Ndërlidhjet

Pandemia i bëri më të dhunshëm përdoruesit e drogës 


Ilustrim.
Ilustrim.

Ariani [emër i vendosur nga redaksia] ka më shumë se 10 vjet që ka filluar të përdorë substanca narkotike. Ai në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se brenda në Kosovë deri tash ka përdorur disa lloje të drogave.

"Unë i kam përdorur të gjitha llojet e drogave, çka e di se ekzistojnë, por tash për momentin jam me barna dhe nuk marr më drogë", thotë ai.

Ariani, i cili është mbi moshën 30 vjeçare, tregon se për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, ka probleme në marrjen e shërbimeve shëndetësore në institucionet publike.

Për shkak të përdorimit për një periudhe të gjatë të drogave që injektohen në vena, ai ka nevojë për shërbime dhe trajtim në spitale.

"Me shiringë kur e merr drogën i lëndon venat, i lëndon muskujt, prishen venat dhe shkon duke e bërë ajo të veten", shprehet ai.

Pandemia COVID-19 sipas Arianit, ka nxitur edhe më shumë përdorimin e drogës. Sipas tij, sot në Kosovë nuk është e vështirë të gjesh drogë.

Në Qendrën Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, në Prishtinë, udhëheqësi i qendrës, Safet Blakaj, thotë se numri i përgjithshëm i personave të cilët konsumojnë substanca narkotike, është mbi 30 mijë në gjithë vendin.

"Përdorues problematikë të drogës, pra ata që janë të varur, që kanë problem pse përdorin drogë dhe që janë në konflikt me ligjin, është diku prej 5 mijë deri në 7 mijë. Ne si qendër i kemi të regjistruar 2.700 persona", thotë Blakaj.

Blakaj thotë se nuk ka të dhëna të sakta nëse ka rritje të numrit të përdoruesve të drogave në Kosovë, por sipas tij, në vend ka rritje të rasteve të dhunës në familje nga përdoruesit si dhe nga familjarët.

"Ne kemi identifikuar se kanë ndodhur raste të dhunës në familje gjatë pandemisë dhe kjo dhunë në familje është në dy drejtime, herë përdoruesit e drogave kanë bërë dhunë në familje dhe presione të ndryshme, por ka pasur edhe dhunë nga familjarët te përdoruesit e drogave", thotë Blakaj.

Në Kosovë, nuk ka një qendër shtetërore për rehabilitimin e personave që kanë krijuar varësi nga substancat narkotike.

Në Qendrën Klinike Universitare, në Klinikën Psikiatrike, ofrohen disa shërbime për këta persona dhe kanë të drejtë të qëndrojnë për disa ditë.

Drejtori i kësaj klinike Shaban Mecinaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se që nga fillimi i pandemisë vërehet një numër me i madh i personave që kërkojnë shërbime shëndetësore psikiatrike.

"E dimë se është rritur numri i personave të cilët kanë ankth e depresion dhe të cilët, disa nga ta përdorin edhe substanca të ndryshme narkotike, duke menduar që ta menaxhojnë më mirë gjendjen e ankthit për shkak të pandemisë", thotë Mecinaj.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e kundërligjshme që qytetarët të blejnë, të posedojnë apo të shpërndajnë substanca narkotike.

Policia e Kosovës thotë se në vitin 2020, janë iniciuar gjithsej 1,005 raste dhe janë arrestuar 1,144 persona dhe janë përcjellë 714 kallëzime penale ndaj 938 të dyshuarve për trafikim, posedim dhe kultivim të drogave. Në këtë vit janë konfiskuar mbi 9 kg heroinë dhe mbi 2 kg kokainë.

Kurse në katër muajt e parë të vitit 2021, sipas statistikave të policisë, për substanca narkotike janë iniciuar 295 raste me 361 të dyshuar, kurse janë arrestuar 292 persona.

Policia tha për Radion Evropa e Lirë, se vetëm në pjesën e parë të këtij viti, janë konfiskuar rreth 2 kilogramë heroinë, 64 kilogramë mariuanë dhe sasi të tjera më të vogla të llojeve të tjera të drogave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG