Ndërlidhjet

Opozita i rikthehet retorikës për zgjedhje të parakohshme


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Me daljen e Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës, koalicioni qeverisës ka humbur shumicën në Kuvend, çka ka nxitur reagimin e shpejtë të një pjese të spektrit opozitar për zgjedhje të parakohshme. Por, bazuar në gjendjen aktuale, Qeveria nuk e ka shumicën, por as opozita nuk i ka 61 votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë, po që se asaj nuk i bashkohet Lista Serbe.

Subjekti politik që po inkurajon pjesën tjetër të spektrit politik në Kuvend për zgjedhje të parakohshme është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ndonëse në opozitë, tash për tash përbën grupin më të madh parlamentar.

Deputeti Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha për Radion Evropa e Lirë se një Qeveri e pakicës nuk mund ta udhëheq vendin, andaj sipas tij, vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa me parë.

"Kur ka krizë politike dhe humbje të legjitimitetit, rruga më e drejtpërdrejtë dhe më e shkurtër e rikthimit të legjitimitetit dhe përfaqësimit demokratik dhe institucional, është ajo përmes zgjedhjeve. Në këto rrethana, LDK preferon që të shkohet në zgjedhje në mënyrë që të kemi institucione legjitime dhe përfaqësuese", tha Gashi.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në deklarimet e tij për media ka thënë se nuk po i sheh shumë serioze propozimet për zgjedhje të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai ka theksuar se nuk e di se sa janë të gatshëm kolegët e tij nga opozita për zgjedhje, apo janë duke bërë thirrje vetëm për të përfituar pikë politike.

Por, deputeti Arben Gashi thotë se nga zhvillimet e fundit në Kosovë është krijuar një situatë e cila mund ta dëmtojë shumë të ardhmen demokratike të vendit. Andaj, sipas tij, duhet gjetur zgjidhje të cilat e kthejnë funksionimin e institucioneve të shtetit.

"Jemi në një situatë të ndjeshme dhe sidomos zhvillimet e javës së fundit kanë vërtetuar se kjo Qeveri veç se ka humbur legjitimitetin demokratik dhe arsyeshmërinë e përfaqësimit. Nuk ka kontroll mbi institucionet e veta dhe nuk ka koordinim me institucionet ndërinstitucionale, me institucionet të cilat janë të ndërvarura si Agjencia Kosovare e Inteligjencës apo Policia e Kosovës, apo bashkëpunimi mes presidentit dhe kryeministrit, apo marrja e kompetencave në mënyrë arbitrare nga presidenti e të tjera. Pra, është krijuar një situatë e rëndë në Kosovë", tha Gashi.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje e cila po kalon një moment të vështirë pas largimit të një numri të madh të deputetëve dhe zyrtarëve të saj, konsideron se ka shumë arsyeje pse kjo Qeveri duhet të dorëhiqet. Tinka Kurti nga zyra për media në Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se ky subjekt politik qëndron prapa kërkesës që kjo Qeveri duhet të bie sa më shpejt.

"Kjo Qeveri, me të ardhur në pushtet ka bërë një sërë skandalesh dhe duhet të bie për shkak se e ka sjellë Marrëveshjen për demarkacion në Kuvend, marrëveshje shumë e dëmshme. Po ashtu, kjo Qeveri duhet të bie për shkak të ngritjes së pagave për vetëveten, për shkak të numrit të madh të zëvendësministrave për shkak se ka ndërprerje të mëdha të energjisë eklektike, për shkak të përjashtimit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga regjistri i cilësisë. Të gjitha këto dhe gjendja e përgjithshme e papunësisë dhe varfërisë, janë arsye që kjo Qeveri duhet të japë dorëheqjen sa më parë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja", tha Kurti.

Në anën tjetër, analisti politik Petrit Zogaj thotë se kërkesat e partive politike opozitare për të shkuar në zgjedhje të reja, janë kërkesa standarde. Sipas tij, nëse këto parti politike, vërtetë duan të shkojnë në zgjedhje, atëherë duhet t’i nisin edhe procedurat e nevojshme.

"Duhet kjo opozitë të dëshmojë nëse qeverisja e Ramush Haradinajt nuk e ka shumicën parlamentare, pra që të thërret për mocion mosbesimi dhe në atë mocion mosbesimi të fitojë opsioni opozitar, të fitojë LDK-ja në këtë rast iniciativa e saj dhe Qeveria të bie menjëherë. Pra, nuk mjafton të thuhet se duhet të shkohet në zgjedhje, por duhet të iniciohet mocioni i mosbesimit", tha Zogaj.

Zogaj thekson se nuk ka një kohë të përshtatshme ose të papërshtatshme për zgjedhje të parakohshme, kur ka kriza të mëdha.

"Aktualisht nuk shoh se jemi në një krizë shumë të madhe, megjithëse ka një shkëputje të zinxhirit institucional, por nuk shoh që medoemos situata e javës së kaluar me dy situatat problematike që i kishim, të prodhonin krizë qeveritare dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme", tha Zogaj.

Ndërkohë, në LDK thonë se përfaqësuesit e partive politike duhet të takohen sa më parë që të bisedojnë për një proces të shpejtë zgjedhor. Një opsion tjetër që i krijon shumicën Qeverisë, pa pasur nevojë të shkohet në zgjedhje është që një subjekt opozitar, në këtë rast edhe LDK-ja, t’i bashkohet koalicionit qeverisës. Por, deputet Arben Gashi e përjashton çdo mundësi që LDK t'i bashkohet Qeverisë Haradinaj.

"LDK-ja merr përsipër proceset vet dhe normalisht krijon koalicionet mbi bazën e të cilave do t'i çojë proceset përpara, por duke iu prirë vet proceseve, jo duke iu bashkuar një Qeverie jolegjitime të një kryeministri të pakicës, një kryeministër të një partie me 10 deputetë. LDK nuk mund të bëjë një veprim të tillë sepse është në dëm të përfaqësimit legjitim demokratik dhe është në dëm të Kosovës dhe LDK-së", tha Gashi.

Në LDK, potencohet se karshi kësaj situate të re të krijuar edhe partitë e tjera opozitare duhet të reflektojnë sepse Qeveria nuk mund të udhëheqë vendin me numër të pamjaftueshme të votave në Kuvendin e Kosovës.

Pas konfirmimit të largimit të Listës Serbe, Qeveria e Kosovës, e cila ishte zgjedhur me 61 vota në Kuvend, edhe zyrtarisht tani mbetet në kuotën e 51 votave, që nënkupton se e ka humbur shumicën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG