Ndërlidhjet

Disa shtete mbyllin kufijtë si pasojë e variantit të ri të COVID-19


Ilustrim.
Ilustrim.

Më shumë shtete janë duke vënë kufizime në udhëtim, pas identifikimit të një varianti të ri të koronavirusit në Afrikën e Jugut.

Mbretëria e Bashkuar, Singapori dhe Japonia, janë në mesin e shteteve që kanë ndaluar fluturimet nga dhe prej Afrikës së Jugut dhe vendeve fqinje.

Bashkimi Evropian është duke propozuar po ashtu ndalimin e fluturimeve nga ky rajon.

Shkencëtarët ende duhet të mësojnë më shumë për këtë variant, mirëpo disa kanë thënë se janë të shqetësuar.

Ky variant konsiderohet se ka pësuar më së shumti mutacione, në krahasim me të gjitha variantet tjera.

Menjëherë kanë lindur pyetjet se sa shpejt mund të përhapet ky variant, dhe a mund të ndikojë në sigurinë që ofrojnë vaksinat kundër koronavirusit?

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është duke monitoruar këtë variant dhe për këtë arsye do të mbajë një takim urgjent më 26 nëntor, për të diskutuar se çfarë nënkupton kjo situatë për pandeminë dhe vaksinat.

“Jemi të shqetësuar për shkak të mutacioneve dhe ndikimit që mund të ketë ai”, ka thënë Maria Van Kerkhove, zyrtare e OBSH-së, në një konferencë virtuale për media më 25 nëntor.

Çfarë dimë deri më tani?

Varianti i quajtur B.1.1.529, ka mundësi që do të marrë emër grek – sikurse variantet Alfa dhe Delta – nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ky variant është thënë se ka pësuar shumë mutacione.

Profesori, Tulio de Oliveira, drejtor në Qendrën për Përgjigje ndaj Epidemisë në Afrikën e Jugut, ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se në këtë variant ka shumë shenja të pazakonshme për mutacione dhe se ai është “shumë i ndryshëm” nga variantet tjera që kanë qarkulluar.

“Kjo është ajo që na ka befasuar neve, ka evoluim të madh dhe më shumë mutacione sesa kemi pritur”, ka thënë ai.

Profesori de Oliveira ka thënë se në këtë variant ekzistojnë rreth 50 mutacione dhe më shumë se 30 janë në proteinën e virusit, e cila është shënjestër e shumicës së vaksinave dhe konsiderohet çelës përmes së cilit virusi depërton në trupin tonë.

Një nivel i tillë i mutacioneve mund të ketë ardhur nga një pacient i vetëm që nuk ka arritur të mposhtë virusin.

Megjithatë, shumë mutacione nuk nënkuptojnë menjëherë lajm të keq.

Është e rëndësishme të kuptohet se çfarë janë duke bërë këto mutacione.

Shqetësimi kryesor tani është se virusi aktual është shumë më ndryshe nga virusi origjinal, për të cilin është raportuar fillimisht në Vuhan të Kinës.

Kjo nënkupton se vaksinat, që janë krijuar për të luftuar versionin orgjinal, mund të mos jenë edhe aq efektive.

Disa prej mutacioneve janë parë edhe në variantet tjera, çka mund të ofrojë pak informacione për rolin e këtij varianti.

Profesori, Richard Lessells nga Universiteti KwaZulu-Natal në Afrikën e Jugu, ka thënë se ka shqetësime se ky virus mund të ketë përhapje më të madhe dhe aftësi për t’u përhapur nga personi në person, por edhe të mund të arrijë në disa pjesë të sistemit tonë imunitar.

Deri më tani ka pasur shumë shembuj të varianteve që janë dukur shqetësues në fillim, mirëpo më vonë nuk kanë rezultuar të tillë.

Varianti Beta i koronavirusit është parë me shumë shqetësim në fillim, mirëpo më vonë varianti Delta është përhapur në gjithë botën.

Deri më tani janë konfirmuar 77 raste me variantin e ri në provincën Gauteng në Afrikën e Jugut, katër raste në Bostvana dhe një në Hong Kong, i cili ka mundësi të jetë i lidhur me udhëtim nga Afrika e Jugut.

Ministri i Shëndetësisë në Afrikën e Jugut, Joe Phaahla, ka thënë se në katër apo pesë ditët e fundit është rritur dukshëm numri i rasteve të infektimit.

Shifra ditore e të infektuarve në këtë vend më 26 nëntor ka qenë 2,465 në krahasim me rreth 300 javën e kaluar.

Izraeli regjistron raste të infektimit me variantin e ri të koronavirusit

Izraeli ka identifikuar një rast të infektimit me variantin e ri, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në këtë shtet, më 26 nëntor.

“Varianti i zbuluar në shtetet e Afrikës së Jugut, është identifikuar edhe në Izrael”, ka thënë Ministria, duke shtuar se rasti është regjistruar “te një person që është kthyer nga Malavi”.

Dy raste tjera janë identifikuar në “njerëz që kanë ardhur nga jashtë”, ka thënë po ashtu Ministria, duke shtuar se të gjithë i janë nënshtruar masës së karantinës.

Të tre personat janë të vaksinuar, pa specifikuar numrin e dozave apo llojin e vaksinës.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG