Përfundojnë diskutimet në Ohër
Pas më shumë se dhjetë orë bisedimesh, rundi i dialogut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, ka përfunduar, bëri të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, diskutuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut për planin e zbatimit të propozimit evropian.
Pas përfundimit të këtij rundi bisedimesh, pritet që të ketë një deklaratë për media nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Në qendrën mediale në Ohër edhe Gabriel Escobar
I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, ka qenë i pranishëm në takimet në Ohër në cilësinë e vëzhguesit.
Pas përfundimit të bisedimeve, ai është parë në hotelin ku është vendosur qendra mediale.
Escobar, i tha më herët gjatë ditës Radios Evropa e Lirë, se “nuk jemi të fokusuar te nënshkrimi, por te finalizimi i marrëveshjes”.
Ende nuk dihet nëse zyrtari i lartë amerikan do të prononcohet për mediat pas përfundimit të rundit të bisedimeve.
Liderët e Kosovës dhe Serbisë, në qendrën mediale në Ohër
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë në qendrën mediale në Ohër.
Kurti tha shkurt për gazetarët se do të prononcohet pas deklaratës për media të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për mbi dhjetë orë, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë zhvilluan bisedime lidhur me planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Këtë propozim, Kurti dhe Vuçiq e pranuan më 27 shkurt, gjatë rundit të dialogut të zhvilluar në Bruksel.
Vuçiq: Njëfarë marrëveshjeje është arritur
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “njëfarë marrëveshjeje është arritur”.
“Jam i kënaqur për këtë, por nuk është e gjitha”, tha ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë takim që u ndërmjetësua nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, u bisedua për zbatimin e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Vuçiq tha se është rënë dakord për “disa afate” dhe se është rënë dakord që brenda 30 ditësh të formohet bashkërisht një komision monitorues, i cili do të kryesohet nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes. Ai po ashtu tha se është rënë dakord që “menjëherë të nisë formimi i Asociacionit”.
Sipas Vuçiqit, do të hartohet edhe një deklaratë për të zhdukurit, ndërsa është planifikuar edhe një konferencë e donatorëve brenda pesë muajsh.
Duke iu drejtuar gazetarëve, ai tha se nuk ka nënshkruar asgjë.
“Këto disa pika për të cilat kemi rënë dakord, do të jenë pjesë e kornizës së negociatave për të dyja palët, si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën. Këshilli Evropian do të marrë një vendim që kjo të bëhet pjesë e vendimit të negociuar”, tha presidenti serb.
Këshilli Evropian do të vlerësojë se sa është bërë nga plani i zbatimit, tha ai.
“Për ne është shumë e rëndësishme që formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë] është vendosur si detyrim me prioritet dhe atë në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë, në kuadër të dialogut. Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”.
Vuçiq tha se do t’i njoftojë qytetarët e Serbisë për gjithçka që ka ndodhur dhe do t’ua shpjegojë “atë që i pret”.