Ndërlidhjet

Beograd, 15 mars 2025
Beograd, 15 mars 2025

Vuçiq thotë se pushteti "e kuptoi mesazhin" nga protesta në Beograd

Mijëra qytetarë protestuan në Beograd, pas thirrjes së studentëve, të cilët, për më shumë se katër muaj, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në Novi Sad.

Pesëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë, studentët - të mbështetur edhe nga akademikë dhe qytetarë të tjerë - organizojnë protesta dhe bllokojnë fakultete.

"Të gjithë njerëzit në pushtet duhet ta kuptojnë mesazhin kur mblidhen kaq shumë njerëz. Ne do të duhet të ndryshojmë", tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas protestës.

11:16 15.3.2025

Pezullohet transporti publik në Beograd

Të gjitha mjetet transportuese të kompanisë së transportit të qytetit të Beogradit janë tërhequr nëpër garazhet e tyre prej mëngjesit të së shtunës, dhe nuk do të operojnë gjatë ditës.

Përveç tyre edhe linjat private të transportit nuk janë duke operuar prej pasdites të së premtes.

12:34 15.3.2025

Daçiq: 13 persona janë ndaluar gjatë natës

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) se janë regjistruar disa incidente në Beograd përgjatë natës, dhe që 13 persona janë ndaluar.

“Disa janë ndaluar për prishje të rendit publik. Të gjitha këto incidente janë drejtuar kah Parku i Pionierit. Shumica e traktorëve janë dëmtuar. Ka pasur tentime për t’ua vënë zjarrin traktorëve”, ka thënë Daçiq.

Rreth 10 ditë para protestës, një grup i quajtur “Studentët 2.0” është mbledhur në Parkun e Pionierit në Beograd, duke kërkuar që t’iu jepet fund bllokadave në fakultete.

Ata e quajnë veten “studentët që duan të mësojnë”.

Disa e fajësojnë partinë në pushtet të presidentit serb, Aleksndar Vuçiq, Partinë Përparimtare Serbe se qëndron mbrapa protestave të studentëve që janë mbledhur në park.

12:39 15.3.2025

Studentët mbajnë 15 minuta heshtje

Studentët kanë mbajtur 15 minuta heshtje në disa pjesë të Beogradit, si shenjë përkujtimi për 15 viktimat e Novi Sadit.

Ky akt përsëritet çdo ditë nëpër Serbi në orën 11:52 - kohën e saktë kur është rrëzuar streha prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

14:15 15.3.2025

Rojet nuk lejojnë askënd që t’i afrohet Parkut të Pionierit

Rojet e studentëve nuk janë duke lejuar protestuesit që janë nisur nga drejtime të ndryshme që t’i afrohen Parkut të Pionierit, ku një grup studentësh janë duke protestuar, si shenjë kundërshtimi për bllokimin e fakulteteve.

Grupi “Studentët 2.0” janë duke qëndruar në këtë park që disa ditë. Ata e quajnë veten “studentët që dëshirojnë të mësojnë”.

Ata janë mbështetur nga veteranët e një njësiti kontrovers ushtarak, krimineli i dënuar i luftës, Vlladimir Llazareviq, dhe ish-komandanti i xhandarmërisë, Goran Radosavleviq – Guri.

Emri i Gurit përmendet për vrasjen e Vëllezërve Bytyqi, prandaj Departamenti amerikan i Shtetit ia ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG