Ndërlidhjet

Mungojnë votat, por shtohen përplasjet rreth Demarkacionit


Disa pengesa të vendosura në fshatin Çakorr, në kufi mes Kosovës dhe Malit të Zi. Foto nga arkivi
Disa pengesa të vendosura në fshatin Çakorr, në kufi mes Kosovës dhe Malit të Zi. Foto nga arkivi

Opozita në Kosovë po e fajëson koalicionin qeverisës se po e hedh fajin në fushën e gabuar rreth ratifikimit të Demarkacionit. Përplasjet janë evidente sidomos në raportet mes partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, përkatësisht Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Rikthimin e përplasjeve ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht kryetarit të saj dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kjo e fundit po e sheh si përpjekje për të shmangur të vërtetën rreth mungesës së votave për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit.

Nga kabineti i kryeministrit Haradinaj, por edhe nga tabori i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, janë ngritur kritika në adresë të LDK-së për ndryshimin e tekstit të marrëveshjes së arritur ndërmjet partive të koalicionit qeverisës dhe LDK-së. Fjala është për përfshirjen në pako me projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit, edhe raportin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, i cili ngre dyshime të shumta rreth saktësisë së Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani tha gjatë një konference për medie se Qeveria do të duhej të falënderonte LDK-në, e cila si parti opozitare i ka dhënë mbështetje Projektligjit të propozuar nga Qeveria e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit.

“Ne nuk kemi propozuar tekst tjetër. Po ai tekst, pra, teksti identik, ka kaluar në Komision për Politikë të Jashtme. Ne nuk besojmë se aty ka pasur ndryshime thelbësore. Qasja e AAK-së, në këtë rast, ka qenë tërësisht e papranueshme, sepse siç duket, kanë probleme brenda partnerëve të koalicionit dhe po tentojnë që ta zhvendosin vëmendjen diku tjetër, në raport me LDK-në”, tha Osmani.

Megjithatë, koalicioni qeverisës, pavarësisht mbështetjes së LDK-së për ratifikimin e Demarkacionit, nuk ka arritur që tash për tash, ta bindë edhe Listën Serbe për votimin e kësaj marrëveshjeje, pavarësisht se ajo është pjesë e Qeverisë Haradinaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi ka thënë se ka disa paqartësi rreth pikave që do të përmbajë pakoja e Projektligjit për ratifikimin e Demarkacionit, por sipas tij, në bashkëbisedime me LDK-në kjo çështje mund të rregullohet.

Një deputet i Kuvendit të Kosovës, duke shikuar një hartë për demarkimin e kufirit me Malin e Zi
Një deputet i Kuvendit të Kosovës, duke shikuar një hartë për demarkimin e kufirit me Malin e Zi

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj beson se mungesa e konsensusit për Demarkacionin, duhet të jetë një zhvillim shqetësues për të gjithë. Sipas tij, nuk ka nevojë që të humbet më kohë me deklarata, por duhet të veprohet shpejt me votim dhe ratifikim të Marrëveshjes.

“Ne mendojmë që ajo çfarë do të duhej të thuhej për ratifikimin e Marrëveshjes, e cila do të duhej ta përmbyllte shënjimin e vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, në këto dy apo tri vitet e fundit është thënë. I dimë argumentet, i dimë faktet, i dimë perceptimet, i dimë opinionet, i dimë dallimet, i dimë qëndrimet e këtij komisioni dhe të atij komisioni dhe nuk ka nevojë më që Kosova të humbë kohë. Nuk ka nevojë me që të dëgjojmë narracione, të cilat i kemi dëgjuar edhe në këto tre javët e fundit”, theksoi Hoxha.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës, në momentin e formimit, pati marrë 61 vota në Kuvend. Ndërkaq, në mungesë të përkrahjes nga Lista Serbe, ky koalicion mëton se i ka 50 deri në 51 vota për ratifikimin e Demarkacionit. Duke ia shtuar këtij numri edhe 27 votat e LDK-së, Marrëveshja, besohet se e ka mbështetjen e 77 apo 78 deputetëve, çka është e pamjaftueshme për ratifikim, ngase nevojiten 80 vota për kalimin e saj.

Në rrethana të tilla, në spektrin politik në Kosovë po besohet se nga java e ardhshme do të mund të rifillojnë bisedimet me Listën Serbe, votat e të cilës mbeten jetike për kalimin e Demarkacionit.

Ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, mbetet kusht i domosdoshëm për Kosovën për përfshirjen e saj në agjendën evropiane të liberalizimit të vizave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG