Ndërlidhjet

Varianti Omicron vazhdon të përhapet nëpër botë


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Varianti i ri i koronavirusit, i emëruar Omicron, po vazhdon të përhapet nëpër botë, teksa shumë shtete kanë vendosur masa kufizuese për udhëtimet nga Afrika, ku për herë të parë u identifikua ky variant.

Omicron besohet se është më infektues se variantet paraprake, edhe pse ekspertët ende nuk e dinë nëse ky variant shkakton sëmundje më të rëndë.

Më 26 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Omicron, që fillimisht u identifikua në Afrikën e Jugut, ishte “variant shqetësues”.

Zyrtarët në Afrikën e Jugut kanë thënë se 90 për qind e rasteve të reja janë me varaintin Omicron, që ka numër të madh të mutacioneve.

Raste me Omicron kanë regjistruar edhe Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Belgjika, Danimarka, Botsvana, Izraeli, Australia, Hong Kongu dhe Çekia. Ndërkaq, Austria është duke hetuar raste të dyshuara me këtë variant.

Më 27 nëntor, kryeministri britanik, Boris Johnson njoftoi se të gjithë personat që do të hyjnë në shtet duhet t’i nënshtrohen testit PCR për koronavirus dhe derisa të dalin negativë, duhet të vetizolohen. Po ashtu, të gjithë personat që janë raste kontakti të të infektuarve me Omicron, duhet të izolohen për dhjetë ditë.

Edhe Shtetet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime në udhëtimet nga shtetet në jug të Afrikës, me qëllim që të frenojnë përhapjen e variantit Omicron.

Eksperti kryesor për sëmundje infektive në SHBA, Anthony Fauci tha se edhe pse ende nuk janë regjistruar raste me Omicron, “nuk do të ishte befasi” që ky variant veçse ka arritur në shtet.

Megjithatë, ekspertët po vazhdojnë të kryejnë studime për të kuptuar nëse ky variant shkakton sëmundje më të rëndë. Angelique Coetzee nga Shoqata e Mjekëve të Afrikës së Jugut ka thënë për BBC se dy persona që janë infektuar me këtë variant, nuk janë sëmurë rëndë, po ashtu edhe rastet e tjera nuk kanë zhvilluar sëmundje të rëndë.

“Pacientët kryesisht ankohen për dhimbje trupi dhe lodhje dhe këto simptoma ne i kemi hasur te pacientët e rinj, jo te personat më në moshë”, ka thënë ajo.

Coetzee ka thënë se ka frikë se ky variant mund të prekë edhe më të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje kronike, siç janë problemet me zemër apo diabet.

Simptomat e variantit të ri janë të pazakonta, por të buta, tha ajo, duke shtuar se fillimisht ishte shqetësuar për mundësinë e një varianti të ri, kur pacientët kishin shkuar në oridinacën e saj në Pretoria në fillim të nëntorit, duke u ankuar se ndihen shumë të lodhur.

Coetzee ka qenë mjekja e parë në Afrikën e Jugut që ka alarmuar autoritetet për variantin e ri më 18 nëntor.

Në anën tjetër, më 28 nëntor, qytetarët në Zvicër po votojnë në një referendum, për të vendosur nëse duhet të prezantohet masa për certifikata për COVID-19, që do të lejonte vetëm njerëzit e vaksinuar, ata që dalin negativë në teste dhe që e kanë kaluar virusin, të marrin pjesë në ngjarje publike dhe tubime. Sondazhet sugjerojnë se shumica do të miratojnë masat e reja.

Pavarësisht se Evropa është shndërruar sërish në epiqendër të pandemisë, Qeveria zvicerane nuk ka vendosur kufizime të ashpra.

Në herët gjatë kësaj jave, autoritetet shëndetësore në Zvicër kanë paralajmëruar se vendi mund të përballet me “valën e pestë” të pandemisë, teksa Zvicra po përballet me rritjen e rasteve të reja.

Për shkak se varianti Omicron krijon shumë mutacione, kompanitë farmaceutike, përfshirë Pfizer/BioNTech dhe Moderna, kanë nisur punën në modifikimin e vaksinave të tyre kundër koronavirusit, pasi ende nuk dihet nëse vaksinat ekzistuese janë efektive ndaj këtij varianti. Megjithatë, modifikimi i vaksinave merr kohë dhe më pas duhet që të njëjtat të miratohen edhe nga rregullatorët.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG