Ndërlidhjet

Çfarë parasheh reciprociteti sipas të Drejtës Ndërkombëtare?


Pikëkalimi kufitar në Merdare. Fotografi nga arkivi.
Pikëkalimi kufitar në Merdare. Fotografi nga arkivi.

Ngjashëm me taksën doganore prej 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovinës edhe masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, të cilën e ka paralajmëruar kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, nuk po hasë në mbështetjen ndërkombëtare.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka thënë se Kosova duhet ta heqë taksën dhe është kundër masave të reciprocitetit.

Zëdhënësi i tij, Dick Custin, tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100 për qind ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian ende nuk është deklaruar lidhur me këtë çështje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka paralajmëruar se taksa prej 100 për qind, të cilën qeveria paraprake e kishte vendosur ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, do të hiqet dhe do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit.

"Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë (v.j reciprocitetin). Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës", ka shkruar Kurti në Facebook.

Si zbatohet reciprociteti?

Njohësit e çështjeve juridike ndërkombëtare në vend vlerësojnë që në rast se Kosova aplikon masa të reciprocitetit ndaj Serbisë, ato nuk janë në kundërshtim me parimet, të cilat janë të pranuara nga e drejta ndërkombëtare.

Sipas tyre, reciprociteti, në të drejtën ndërkombëtare, konsiderohet si një parim i pranuar në mënyrë universale, ku një shtet miraton një sjellje të caktuar simetrike, si përgjigje ndaj një veprimit të ngjashëm, i cili është miratuar nga shteti tjetër.

Vigan Qorolli, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë që përkufizimi më i specializuar i reciprocitetit në kuptimin e të drejtës ndërkombëtare, nënkupton që një shtet i caktuar, i bën koncesion të ndërsjellë epërsive dhe privilegjeve për qëllime të marrëdhënieve tregtare dhe diplomatike shtetit tjetër të caktuar. Por, ky parim i reciprocitetit, sipas tij, vlen edhe në kuptimin negativ.

“Mbi të gjitha, shikuar nga marrëdhëniet ndërkombëtare, reciprociteti është një koncept praktik dhe është veprim ekuivalent dhe i cili varet nga një veprim ose reagim i një shteti tjetër. Për ta shpjeguar në terma praktik dhe jo shumë dogmatik, kjo nënkupton që nëse Serbia, në këtë rast, nuk i lejon shtetasit e Kosovës që të hyjnë brenda territorit të saj me tabela veturash me regjistrim të Republikës së Kosovës, atëherë edhe Kosova i përgjigjet me të njëjtën monedhë, pra, nuk i lejon tabelat me regjistrim të Serbisë që të hyjnë në Republikën e Kosovës”, tha Qorolli.

Ai shtoi se ky raport simetrik vlen edhe në kuptimin ekonomik, në atë doganor dhe në të gjitha fushat tjera.

Parimin e reciprocitetit ngjashëm e shpjegon edhe Iliriana Islami, po ashtu, profesoreshë e të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. Madje, siç thotë ajo për Radion Evropa e Lirë, masën e reciprocitetit e sheh si të më butë, për shkak se masat e tilla mund të evoluojnë në masa, siç quhen, shpagimi (retorsion) apo të skajshme, siç janë reprezaljet. Megjithatë, sipas saj, për masat e reciprocitetit, të ngjashme siç i ka paralajmëruar Qeveria e Kosovës, në botë nuk krijohen situata dramatike.

“Në botë, ato merren, por nuk trajtohen si ndonjë rast, si diçka që konsiderohet i nivelit që duhet të trajtohet, për shkak se është në vullnetin e dyanshëm të shteteve dhe qeveritë veprojnë në mënyrë të ndërsjellë. Pra, i kundërpërgjigjen veprimeve të një qeverie të caktuar. Kështu që, nuk konsideron si raste që duhet të analizohen në aspektin shkollor. Mirëpo, konsiderohen më shumë si sanksione. E ato trajtohen, kur janë ndërmarrë dhe pse janë ndërmarrë, sepse janë mënyra e vetme që e ‘zbutë’ shtetin apo e arrin një qëllim të caktuar një shtet i caktuar”, tha Islami.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar që Kosova nuk mund të aplikojë masa reciprociteti ndaj Serbisë, për shkak se kjo e fundit nuk e njeh atë si shtet.

Megjithatë, Vuçiq, në vazhdimësi ka kërkuar heqjen e taksës ndaj prodhimeve të Serbisë, si kusht për vazhdimin e dialogut me Kosovën.

Heqjen e taksës e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Profesor Qorolli, vlerëson se heqja e taksës dhe vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë, mund të rezultojë pozitivisht për të dyja vendet.

“Zëvendësimi i taksës me një masë reciprociteti mund të jetë një rrethanë kur do ta avancojë raportin, të themi, tregtar, diplomatik, ekonomik, por edhe ligjor në mes dy shteteve, të cilat në momentin kur e nënshkruajnë marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, që lidhet me arritjen e një paqeje përfundimtare, atëherë reciprociteti do të ishte një faktor kontribuues për inkurajimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale në mes Kosovës dhe Serbisë”, vlerësoi Qorolli.

Profesoresha Islami, thekson që pavarësisht vlerësimeve në Serbi, reciprociteti ndaj saj nga ana e Kosovës do të jetë funksional.

“Funksionon gjithsesi. Përkundër faktit që nuk na ka njohur Serbia, ne veprojmë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën tonë. Kështu që, nëse qeveria i ndërmerr të gjitha veprimet që konsiderohen në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, si akti më i lartë, atëherë konsiderohen si masa të një shteti që i përgjigjet kundër veprimeve të shtetit tjetër. Kështu që kjo është shumë në rregull me të drejtën ndërkombëtare”, u shpreh Islami.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, ka deklaruar që krahas vullnetit të shprehur që ta heqë taksën prej 100 për qind për prodhimet e Serbisë, pret që kjo e fundit të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Më herët, i dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka deklaruar ditë më parë që Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, ndërkaq që Serbia duhet të ndërpresë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut të mëtejmë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG