Sfida e Asociacionit
Një nga pikat e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ky asociacion, i dakorduar qysh në vitin 2013, do t’i mundësonte komunitetit serb të menaxhojë çështje të tilla si: zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe planifikimi urban dhe rural në zonat e tij.
Qeveria e Kosovës refuzon ta formojë, duke argumentuar se asociacionet njëetnike shkelin Kushtetutën e saj dhe kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.
Qeveria e Serbisë, në anën tjetër, e sheh Asociacionin si mbrojtje të rëndësishme për serbët në Kosovë.
Së shpejti takimi i përbashkët
Takimet dypalëshe të zyrtarëve të BE-së me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, përfunduan.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë raporton se takimi i përbashkët pritet të nisë së shpejti.
Kujtojmë se në agjendë është diskutimi për zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Vazhdoni të përcillni Radion Evropa e Lirë për informacione në kohë reale.
Përfitimet ekonomike nga propozimi i BE-së
Derisa pritet të nisë takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ne ju sjellim një material për pritjet e biznesmenëve në Kosovë dhe Serbi nga normalizimi i marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve.
Pro bashkëpunimit dhe marrëveshjeve - është qëndrimi i përbashkët i tyre.
Për më shumë, lexoni:
Escobar për REL-in: Nuk jemi të fokusuar te nënshkrimi, por te finalizimi i marrëveshjes
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret finalizimin e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, palët nuk do të mund të zgjedhin se çka të zbatojnë nga ky propozim e çka jo.
Në cilësinë e vëzhguesit, Escobar merr pjesë në një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që pritet të zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars.
Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se fokusi në këtë takim është te finalizimi i aneksit për zbatimin e Marrëveshjes, e jo te nënshkrimi.
“Jemi duke funksionuar nën hijen e një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë e kontinentit evropian që prej Luftës së Dytë Botërore”, tha Escobar duke iu referuar pushtimit rus të Ukrainës.
Në këtë aspekt, tha ai, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është i rëndësishëm.
Në rast se palët nuk pajtohen, ato, fillimisht, “nuk ecin përpara në integrimin e tyre euro-atlantik”, tha Escobar.
Ai shtoi se “të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë marrëdhënie paqësore me njëra-tjetrën”.
Sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Escobar tha se është shumë e pagjasë që ai të shndërrohet ndonjëherë në një Republikë Sërpska, duke iu referuar kështu entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, i cili vazhdimisht ka sfiduar funksionalizimin e këtij shteti.