Ndërlidhjet

Politika në një vit në Shqipëri dhe sfidat në 2024-tën


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë pritjes së liderëve që morën pjesë në samitin e Procesit të Berlinit. Tiranë, 16 tetor 2023.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë pritjes së liderëve që morën pjesë në samitin e Procesit të Berlinit. Tiranë, 16 tetor 2023.

Zhvillimet politike në Shqipëri gjatë vitit 2023 i mbizotëruan përplasjet dhe debatet brenda Partisë opozitare Demokratike (PD), që u shtuan me vënien nën hetim të udhëheqësit të saj, Sali Berisha, si dhe çështja “Beleri”.

Sipas analistëve dhe njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, të dyja këto çështje presin zgjidhje në vitin 2024.

Ecuria e tyre, por kryesisht puna që po bën Prokuroria e Posaçme (SPAK) do të përcaktojë edhe përparimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Në samitin e Këshillit Evropian, të mbajtur më 16 dhjetor, nuk kishte pajtim për hapjen e grupit të parë të kapitujve në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, për shkak të vetos greke.

Nga ana tjetër, Këshilli theksoi se “dialogu politik gjithëpërfshirës dhe konstruktiv në vend mbetet thelbësor për ta çuar përpara miratimin e reformave të lidhura me BE-në”.

Opozita e përçarë dhe në pritje të verdiktit të gjykatave

Analisti shqiptar, Mentor Kikia, thotë se përçarja e partisë më të madhe opozitare, PD-së, mbizotëroi zhvillimet politike dhe vëmendjen mediatike deri në atë pikë saqë mbeti jashtë vëmendjes monitorimi i punës së Qeverisë së udhëhequr nga Edi Rama, në mandatin e tretë të saj.

“Viti politik u sundua nga një debat që kishte në epiqendër PD-në, të ndarë në së paku dy pjesë. I gjithë diskursi publik dhe hapësira mediatike i kushtoi kohë këtij debati, se cili grupim ka më shumë deputetë dhe mbështetës, apo kujt i takon vula dhe logoja - një proces që po zvarritet në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe nuk ka ende një vendim”, thotë Kikia për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se pikërisht ky debat nuk e lejoi opozitën të bënte një analizë për arsyet e humbjes në zgjedhjet lokale, që u mbajtën në mars të vitit 2023.


Sipas analistit, fillimi i vjeshtës shënoi një prag të ri të zhvillimeve politike, për shkak të hetimeve që Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, për korrupsion në privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

“Ky zhvillim i dha një kthesë tjetër politikës opozitare. Me grupimin e Berishës u bashkua edhe një tjetër grup deputetësh, që kishin qëndruar në mes të përplasjes Berisha-Basha [kryetari i PD-së, Lulzim Basha]. Kjo solli tjetër qasje të parlamentarizmit. Këta deputetë bllokuan funksionimin normal të komisioneve parlamentare dhe të Kuvendit, prodhuan skena të bllokimit përmes tymueseve, por nuk prodhuan krizë parlamentare. Edhe mes tymit, shumica miratoi ligjet - mes tyre edhe ligjin më të rëndësishëm, buxhetin e shtetit, e miratoi në pak minuta”, thotë Kikia.

Ai thekson se pikëpyetjet për krizën e përfaqësimit të PD-së dhe për mënyrën se si do të funksionojë opozita pas vendimit për “arrest shtëpie” për Sali Berishën, duket se do ta mbizotërojnë politikën edhe në vitin e ri.

“Është e vështirë të bësh parashikime në politikën shqiptare, por duket se kjo çështje do të mbizotërojë edhe më 2024. Për këtë arsye do të jetë më e dobët vëmendja ndaj qeverisjes, cilësisë së saj, rezultateve të saj në mandatin e tretë dhe pretendimeve të kryeministrit Edi Rama për një mandat të katërt”, thotë Kikia.

Polarizimi politik mban peng disa ligje e reforma

Sesioni parlamentar për 2023-ën u mbyll mes tymueseve dhe protestës së opozitës. Me dhënien e autorizimit për SPAK-un, për heqjen e imunitetit të Sali Berishës dhe kalimit të disa projektligjeve vetëm me votat e të majtëve, Kuvendi i mbylli punimet për t’u rikthyer sërish në janar të vitit 2024 - me gjasë me të njëjtën panoramë: opozita në protestë, një pjesë e saj në bojkot për shkak të këtij kaosi dhe mazhoranca që i kalon e vetme ligjet.

Ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash, pra edhe votën e një pjese të opozitës, vazhdojnë të mbeten peng i mosmarrëveshjeve mes palëve. Mes tyre edhe Ligji për pagat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, Amnistia Penale nuk mundi të kalojë për votim, duke lënë pa përfituar prej saj rreth 600 të burgosur. Pezull ka mbetur edhe zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit, ashtu si edhe Ligji për rikthimin e lojërave të fatit.

Kjo situatë politike me përplasje brenda opozitës, por edhe mes saj dhe shumicës po rrezikon edhe një prej reformave më të rëndësishme në Shqipëri - reformën zgjedhore.

Arritjet e politikës së jashtme dhe çfarë do të sjellë 2024-ta?

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, në konferencën e fundvitit me gazetarë, tha se diplomacia shqiptare në vitin 2023 ishte një periudhë e paprecedentë arritjesh dhe suksesesh.

“Shqipëria pati një progres të rëndësishëm në procesin e integrimit. Në lidhje me negociatat me BE-në presim lajme të mira në fillim të vitit 2024”, tha Hasani pa specifikuar më shumë.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, thotë se problemet më të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare, Shqipëria i ka me Greqinë.

Ai thotë se “Beleri” është një çështje e vogël, por se gjithsesi e pengoi hapjen e negociatave me BE-në.

Kush është Fredi Beleri?


Fredi Beleri ka garuar për kryetar bashkie në qytetin jugor shqiptar të Himarës, nën siglën e një partie të minoritetit grek, të lidhur me një koalicion opozitar.

Beleri është arrestuar në mes të majit, nën dyshimet për blerje votash. Edhe pse i ka fituar zgjedhjet, ai mbetet në paraburgim, gjë që ka shkaktuar protesta të zhurmshme nga Greqia dhe akuza nga Tirana se Athina po ndërhyn në drejtësinë e Shqipërisë.

Krisafi beson se kjo çështje do të zgjidhet në fillim të vitit 2024, pasi të dyja palët duket se janë dakord me zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Himarë.

Si çështje më të madhe, ai sheh “kufirin detar” mes dy vendeve, që edhe pse u ra dakord ta dërgonin në Gjykatën e Hagës, asnjëra palë s’e ka bërë, si dhe pronat e minoritarëve grekë apo atyre shqiptarë në Greqi, për të cilat thotë se do të jenë temë e nxehtë në të ardhmen.

“Përparimi drejt BE-së varet nga puna e SPAK-ut”

Për hapjen e kapitujve të parë të negociatave me BE-në duhen pritur samitet e Këshillit Evropian, që mbahen zakonisht në qershor dhe dhjetor të çdo viti.

Krisafi thotë se vetoja greke do të ketë marrë zgjidhje deri atëherë, por si faktor kryesor në rrugën drejt integrimit, ai vlerëson funksionimin e drejtësisë, konkretisht punën e SPAK-ut.

“Edhe pse është vënë theksi te dialogu politik, ndërkombëtarët e kanë të qartë se opozita është në një proces vetëreflektimi, ndërsa ngërçi me Greqinë për çështjen ‘Beleri’ është i përkohshëm. Kështu që në këtë drejtim, jemi një hap para vendeve të tjera të rajonit, edhe pse Serbia e Mali i Zi kanë hapur kapitujt e parë, nuk i kanë përmbyllur për shumë arsye, dhe janë në vend-numëro. Ajo që po bën më shumë Shqipëria, është puna e SPAK-ut. Nëse vijojmë të tregojmë se Shqipëria po heton e po çon në burg ish-zyrtarë dhe zyrtarë, jep një sinjal të fortë se ligji po funksionin”, thotë Krisafi.


Sipas tij, një pjesë e madhe e integrimit varet nga puna që do të bëjë ky institucion.

Shqipëria mori dritën jeshile për hapjen e negociatave me BE-në në vitin 2022, por procesi i anëtarësimit mund të zgjasë me vite.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG