet e SHSKUK-së.

Gjyshja e Antigona Gashit nga Prishtina qe tri ditë po mjekohet në objektin e Mjekësisë Sportive, në kuadër të SHSKUK-së, pas infektimit me koronavirus. Në Klinikën Infektive më nuk ka vend për pacient të rinj.

“Para tri ditësh, ne kemi shkuar në Infektivë dhe ata na kanë thënë se duhet të shkojmë në një klinikë tjetër, pasi aty nuk kishte vend. Kemi ardhur këtu te Mjekësia Sportive. Mendoj se këtu kushtet për pacientë janë të mira”, deklaroi Gashi për Radion Evropa e Lirë më 5 mars.

Në shtatë ditët e fundit, Kosova ka regjistruar 3.557 raste me koronaviurs dhe vetëm të premten janë regjistruar 564 raste të reja.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi më 5 mars, deklaroi për REL se në Prishtinë dhe në shtatë spitalet rajonale janë të shtrirë 581 pacientë, që janë të prekur me sëmundjen COVID-19. Prej tyre, 35 persona janë në gjendje kritike dhe po trajtohen në reparte të shërbimit intensiv.

Krasniqi shtoi se gjendja me pandeminë, që nga java e kaluar është duke u rënduar dhe aktualisht po përdoren hapësirat e Mjekësisë Sportive për trajtimin spitalor të pacientëve.

Ai tha se në rast të rritjes të rasteve, do të shikohen mundësitë që t'i ndërpresin shërbimet tjera joemergjente në spitale.

“Nëse vazhdohet ky trend i rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, ne do të kemi shumë vështirësi si spitale, si SHSKUK, që të pranojmë të gjithë pacientët që eventualisht do të kërkonin trajtim spitalor. Ju e dini që Kosova nuk ka arritur të ketë spital të veçantë për COVID-19. Kemi pasur kapacitete me shtretër që i kemi edhe në kushte normale, pa pandemi. Prandaj, çdo rritje e numrit të rasteve që kërkojnë trajtim spitalor, në një mënyrë na kushtëzon që ta marrim shtratin e një pacienti tjetër”, tha Krasniqi.

Nga spitalet rajonale, me më së shumti pacientë të shtrirë është Spitali i Prizrenit, ku trajtim po marrin rreth 100 pacientë, më pas ai i Gjakovës me 72 pacientë. Në Spitalin e Pejës po trajtohen 50 vetë, kurse në spitalin e Mitrovicës, së Vushtrrisë dhe Ferizajt ka numër më të vogël të pacientëve që po trajtohen.

Krasniqi kërkoi me ngulm respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së mëtejme të koronavirusit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, pas një takimi që ka pasur me ministrin e Shëndetësisë, drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe atë të SHSKUK-së, ka deklaruar se vendi gjendet para një vale të re të shpërthimit të pandemisë COVID-19. Ai ka kërkuar që të mirëmbahen masat në fuqi dhe të respektohen ato.

“Institucionet shëndetësore janë duke punuar intensivisht për rritjen e kapaciteteve, sigurimin e barnave dhe rritjen e numrit të personelit mjekësor", ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook.

Sa i përket furnizimit me vaksina, Hoti ka deklaruar se "gjatë këtij muaji pritet të arrij kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX".

Ai shtoi se nga ky mekanizëm Kosova do të përfitojë 100 mijë e 800 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Kosova vazhdon të jetë ende i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka arritur të sigurojë asnjë lloj të vaksinës kundër koronavirusit.

Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxford-it, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG