Ndërlidhjet

Shkencëtarët në Afrikën e Jugut përgatiten për valën e re të COVID-19


Një grua në një taksi mban maskë me ngjyrat e flamurit të Afrikës së Jugut. Soveto, Afrikë e Jugut, 26 nëntor 2021.
Një grua në një taksi mban maskë me ngjyrat e flamurit të Afrikës së Jugut. Soveto, Afrikë e Jugut, 26 nëntor 2021.

Teksa bota po përballet me shfaqjen e variantit të ri shumë të transmetueshëm të COVID-19, shkencëtarët në Afrikën e Jugut – ku varianti Omicron u identifikua për herë të parë – po përpiqen që të frenojnë përhapjen e shpejt të këtij varianti.

Brenda dy javësh, varianti Omicron ka bërë që në Afrikën e Jugut të rriten rastet e reja me sëmundjen COVID-19. Rastet e reja në këtë shtet janë ende në nivele relativisht të ulëta, me 2,828 raste të konfirmuara të premten, por përhapja e variantit Omicron, që po infekton të rinjtë në Afrikën e Jugut, ka alarmuar profesionistët shëndetësorë.

“Ne po shohim një ndryshim në profilin demografik të pacientëve me COVID-19”, tha Rudo Mathivha, udhëheqëse e njësisë së kujdesit intensiv në një spital në Johanesburg.

“Të rinjtë, në të 20-tat deri në të 30-tat po vijnë në spital me sëmundje të moderuar deri në sëmundje të rëndë dhe disa prej tyre kanë nevojë për kujdes intensiv. Rreth 65 për qind nuk janë të vaksinuar dhe shumica e personave të tjerë janë të vaksinuar me një dozë. Jam e shqetësuar se numri i rasteve do të rritet dhe ndërtesat e kujdesit publik shëndetësor do të mbingarkohen”, tha Mathivha.

Ajo tha se po bëhen përgatitjet që sistemi shëndetësor të mund t’i bëjë ballë rritjes së numrit të pacientëve, të cilët mund të kërkojnë trajtim në kujdesin intensiv.

“E dimë që kemi një variant të ri. Skenari më i keq është se do të na godas si Delta... ne duhet të bëhemi gati”, tha ajo.

Më 26 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikoi si “shqetësues” variantin Omicron, që fillimisht u identifikua në Afrikën e Jugut.

Rastet e para u identifikuan në mesin e disa studentëve në Pretoria dhe më pas u regjistruan edhe në Johanesburg, kryeqytetin e Afrikës së Jugut.

Gjatë një studimi të rritjes së rasteve, shkencëtarët identifikuan variantin e ri, që testet diagonistike tregojnë se ka të ngjarë që është përgjegjës për 90 për qind të rasteve të reja, thanë zyrtarët shëndetësorë të Afrikës së Jugut. Studimet e hershme treguan se ky variant ka një shkallë të riprodhimit prej dy, që do të thotë se çdo person i infektuar me variantin e ri ka të ngjarë që e përhapë atë te dy persona të tjerë.

Izolim e protesta në mbarë Evropën
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:06:34 0:00

Varianti i ri ka numër të madh të mutacioneve dhe duket se është më i transmetueshëm. Ky variant po ashtu besohet se ka të ngjarë që të shmangë përgjigjen imunitare.

“Ky variant është shumë shqetësues. Që të gjithë jemi shumë të shqetësuar lidhur me këtë virus”, tha për Associated Press profesori, Willem Hanekom, drejtor i Institutit afrikan për Hulumtime të Shëndetit.

“Varianti është kryesisht në provincën Gauteng, në zonën e Johanesburgut të Afrikës së Jugut. Por, të dhënat e testeve të kryera sugjerojnë se ky variant veçse është shpërndarë në gjithë Afrikën e Jugut”, tha Hanekom.

“Reagimi i shkencëtarëve në Afrikën e Jugut është se ne duhet të mësojmë më shumë (për variantin e ri) sa më shpejt që të jetë e mundur. Për shembull, ne nuk e dimë sesa virulent është virusi, që do të thotë nuk e dimë se në çfarë mase mund të shkaktojë sëmundje ky variant”, shtoi ai.

Faktor kyç duket se është vaksinimi. Varianti i ri duket se përhapet më shpejt në mesin e personave të pavaksunuar. Aktualisht, vetëm 40 për qind e popullatës së rritur në Afrikën e Jugut janë të vaksinuar dhe numri i të vaksinuarve në grupmoshën 20-40 vjeç është më i ulët.

Përderisa shkencëtarët bëjnë përpjekjet e tyre për të mësuar më shumë rreth variantit Omicron, qytetarët e Afrikës së Jugut duhet të marrin masa që ta mbrojnë veten nga ky virus, tha Hanekom.

“Kjo është një mundësi unike. Ka ende kohë që njerëzit të vaksinohen, pasi ne besojmë se vaksina do të ofrojë një lloj mbrojtjeje, veçanërisht kundër infektimeve të rënda dhe vdekjes. Prandaj u bëj thirrje njerëzve që të vaksinohen”, tha ai.

SHBA-ja dhe BE-ja ndalojnë udhëtimet nga Afrika e Jugut

Pas identifikimit të këtij varianti, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ndalim të udhëtimit për personat që vijnë nga tetë shtete në jug të Afrikës, duke iu bashkuar Bashkimit Evropian që po ashtu ka vendosur masa të ngjashme, për shkak të shqetësimeve për variantin Omicron.

“Si masë parandaluese, derisa të kemi më shumë informacione, unë urdhëroj ndalesa shtesë për udhëtimet ajrore nga Afrika e Jugut dhe shtatë shtete të tjera”, tha presidenti amerikan, Joe Biden më 26 nëntor përmes një dekarate për media.

Përveç Afrikës së Jugut, sipas vendimit të SHBA-së, kufizime në udhëtime do të ketë edhe për udhëtarët nga Botsvana, Zimbabveja, Namibia, Lesoto, Esvatini, Mozambiku dhe Malavi. Shumica e shtetasve jomamerikanë, që kanë qenë në këto shtete para dy jave, nuk do të lejohen të futen në SHBA.

Ndalesa të udhëtimit nga shtetet në jug të Afrikës kanë vendosur edhe Kanadaja, Rusia, Brazili, Britania, Turqia dhe Australia.

BE-ja po ashtu është pajtuar që të pezullojë fluturimet nga shtatë shtete në jug të Afrikës, por ka thënë se varianti i ri veçse është identifikuar në Evropë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se rasti i parë i infektimit me Omicron besohet se është identifikuar më 9 nëntor në Afrikën e Jugut.

“Ky variant ka numër të madh të mutacionet, disa prej të cilave janë shumë shqetësuese”, tha OBSH-ja përmes një deklarate për media.

Ndërkaq, Qendra Evropiane për Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) ka thënë se të dhënat paraprake sugjerojnë se Omicroni është “varianti më divergjent që është zbuluar gjatë pandemisë, duke ngritur shqetësime serioze se mund të zvogëlojë ndjeshëm efektivitetin e vaksinave dhe të rrisë rrezikun e riinfektimeve”. Vlerësim të ngjashëm ka dhënë edhe OBSH-ja.

Ende dihet shumë pak lidhur me variantin Omicron dhe do të duhen javë derisa shkencëtarët të kuptojnë ndikimin që ky variant mund të ketë mbi vaksinat, transmetueshërinë, shkallën e sëmundjes që shkakton dhe mënyrat e trajtimit.

Ndërkaq, kompanitë farmaceutike, përfshirë Pfizer/BioNTech dhe Moderna kanë thënë se po punojnë për të modifikuar vaksinat e tyre kundër koronavirusit, për të qenë më efektive ndaj variantit Omicron. Por, modifikimi i vaksinave mund të marrë disa javë dhe duhet të miratohen nga rregullatorët shëndetësorë.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG