Ndërlidhjet

Të rinjtë, viktimat më të shpeshta të abuzimeve me narkotikë


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Rreth 35 mijë persona llogaritet të jetë numri i përdoruesve të substancave narkotike në Kosovë. Mosha mesatare e atyre që abuzojnë me këto substanca nga viti në vit ka shënuar rënie. Aktualisht mosha më e re që abuzon me droga është 16 vjeç.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Safet Blakaj nga Qendra Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”.

Sipas tij, Policia e Kosovës ka bërë një punë të madhe në luftimin dhe parandalimin e kësaj dukurie. Ky angazhim i shtuar i policisë, sipas tij, ka ndikuar që drogat e rrezikshme, si heroina, të mos përdoret nga moshat e reja apo të paktën nuk janë evidentuar raste të përdorimit të kësaj lënde të rrezikshme.

“Sa i përket luftimit të trafikimit të drogës janë dy momente interesante që kisha dashtë t’i cekë, ku Policia e Kosovës para disa vjetësh ka arritur ta zvogëlojë dukshëm përdorimin e drogës nga të rinjtë, sidomos heroinës. Sot nuk kemi përdorues të heroinës nën moshën 20-vjeçare”, tha Blakaj.

Në anën tjetër, Baki Kelani nga Policia e Kosovës, tha se vetëm gjatë vitit të kaluar janë arrestuar mbi 2 mijë persona, derisa janë hapur raste në prokurori për rreth 1800 personave si të dyshuar që kanë lidhje me abuzim me substancë narkotike.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi e ka pasur në fokus parandalimin dhe luftimin e trafikimit me narkotikë. Gjatë vitit të kaluar, Policia e Kosovës i ka hapur 1866 raste dhe prej tyre i ka identifikuar 2322 persona të dyshuar, ku prej tyre janë arrestuar 2171 persona. Kjo tregon që Policia e Kosovës ka qenë aktive në luftën dhe parandalimit me narkotikë”, tha Kelani.

Autoritetet e rendit i kanë shpallur luftë përdorimit të narkotikëve nëpër shkollat e Kosovës. Këtë aksion policia e ka ndërmarrë qysh në dhjetorin e vitit 2017.

“Policia e Kosovës ka në implementim edhe një urdhër operativ i cili ka të bëjë me parandalimin e drogave në shkolla. Nga periudha kohore dhjetor 2017 deri në janar 2019, ka hapur në 678 raste që i dedikohen këtij urdhri, e që ka të bëjë me parandalimin e drogave në shkolla dhe përreth”, shtoi Kelani.

Kurse Safet Blakaj potencon faktin se në Kosovë mungon program i veçantë që do të luftonte përdorimin e substancave narkotike, përmes vetëdijesimit të të rinjve për efektet negative që i kanë këto substanca.

“Ajo çka na brengos është reagimi institucional dhe ai shoqëror i ndalimit të përdorimit të drogave, ku Kosova nuk e ka një program të tillë, e që është shqetësuese. Pra, nuk ka diçka të tillë që aplikohet në shkolla e pse jo edhe jashtë tyre. Kjo pasi mosha mesatare e përdoruesve të drogave është 16 vjeç, e ka edhe raste ekstreme me 12 vjet që fillojnë të abuzojnë me droga”, tha Blakaj.

Sidoqoftë, të rinjtë kryesisht fillojnë përdorimin e drogës kanabis, pra marihuanë, por edhe disa droga të tjera të reja, siç është ekstazi dhe lloje tjera. Këto janë drogat e lakmueshme nga adoleshentët, thonë nga Qendra “Labirinth”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG