Ndërlidhjet

Përçarjet rrezikojnë konsensusin për dialogun


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shefja për Politikë e BE-së Federica Mogherini dhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Bruksel, 2017.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shefja për Politikë e BE-së Federica Mogherini dhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Bruksel, 2017.

Tërheqja nga Kuvendi i Kosovës e projekt-platformës për bisedime me Serbinë nga ana e Qeverisë së Kosovës, sërish ka nxjerrë në pah mungesën e një konsensusi të spektrit politik lidhur me qasjen që Kosova duhet ta ketë në fazën finale të dialogut të Brukselit, ku pritet arritja e një marrëveshjeje juridikisht të obligueshme për të dy vendet, vlerësojnë deputetët e partive politike në pushtet dhe opozitë.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se projekt-platforma e Qeverisë së Kosovës për dialogun më tepër ka qenë një vullnet politik i ekzekutivit që ta shtrojë këtë çështje në Kuvendin e Kosovës, për të biseduar dhe marrë sugjerime. Por, sipas tij, marrë parasysh kundërshtimet e partive parlamentare, shumica të opozitës, projekt-platforma është tërhequr.

Megjithatë, siç thotë Haliti, një platformë, qoftë edhe e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nuk do të kishte relevancë në bisedimet në Bruksel, sepse bisedimet e tilla, sipas tij, nuk do të ndodhin sipas dëshirave që kanë të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, por nën tutelën e bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht vendeve perëndimore.

“Mendoj që bisedimet me Serbinë duhet të bëhen në nivele përkatëse, të shefave të shteteve. Se çfarë platforme do të ketë për këto bisedime është një çështje tjetër, sepse ne kemi shumë zhurmë, por nuk kemi të dhëna. Me sa di unë, platforma e marrëveshjes së mundshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, është duke lëvizur në këtë, siç i thonë, ‘shuttle diplomacy’ (diplomacinë fluturuese), në drejtimin Bruksel -Uashington dhe Beograd -Prishtinë, për të dhënë vërejtjet e tyre të gjitha palët”, tha Haliti.

Haliti shtoi se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë parë një platformë të tillë, por ai beson që asnjëra palë nuk do të jetë krejtësisht e kënaqur nga ajo që mund të vendoset dhe nënshkruhet, siç tha ai, gjatë këtij viti.

Por, Ilir Deda, deputet i subjektit politik opozitar, Alternativa, që është pjesë e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që janë disa aspekte, të cilat platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun e kanë bërë problematike dhe të papranueshme, sidomos nga partitë opozitare.

“Dokumenti i prezantuar nuk ka qenë platformë, por ka qenë e hartuar në mënyrë të një rezolute e që në mënyrë klandestine, përmes votës së deputetëve t’i jepej mandati Hashim Thaçit, kryetarit të Kosovës, për udhëheqje të dialogut me Serbinë. Ne duhet ta dimë se mandatin nga Kuvendi e ka vetëm Qeveria e Kosovës dhe që të ndërrojë mandati për udhëheqjen e dialogut. Pastaj, kemi pasur unifikimin e opozitës kundër kësaj platforme, njëjtë duke e shprehur kundërshtimin që Thaçi ta udhëheqë dialogun me Serbinë”, theksoi Deda.

Megjithatë, Haliti shpreh mendimin se për t’iu qasur dialogut në Bruksel, është mjaft i dëshirueshëm një konsensus i spektrit politik në Kosovë. Por, sipas tij, marrë parasysh polarizimet politike që ekzistojnë ndërmjet pushteti dhe opozitës, por edhe të Listës Serbe, unifikimi i mendimit në Kuvendin e Kosovës lidhur me dialogun është i pamundur.

“Është e pamundur që të gjithë të pajtohen për të gjitha çështjet. Por, po besoj që shumica e Kuvendit, duke përshirë këtu edhe ndonjë parti opozitare, e cila është më racionale në qëndrimet politike, do të jetë e gatshme që mendimin ose sugjerimet e bashkësisë ndërkombëtare, në këtë rast BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, t’i miratojë dhe t’i hapë perspektivën Kosovës”, u shpreh Haliti.

Ndërkaq, deputeti Deda vlerëson se ende mbetet për t’u parë nëse mund të krijohen mundësi që të arrihet një konsensus sa më i gjerë i spektrit politik në Kosovë lidhur me qasjen ndaj dialogut me Serbinë.

“Ajo që është vërejtur nga deklaratat publike dhe nga ajo që vjen nga partitë politike, është që në mënyrë deklarative të gjitha partitë thonë se janë të gatshme për ndërtimin e konsensusit politik. Por, konsensusi nuk nënkupton imponim dhe kjo është sfidë për kulturën politike të shumicës së partive politike, të cilat mendojnë që me imponim mund të ndërtohet konsensusi. Do ta shohim. Më duket se javën e ardhshme është tryeza e radhës, ku do të diskutohet për dialog nga ana e partive politike. Të shohim aty se a mund të ecim përpara me këtë çështje apo jo”, tha Deda.

Pas tërheqjes së projekt platformës për dialogun nga ana e Qeverisë së Kosovës, të martën, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka thënë se projekt-platforma ka pasur për bazë parime që përbëjnë pozicionin e Kosovës në dialog dhe se njëra nga to është institucioni i presidentit, si bartës i përgjegjësive në këtë rast. Ai ka theksuar se Qeveria, tashmë, është e hapur për propozimet që mund të vijnë nga partitë politike apo shoqëria civile.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG