Ndërlidhjet

Shtyhet sërish votimi për Demarkacionin


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë sërish votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Deri te shtyrja, erdhi sërish për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, pavarësisht faktit që një ditë më herët, krerët e koalicionit qeverisës kishin deklaruar se janë siguruar 80 votat e nevojshme.

“Me pajtim të kryetarëve të grupeve parlamentare, seanca e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, shtyhet për një ditë tjetër”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

As kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka specifikuar se kur mund të pritet vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin.

“Nga praktika, besoj që e dini që seancat e tilla nuk kryhen për një ditë. Zakonisht marrin kohë, debat, përgatitje, negocime. Pra, sot një pjesë e punës ndodhi, ajo e Komisionit (parlamentar për Punë të Jashtme) dhe mendoj që është një punë më pak për ditën e radhës. Unë jam optimist që do të kryhet agjenda e paraparë për ratifikim për Demarkacion”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, më herët, gjatë fillimit të seancës së jashtëzakonshme, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka konstatuar se në sallën ku po mbahet seanca ishin të pranishëm 67 deputetët nga 120 sa ka Kuvendi. Deputetët e Listës Serbe nuk kanë qenë fare të pranishëm në këtë seancë.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hoti ka prezantuar marrëveshjen e arritur me partitë e koalicionit në pushtet, përfshirë minoritetet joserbe për tekstin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Kryeparlamentari Veseli kërkoi pauzë të seancës, me qëllim që shefat e grupeve parlamentare t’i harmonizojnë qëndrimet për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, i cili më pas do të nxirret në votim para deputetëve.

Më pas, Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme, me shumicë votash, ka votuar në favor të plotësimit të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Në anën tjetër, delegacioni më i lartë i BE-së, i kryesuar nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini dhe Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn po vizitojnë Prishtinën.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli paralajmëroi se nuk ishte e sigurt nëse do të vazhdojë seanca edhe për shkakun se ishin paraparë e takime të drejtuesve të institucioneve me delegacionin e BE-së.

“Nuk e di se a do të mund të vazhdojë seanca në kohën kur është vizita këtu. Por, sigurisht ne do të punojmë dhe unë e di se sot ose pak më vonë, Demarkacioni do të kalojë”, tha Pacolli.

Aktualisht, subjekti opozitar Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe nuk po e mbështesin ratifikimin e Demarkacionit.

Shefi i grupit parlamentar të partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, u ka bërë thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes.

“Në seancë ju e patë se ne e prezantuam marrëveshjen që e kemi arritur me partitë e koalicionit, përfshirë edhe minoritetet joserbe. Unë ftoj tash që edhe Vetëvendosje të bashkohet në këtë kauzë, ta përmbyllim këtë çështje shumë të rëndësishme”, theksoi Hoti.

Sipas përllogaritjeve të tashme, janë rreth 76 – 78 vota të deputetëve, në favor të Demarkacionit.

Çështja e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje po zgjatë që nga viti 2015, kur Prishtina dhe Podgorica e kishin nënshkruar atë në Vjenë. Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar tashmë marrëveshjen, por jo edhe ai i Kosovës, për shkak të mungesës së konsensusit të brendshëm politik.

Dështimi eventual i ratifikimit të Marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës, besohet se do të krijonte pasoja të mëdha politike për Kosovën, qoftë për kah dështimi i marrëveshjes me Malin e Zi apo edhe me humbjen e rastit për liberalizimin e vizave, ngase ratifikimi mbetet kusht i Bashkimit Evropian për hapjen e perspektivës për qytetarët e Kosovës për lëvizjen e lirë, pa viza.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG