Kurti dhe Vuçiq rinisin bisedimet
Pas një pauze mbi njëorëshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë rinisur bisedimet, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë.
Bartësit e dialogut po diskutojnë në Ohër të Maqedonisë së Veriut për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
BE-ja më herët tha se Kurtit dhe Vuçiqit do t’iu prezantojnë një “plan të konsoliduar” të zbatimit të këtij propozimi, që synon t'i çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
Gazetarët në pritje pas nëntë orë bisedime
Teksa liderët e Kosovës dhe Serbisë po zhvillojnë bisedime nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, shumë gazetarë janë duke e përcjellë këtë ngjarje nga qendra mediale në Ohër.
Qendra mediale është vendosur në një objekt tjetër, afër vilës ku po mbahen bisedimet.
Bisedimet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë nisur nëntë orë më parë.
Sërish pauzë në Ohër
Siç mëson Radio Evropa e Lirë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, liderët e Kosovës dhe Serbisë, kanë ndërprerë përkohësisht bisedimet, për t’u rikthyer sërish pas një pauze.
Takimet në Ohër, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën në orën 10:30.
Fillimisht, Kurti dhe Vuçiq, zhvilluan takime veç e veç me ndërmjetësuesit evropianë dhe më pas nisi takimi trepalësh, ku palët diskutuan për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Më herët gjatë ditës, takimi trepalësh u ndërpre për mbi një orë, po ashtu për shkak të një pauze.
Rinisin bisedimet në Ohër
Pas pauzës së dytë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut ka rinisur takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimi, që po ndërmjetësohet nga zyrtarët evropianë, ka në agjendë planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.