MPB jep vlerësime për numrin e pjesëmarrësve
Ministria e Brendshme e Serbisë vlerësoi se 107.000 njerëz po marrin pjesë në protestën e sotme në Beograd.
Deri më tani nuk ka pasur incidente të mëdha apo shkelje të rendit publik, thuhet në njoftim.
Pamje nga Sheshi Sllavija në qendër të Beogradit
Autoriteteve u kërkohet t’i lejojnë gazetarët e huaj të punojnë
Shoqata e Gazetarëve të Serbisë (UNS) u bëri thirrje autoriteteve shtetërore serbe që t’i lejojnë gazetarët e huaj të hyjnë në vend dhe të kryejnë punën e tyre të papenguar.
Organizata tha se reagon pas raporteve se, dje dhe sot, gazetarë të caktuar nga Kroacia dhe Sllovenia janë penguar të raportojnë nga protestat në Beograd.
“Gazetares së RTL-së nga Kroacia, Iva Anzulloviq, sot iu ndalua hyrja në Serbi dhe u kthye nga pika kufitare me arsyetimin se përbënte kërcënim për sigurinë. Policia serbe ka penguar edhe hyrjen në vend të gazetarit slloven të POP TV-së, Marko Gregorac”, thuhet në deklaratë.
Sipas saj, një ditë më parë, Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike (ANEM) është informuar se së paku dy ekipe gazetarësh nga Kroacia janë penguar të hyjnë në Serbi.
Nisin fjalimet në sheshin Sllavija
Në sheshin Sllavija të Beogradit, studentët kanë nisur t’i mbajnë fjalimet.
“Shikojeni sa shumë jemi këtu. Le të zgjojë zëri ynë Serbinë”, ka thënë një student para turmës.
Një numër i madh njerëzish janë ende para ndërtesës së Parlamentit të Serbisë dhe në rrugët në afërsi.