Ndërlidhjet

Kush do ta formojë Asociacionin? 


Flamuj serb në veri të Mitrovic5s. Foto nga arkivi
Flamuj serb në veri të Mitrovic5s. Foto nga arkivi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Lista Serbe që të jetë e kujdesshme në ndërmarrjen e çdo veprimi, sa i përket formimit të Asociacionit të komunave serbe.

Duke ju referuar deklaratave të zyrtarëve të Listës Serbe për formimin e njëanshëm të Asociacionit, Haradinaj tha se kjo çështje duhet të zgjidhet përmes komunikimit në tavolinë të bisedimeve.

“Mendoj që është një paralajmërim i ngutshëm i tyre dhe i dëmshëm. Nuk bënë ashtu, e pamë dje që kur nuk ka komunikim të mirëfilltë ku mund të shkojnë zhvillimet. Nuk është mirë të testohet në pakufi durimi i askujt. Më mirë është që t’i kthehemi tavolinës dhe t’i shtyjmë temat së bashku. Njëanshëm nuk mendoj se është në dobi të askujt. Jam shumë i bindur se do të gjejmë një gjuhë të përbashkët të komunikimit dhe temat t’i kryejmë në tavolinë mirëpo jo njëanshëm”, tha Haradinaj.

Ndërkohë që Lista Serbe ka paralajmëruar nga Beogradi se do të themelojë Asociacionin deri më 22 prill, në Prishtinë kërkohet rol më aktiv i Bashkimit Evropian për të mbajtur nën kontroll situatën.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet gjithmonë duke respektuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryeziu thotë se pas hartimit të statutit të Asociacionit, institucionet sërish duhet që ta dërgojnë atë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

“Presidenti si nivel politik, mendoj se është vetëm një deklaratë ndërsa vendimet e mëtutjeshme për formimin e Asociacionit duhet të merren nga Qeveria e cila duhet të emërojë një grup punës dhe besojmë se Asociacioni duhet të formohet bazuar në interpretimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ky është qëndrimi dhe besoj se asnjë institucion, duke përfshirë edhe presidentin, nuk guxojnë dhe nuk janë të gatshëm. Edhe pse pas miratimit të Asociacionit të komunave, edhe njëherë ky dokument duhet t’i nënshtrohet interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që deri në përmbylljen e këtij procesi të mos kemi ndonjë kompetencë e cila mund të jetë në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese”, shprehet Kryeziu.

Çështja e themelimit të Asociacionit ishte një prej temave bosht, por që nuk ishte përmbyllur edhe gjatë mandatit të Qeverisë së kaluar të Kosovës.

Ish-zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj thotë se këtë proces nuk do të duhej që ta udhëhiqte presidenti, duke iu referuar nismës së fundit të presidentit Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar nga Qeveria nisjen e procedurave për themelimin e Asociacionit. Sipas tij, presidenti nuk e ka marrë asnjëherë miratimin e Kuvendit të Kosovës. Gecaj thotë se formimi i Asociacionit është obligim ligjor i Kosovës.

“Presidenti nuk ka mandat. Nuk i është dhënë mandati prej Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ne kemi sistem parlamentar dhe jo presidencial. Në vendin tonë, Kuvendi është organi më i lartë. Për procese të rëndësishme duhet të merret aprovimi i Kuvendit. Pra, presidenti nuk ka mandat që t’i zhvillojë këto negociata. Pra, presidenti nuk udhëheq organet ekzekutive. Kjo Qeveri është Qeveri e pakicës shqiptare dhe si e tillë rruga më e mirë është që kjo Qeveri të dorëhiqet”, thotë Gecaj.

Të hënën, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi nga Qeveria që të ndërmarrë të gjitha veprimet për funksionalizimin e ekipi menaxhues për hartimin e draft statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut në Bruksel, kishin arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila, ndër tjera, parasheh edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG