Ende nuk ka nisur takimi i përbashkët
Edhe pse takimet dypalëshe të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me zyrtarët evropianë ka kohë që kanë përfunduar, takimi i përbashkët i tyre nuk ka nisur ende.
Po ashtu, nuk ka ende asnjë informacion se kur mund të nisë.
Kurti dhe Vuçiq përballë njëri-tjetrit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën takimin e përbashkët, me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Paraprakisht, ata takuan ndaras shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Në agjendë janë diskutimet për zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Pse ka rëndësi nënshkrimi i zbatimit të propozimit evropian?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po diskutojnë në Ohër për zbatimin e një propozimi të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Ky propozim nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por pranim të dokumenteve dhe simboleve shtetërore të njëra-tjetrës.
Kurti ka thënë më herët se është optimist për takimin e sotëm, por se nuk varet gjithçka prej tij.
Vuçiq ka thënë se nuk planifikon të nënshkruajë asgjë në Ohër.
Analistët politikë thonë se nëse Kosova dhe Serbia nuk e nënshkruajnë aneksin e zbatimit të propozimit, ato nuk do të mund të bëjnë asnjë hap drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Për më shumë në këtë temë, lexoni këtu.
(Mos)marrëveshjet Kosovë - Serbi
Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në dialog për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.
Së voni, dy shtetet janë pajtuar në parim për një propozim të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
Për zbatimin e këtij propozimi, udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë po bisedojnë sot në Ohër.
Një nga nenet e tij kërkon nga të dyja vendet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në 12 vjetët e fundit.
Por, çka është zbatuar deri më tash dhe çka jo?
Klikoni këtu: Kronologjia e dialogut