Borrell: Kemi marrëveshje
“Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e aneksit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre”, tha ai, duke iu referuar propozimit evropian që palët e pranuan më 27 shkurt në Bruksel.
"Për zbatimin e nenit 7, Kosova është pajtuar të nisë menjëherë negociatat në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të krijuar rregullime specifike dhe garanci në mënyrë që të sigurojë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë", tha ai.
Ky nen është parë si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deri më tani ka refuzuar që ta themelojë.
Zyrtari i lartë evropian po ashtu tha se në takim, Kurti dhe Vuçiq kanë mbështetur "deklaratën për personat e zhdukur, ashtu siç është negociuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente".
Borrell tha se fillimisht blloku evropian kishte paraparë një aneks më të detajuar, por palët nuk arritën që të pajtoheshin për një version të tillë.
“Kjo ishte, në njërën anë për shkak të, mendoj se njëra palë, Kosova kishte mungesë të fleksibilitetit për këtë çështje, dhe në anën tjetër sepse Serbia paraprakisht deklaroi se nuk do të nënshkruante edhe pse ne jemi plotësisht të gatshëm ta zbatojmë”, tha Borrell.
"Pavarësisht faktit se paraprakisht ishte propozuar një tekst më ambicioz ajo çfarë palët kanë pranuar, që nënkupton marrëveshjen dhe zbatimin përmes aneksit, do të bëhet pjesë integrale e rrugëve të tyre respektive drejt BE-së”, shtoi ai.
Sipas Borrell, blloku evropian do të vëzhgojë zbatimin e këtyre zotimeve dhe nëse palët nuk e zbatojnë atë, do të kenë pasoja.
Ai shtoi se Kosova dhe Serbia do të përfitojnë nga kjo marrëveshje, por edhe rajoni, pasi sipas Borrell, kjo marrëveshje ka të bëjë me sigurinë dhe prosperitetin e gjithë rajonit.
Escobar: Marrëveshje e vështirë, por e nevojshme
I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, deklaroi se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje “të vështirë, por të nevojshme”.
Pas rundit të dialogut të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në të cilin Escobar mori pjesë në cilësinë e vëzhguesit, ai tha se arritja e pajtimit për zbatimin e propozimit evropian mundëson që Kosova dhe Serbia të ecin drejt integrimeve euroatlantike.
“Dua të uroj palët për arritjen e një marrëveshjeje të vështirë, por të nevojshme për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe të parashikueshme midis tyre. Kjo, jo vetëm që hap derën për integrime më të mëdha euroatlantike për të dyja shtetet, por hap derën edhe për rajonin për të hyrë në një epokë të re të paqes”, tha ai.
Kur u pyet se pse liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk e nënshkruan marrëveshjen, Escobar tha i beson mekanizmit të Bashkimit Evropian për zbatimin e aneksit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“U jam falënderues partnerëve tanë evropianë që na sollën në këtë pikë dhe jam mirënjohës edhe ndaj dy liderëve që kishin guximin politik për të arritur atë që arritën sonte”, tha Escobar.
Kurti: Kjo marrëveshje është njohje de facto
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshja e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut është “njohje de facto” por shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po i ik nënshkrimit të marrëveshjes.
Kurti tha se i takon Bashkimit Evropian që ta gjejë mekanizmin që ta bëjë këtë marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme.
“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellë de facto. Pra, kjo është njohje de facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti.
Pas rundit të bisedimeve, Kurti tha se pajtimi publik është arritur për aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë, me një aneks. Pala tjetër, njëjtë si në takimin e kaluar [takimi në Bruksel më 27 shkurt] po i ik nënshkrimit të marrëveshjes”, tha Kurti.
I pyetur rreth deklarimit të shefit të lartë të BE-së, Josep Borrell, se pajtimi i sotëm e parasheh nisjen e shpejt të procesit të krijimit të një mekanizmit të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, kryeministri Kurti, nuk mohoi një gjë të tillë, por tha se kjo do të bëhet duke u bazuar në standardet më të larta.
“Nuk është vetëqeverisje, është vetëmenaxhim”, tha kryeministri Kurti kur iu përgjigj pyetjes nëse do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Ekziston një paragraf i cili flet për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit joshumicë serb dhe natyrisht se ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim, asnjë diskriminim”, shtoi ai.
Kurti tha se kjo marrëveshje e arritur në Ohër, “është më e mira e mundshme në këto rrethana për Kosovën, për raportet e Kosovës me Serbinë.
Ai tha se aneksi do të publikohet nga Bashkimi Evropian.
“Unë mendoj që është platformë solide për të ecur përpara, e andaj është e pranueshme për ne”, tha Kurti.
Teksti i aneksit për zbatimin e propozimit evropian
Bashkimi Evropian publikoi tekstin e aneksit për zbatimin e propozimit evropian, pasi liderët e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan për të gjatë takimeve të zhvilluara në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.
Në artikullin e mëposhtëm mund ta gjeni të plotë përmbajtjen e këtij aneksi.