Ndërlidhjet

PDK-ja synon të zgjedhë liderin e ri pa shefat e vjetër 


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Nëntorin e kaluar, dikur partia më e madhe në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), mbeti pa kryetar, pasi ish-kryetarit Kadri Veseli iu konfirmua aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale.

Aktakuza iu konfirmua edhe paraardhësit të tij dhe themeluesit të PDK-së, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas më shumë se 230 ditë me ushtrues detyre të kryetarit, pozitë të cilën e ushtron ende Enver Hoxhaj, PDK pritet të zgjedhë kryetarin e ri më 3 korrik.

Betim Gjoshi, sekretar elektoral i kësaj partie, thotë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk ka asnjë kandidaturë të shpallur për kryetar.

“Ka qenë kërkesë e vazhdueshme e strukturave të PDK-së, elektoratit dhe votuesve që ne ta vazhdojmë reformën që pati filluar zoti Kadri Veseli, e cila besoj së do të vazhdojë edhe në Konventën që e kemi më 3 korrik”, thotë Gjoshi.

Gjoshi thotë se Konventa e dhjetë e PDK-së do t’ia kthejë karakterin fitues në zgjedhjet lokale që do të mbahen në muajin tetor.

Konventa nuk do të zgjidhë pakënaqësitë brenda PDK-së

Lirak Çelaj dhe Nijazi Kryeziu, që të dy anëtarë të Këshillit Drejtues të PDK-së, thonë për Radion Evropa e Lirë se nuk janë njoftuar fare për agjendën e Konventës.

Kryeziu thotë se mungesa e dy ish-liderëve të kësaj partie, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit është një boshllëk për këtë parti, por thotë se kjo mungesë nuk duhet të jetë justifikim për mossuksesin e PDK-së.

“Ne më nuk mund të humbim kohë dhe të themi që nuk i kemi liderët këtu dhe nuk dimë çfarë të bëjmë. Mendoj se ata i kanë besuar kësaj strukture. Mendoj që sa më shpejt që e kuptojmë realitetin dhe sa më shpejt që e ndërpresim qasjen që për mosfunksionimin e mirë të PDK-së, janë kujdestarë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, më mirë do t’i kemi punët edhe ne si parti, edhe Kosova, por edhe ata atje do të mbrohen më mirë”, thotë Kryeziu.

Çelaj nuk ka njohuri se kush do të jenë kandidatët që synojnë të udhëheqin partinë, por thotë se është kohë e shkurtër për të parë se cili nga kandidatët duhet të përkrahet.

“Është momenti më i papërshtatshëm i mundshëm për këtë punë sepse konsideroj se Konventa është dashur të mbahej pas zgjedhjeve lokale, dhe t’i paraprinin zgjedhje për gjithë strukturën dhe jo vetëm për kryetarin, sepse nuk ka qenë problemi vetëm tek udhëheqësi, por te një strukturë më e gjerë”, thotë Çelaj.

Krasniqi: PDK ka nevojë për gjenerata të reja që nuk kanë afera korruptive

Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus, thotë për Radion Evropa e Lirë se PDK-ja ka nevojë të ripërtërijë strukturat e saj në mënyrë që t’i përshtatet kërkesave të kohës, në të kundërtën mund të humbë garën me partitë e tjera rivale si Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Votuesi i sotëm po kërkon një gjeneratë të re të politikanëve, të personave që nuk kanë prapa vetës afera të korrupsionit dhe shquhen për përgatitje të lartë profesionale. PDK-ja duhet të bëjë prerjen nga mënyra e qeverisjes gjatë kohës sa ka qenë në pushtet, dhe në radhët e veta të ketë liderë që mund të bëjnë opoizitarizëm pa frikën se mund t’i përmenden aferat korruptive të së kaluarës”, thotë Krasniqi.

Krasniqi thotë se PDK-ja duhet të tregohet e kujdesshme edhe në ruajtjen e përkrahjes në bastionet e saja, dhe në të njëjtën kohë, të jetë atraktive si për votuesit e rinj ashtu edhe votuesit ekzistues.

Zgjedhjen e kryetarit të ri, sipas Krasniqit, PDK-ja e kishte të domosdoshme, pasi vazhdimi i drejtimit të partisë me ushtrues të detyrës do të mund ta dëmtonte PDK-në në proceset e ardhshme elektorale, e në veçanti në zgjedhjet lokale që do të mbahen gjatë kësaj vjeshte.

“Vendimet nga një kryetar partie i zgjedhur prej strukturave të partisë janë më pak të kontestueshme sesa që do të mund të ishin vendimet e një kryetari të emëruar. Kjo është e rëndësishme, sidomos për procesin e emërimit të kandidatëve për kryetarë të komunave, ku ambiciet janë më të mëdha dhe mund të dëmtohet uniteti i brendshëm”, thotë Krasniqi.

Analisti Fitim Salihu thotë për Radion Evropa e Lirë se është një shenjë e mirë që kjo parti ka filluar ta lexojë saktë rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Besoj që PDK-ja nuk iu ndihmon dy liderëve të saj që janë në Hagë nëse vazhdon të mbetet peng e situatës së tyre. PDK-ja ka shumë mënyra se si mund t’i ndihmojë Thaçit e Veselit, por kjo nuk e përjashton ristrukturimin e brendshëm”, thotë Salihu.

Pas Konventës, thotë Salihu, PDK-ja e ka shansin ideal që ta dinamizojë edhe më shumë reformën e brendshme, që të jetë në stadin e duhur për të bërë opozitë Qeverisë Kurti.

Rënia e PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës është formuar më 10 tetor të vitit 1999, nga ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

PDK kishte bashkëqeverisur nga viti 2001-2004, koha kur kryeministër ishte Bajram Rexhepi.

Në vitin 2007, PDK-ja doli partia e parë në Kosovë. Për shtatë vjet me radhë, kryeministër i Kosovës ishte atëherë kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi.

Aktualisht, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, PDK-ja është partia e dytë dhe ka 18 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Që nga themelimi, për 17 vjet me radhë, PDK-në e ka drejtuar ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pasi Thaçi u bë president, që nga viti 2016, këtë parti e udhëhoqi Kadri Veseli.

Hashim Thaçi e Kadri Veseli, së bashku me Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndodhen në Hagë. Ata akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG