Memli Krasniqi është zgjedhur kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës. Krasniqi u zgjodh në këtë pozitë me shumicë votash të delegatëve pjesëmarrës në Konventën zgjedhore të partisë.
Në votim morën pjesë 476 delegatë. Vetëm 7 vota ishin kundër.
Në deklarimin e tij të parë pas marrjes së pozitës së kryetarit, Krasniqi tha se do të çojë përpara rrugën e trasuar nga ish-kryetarët Hashim Thaçi e Kadri Veseli në krye të PDK-së.
Krasniqi tha se do të bashkëpunojë me secilin anëtarë dhe qytetarë që dëshiron të bashkohet PDK-së.
“Gjatë rrugës për rikthimin e PDK-së aty ku e ka vendin në udhëheqjen e shtetit padyshim se do të kemi shumë sfida. Pa dyshim se do të kemi shumë pengesa dhe jam absolutisht i sigurt se nuk do të jetë fare e lehtë por unë e njoh shpirtin e partisë sonë të përbashkët. E njoh vullnetin që buron nga secili prej jush këtu dhe buron nga ata dhjetëra-mijëra anëtarë të partisë sonë. Duke u bazuar në këtë energji të pashtershme unë jam i sigurt se bashkë do t’ia dalim”, deklaroi Krasniqi.
Gjatë Konventës, Krasniqi prezantoi platformën që synon ta zbatojë gjatë mandatit të tij si kryetar i PDK-së. Në prezantimin e platformës, Krasniqi ka thënë se synon që PDK-në ta kthejë në vendin e parë dhe që të qeverisë me vendin.
“Ne sot jemi në opozitë. Kanë qenë edhe gabimet tona që i kanë kontribuuar kësaj situate. Ndoshta s’kemi mundur ta lexojmë krejt saktë disponimin e votuesve, prandaj edhe në dy palë zgjedhjet e fundit nuk kemi marrë mjaftueshëm mbështetjen e tyre. Reflektimi është i domosdoshëm. Nuk mund të vazhdojmë edhe më tutje njëjtë. Në këtë pikë, besoj se pajtohemi të gjithë. Kështu si jemi sot, nuk mjafton për t’u rikthyer. Por, ne qëllimin e kemi për t’u rikthyer”, deklaroi Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se beteja kryesore e PDK-së është në Kuvendin e Kosovës duke ftuar deputetët e këtij subjekti politik që të angazhohen sa më shumë në punën e tyre në këtë institucion.
Ai ka thënë se do të formojë një kryesi të re me të rinj dhe të reja si dhe me njerëz që janë rritur në Partinë Demokratike të Kosovës. Mes tjerash, Krasniqi ka paralajmëruar formimin e një kabineti për Qeverisje të Mirë, me qëllim të formësimit të vizionit për një qeverisje të ardhshme.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja duhet që ta kthejë mbështetjen e rinisë.
Memli Krasniqi ishte kandidati i vetëm në këtë garë pasi asnjë anëtar tjetër i PDK-së nuk paraqiti kandidaturën për kryetar të këtij subjekti politik.
Në garë për kryetar të PDK-së pritej që të ishte edhe Enver Hoxhaj, i cili për tetë muaj ishte ushtrues i detyrës së kryetarit të këtij subjekti politik.
Mirëpo pak kohë para përfundimit të afatit për paraqitjen e kandidaturave, Hoxhaj njoftoi se nuk do t’i hynte garës për kryetar.
Në hapje të Konventës, Hoxhaj, tha se shumëkush ka pritur se ai do të garonte për të parin e PDK-së, porse sipas tij, PDK-ja ka nevojë për një reformim dhe udhëheqësi të re.
“Nga kjo Konventë presim që ta forcojmë edhe më shumë identitetin tonë si parti shtetformuese, por edhe si parti e djathtë. Të dalim me qëndrime të qarta dhe të shpejta për ta mbrojtur demokracinë, lirinë, ekonominë e tregut dhe lirinë e shprehjes”, deklaroi Hoxhaj.
Hoxhaj tha se kjo konventë e partisë po zhvillohej në rrethana jonormale pasi për herë të parë në të mungojnë ish-kryetari, Kadri Veseli dhe ish-presidenti, Hashim Thaçi.
Partia Demokratike e Kosovës mbeti pa kryetar më 5 nëntor të vitit 2020 kur Kadri Veseli dha dorëheqje nga drejtimi i partisë pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës ia konfirmuan aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga ajo kohë Veseli është në paraburgim në Hagë.
PDK-ja për gati 17 vjet u udhëhoq nga ish-kryetari, Hashim Thaçi i cili po ashtu është në paraburgim në Hagë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Kush është Memli Krasniqi?
Memli Krasniqi ka përfunduar studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe po ashtu ka kryer studimet master në Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Shkollës Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike (LSE).
Para se t’i hynte politikës Memli Krasniqi njihej kryesisht për karrierën e tij në muzikë në kuadër të grupit muzikor “Ritmi i Rrugës”.
Në vitin 2004 ai u bë pjesë aktive e Partisë Demokratike të Kosovës.
Që nga ajo kohë Memli Krasniqi udhëhoqi me Departamentin e Rinisë në PDK, ishte pjesë e strukturave udhëheqëse të partisë si anëtarë i kryesisë si dhe nënkryetar e po ashtu u zgjodh në disa mandate deputet i Kuvendit të Kosovës.
Në vitin 2011 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ndërsa në vitin 2014, Krasniqi mori sërish një pozitë të rëndësishme në ekzekutiv, atë të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare Krasniqi u zgjodh sërish deputet i Kuvendit të Kosovës.
Facebook Forum